Lirohet Enver Sekiraqa, gjykata vendos masën e paraqitjes në Polici

I akuzuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, Enver Sekiraqa, është liruar nga masa e arrestit shtëpiak dhe i është zëvendësuar me masën e paraqitjes në Polici. 

Gjykata Themelore në Prishtinë, konfirmon se ka marr aktvendim që të akuzuarit E.S të ndërpritet masa e arrestit shtëpiak dhe kundër të njëjtit urdhërohet masa e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj.

“Konform nenit 176 paragrafi 4 të KPRK-së, gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit, nëse i akuzuari E.S nuk respekton masën e shqiptuar. Gjykata duke vepruar sipas detyrës zyrtare, të akuzuarit E.S i ndërprenë masën e arrestit shtëpiak dhe kundër të njëjtit cakton masën e paraqitjes në stacion policor, e cila masë do të zgjasë në kohëzgjatje prej një muaj, ngase që nga data e caktimit të masës së arrestit shtëpiak me datë 15.10.2021 e deri me tash, i njëjti asnjëherë nuk e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak. Duke pasur parasysh se i akuzuari gjendet nën masën e arresti shtëpiak për më shumë se dy vite dhe se nuk ka pasur asnjë njoftim nga Policia e Kosovës se i njëjti në çfarëdo mënyre nuk e ka respektuar këtë masë, gjykata konsideron se edhe masa e paraqitjes në stacion policor, krijon kushte që procedura penale në këtë çështje të zhvillohet pa vështirësi”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, gjykata vlerëson se është përmbushur kushti nga neni 176 paragrafi 1, pika 1.2 të KPRK-së, ngase ka arsye për të besuar, se po të gjendet i akuzuari në liri të plotë, do të mund të fshihet ose do të largohet nga Kosova.

Kundër këtij vendimi, palët mund të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Vendimi për lirimin e tij nga masa e arrestit shtëpiak është marrë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Lajmin e ka konfirmuar për mediat, avokatja e tij, Kosovare Kelmendi.

“I njëjti ka qenë në arrest shtëpiak që dy vite. Dje është vendos nga Gjykata që të hiqet kjo masë dhe të zëvendësohet me atë të paraqitjes në polici një herë në javë”, ka thënë Kelmendi. /Kosova.info/

Go to TOP