LAJMI I FUNDIT:

Gashi drejt rikthimit në Evropë, por kërkon pagë të lartë për ta lënë Amerikën

Gashi drejt rikthimit në Evropë, por kërkon pagë të lartë për ta lënë Amerikën

Sulmuesi shqiptar, Shkëlzen Gashi duket se është pajtuar për tu rikthyer përsëri në Evropë.

Anëtari i Kombëtares së Shqipërisë, është larguar nga Evropa dy vite më parë duke iu bashkuar skuadrës amerikane Colorado Rapids.


29-vjeçari iu bashkua skuadrës amerikane për rreth tre milionë euro nga Baseli por duket se tani po përfundon aventura e tij në SHBA.

Gashi është duke u kërkuar me ngulm nga Paolo Tramezzani tek Sioni pasi ka nevojë të madhe për një sulmues.

Gashi duke festuar një gol me Colorado Rapids në MLS

Sipas medieve zvicerane, Sion është e gatshme të paguajë rreth dy milionë euro për kartonin e Gashit.

Problemi i vetëm mbetet paga e madhe që lojtari ka kërkuar nga klubi zviceran për tu rikthyer në Evropës.

Bisedimet mes palëve kanë filluar, ndërsa Gashi nuk preferon ta lë Amerikën pa e pasur një pagë prej një milionë frangave edhe tek Sioni.

Aktualisht Gashi ka kontratë me Coloradon deri në qershor të vitit 2020.

Paga aktuale e sulmuesit nga Kosova është një milionë dollar por mund të shkojë edhe më lartë varësisht nga bonuset e arritura.

Mbetet të shihet nëse Sion do t’i plotësojë kërkesën Gashit për një pagë milionëshe për tu rikthyer ai përsëri në elitën e futbollit zviceran.

Gjatë karrierës së tij në Zvicër, Gashi ka luajtur për skuadra të mëdha si Zurich, Basel, Grasshopper, Xamax, Schaffhausen apo Arau.

Aktualisht tek Sioni janë edhe tre futbollistë tjerë shqiptarë, Ermir Lenjani, Pajtim Kasami dhe Burim Kukeli. /Telegrafi/