Dita e Fibonaçit, dedikuar babait të matematikës moderne

Shkencë & Teknologji

Dita e Fibonaçit, dedikuar babait të matematikës moderne

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 01:02
Statuja e Leonardo Fibonaçit në Pisa

Shumë e njohin emrin e tij për shkak të spiraleve dhe harmonisë në natyre, por në të vërtetë Leonardo Fibonaçi, të cilit i dedikohet sot “Fibonacci Day” (Dita e Fibonaçit), ka qenë një prej matematicienëve më të rëndësishëm të historisë dhe mund të konsiderohet edhe si babai i matematikës moderne në Itali dhe botën perëndimore.

“Leonardo Pisano, i lindur në vitin 1175 në Pisa, solli në Itali dhe Evropë traditën e matematikës të zhvilluar nga arabët. Libri i tij ‘Liber Abbaci’, i shkruar në vitin 1202, ku një kopie ruhet në Siena, është një libër i matematikës së aplikuar, ku shpjegonte koncepte praktike si hyrja e dyfishtë për të ndihmuar tregtarët”, shpjegon Roberto Natalini, drejtori i Institutit të Aplikimit të Llogaritjes i Këshillit Kombëtar të Kërkimit (CNR).

Një prej meritave kryesore të Fibonaçit, shtoi Natalini, “është futja e idesë së algjebrës dhe shifrat arabe, nga të cilat zeron, që tek ne nuk ishte”.

Këto njohuri ai i kishte marrë kur shoqëronte babain për tregti në Kabilia, rajon në Algjerinë moderne.

“Në atë kohë përdorej ende gjeometria euklidiane greke, dhe gërmat në vend të numrave. Mund të themi se nëse kultura moderne dhe Rilindia lulëzuan në Itali ishte edhe për meritën e tij”, theksoi Roberto Natalini.

Vargu i tij i famshëm (0, 1, 1, 2, 3, 5, 8, 13…), ku çdo shifër është rezultat i shumës së dy shifrave të mëparshme deri në pafundësi, u krijua për të zgjidhur një problem praktik. Si evoluonte popullsia e lepujve duke u nisur nga një çift i vetëm.

Ky varg shënoi fillimin e studimit të një vargu numerik, që përdoren në financë dhe në teoritë e sistemeve dinamike, si dhe është edhe shembulli i parë i dinamikës së popullsisë.

“Modelet që përdorim sot për të kuptuar se si përhapen virueset ose gripi, janë nipër të modelit të Fibonaçit”, thotë Natalini.

Ky varg mund të aplikohet edhe në raportin e artë dhe në shumë pjesë të natyrës me mekanizma elementare të rritjes, si numri i petaleve të disa luleve, vendosja e farave të lulediellit, të luspave dhe të pendëve tek shpendët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat