Arbëri

Ymeri i VV-së kontratën për Kosovën e Re e cilëson skandaloze

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka filluar me kritikat e opozitës për nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re (Kosova C), e cila është cilësuar si skandaloze.

Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri ka ngritur çështjen e arritjes së marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova C, për të cilin ka thënë se ka qenë një proces jo transparentë, transmeton kp. 

Madje, Ymeri e ka quajtur skandaloze nënshkrimin e kësaj kontrate.

“Termocentrali Kosova C do të ketë një bllok 500 megavatësh, kthimin në investime për këtë investim do të jetë diku 21. 5 për qind, ndërkohë që ngritja e çmimit të energjisë parashikohet nga Qeveria nga 28 deri 32 për qind, si rrjedhojë e këtij projekti. Besoj se këto mjaftojnë për ta treguar se sa skandaloze është kjo kontratë dhe ky projekt në përgjithësi. Ky është rasti i parë i privatizimit të kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike në vendin tonë. Pas privatizimit të dëmshëm dhe shkatërrues të rrjetit të shpërndarjes tash po zbatohet faza e dytë e privatizimit të gjenerimit një hap jashtëzakonisht i dëmshëm drejt privatizimit të energjisë elektrike në përgjithësi”, tha Ymeri.

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, ka ngritur çështjen e ushtrimi të dhunës ndaj fëmijëve në çerdhe, pas raportimit në media se një fëmijë është rrahur nga mësuesja e tij, e një tjetër është dënuar me mos dhënie të bukës si dënim.

“Ditë më parë në lajme pamë një informacion se si një shtatë vjeçar i nxirren flokët nga mësuesja e klasës me justifikimin e turpshëm se kjo kishte ndodhur në afekt pasi fëmija nuk po arrinte të kuptonte mësimin edhe pas shumë përsëritjeve. Në intervistimin që i bënte gazetarja, drejtoresha e shkollës, për fat të keq edhe ishte grua, në deklaratën e saj ajo e kishte me të rëndësishme të rrëfej se mësuesja qenka shumë në nivel dhe flokët mbi krah. Kjo paraqitje imja i nxit nga kjo storie, por nuk është e vetmja. Aq shumë kemi brenda vitit të tilla raste ku asnjëherë të vetëm, unë se paku nuk kam marrë informacion nga inspektorët e arsimit se çfarë ndodh me tutje me raste të tilla. Kemi edhe raste tjera ku një fëmijë nuk i jepet ushqimi vetëm pse kishte nxënë ulësen e një shoku detyrohet t’i shikoj fëmijët e tjerë duke ngrënë si shenjë dënimi”, tha ajo.

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj që t’i ndërtojë varrezat e dëshmorëve në fshatin Polac, pasi ato ende nuk janë rregulluar.

“Sot është data 14 dhjetor përvjetori i 19 i rënies se komandantit Mujë Krasniqi dhe 41 dëshmorëve tjerë që kanë rënë në kufirin e padrejtë mes shqiptarëve në Gorozhup në vitin 1998. Por si shumë prej jush familjet e dëshmorëve akoma edhe sot lulet për familjarët e tyre, bashkëluftëtarëve të tyre lulet i hedhin mbi dhe pasi varrezat nuk janë rregulluar. Siç ju e dini me 14 dhjetor 1998 ishin 141 luftëtarë që ishin nisur të sjellin armë kurse 41 kanë rënë aty. Kurse në ndërkohë në fshatin Polac në një lëndinë në rrethana lufte janë varrosur këta dëshmorë dhe pastaj edhe dëshmorë tjerë janë 128 varreza të gjitha të parregulluara. Varrezat atje kanë vetëm nga një shenj druri ku në ato shenja shumica e emrave nuk lexohen më. Unë e di që ka pasur probleme rreth menaxhimit të kësaj teme. Kërkoj nga kryeministri një angazhim personal për këtë temë, duke ditur se edhe e ndjen, që të marrë angazhimin për rregullimin e varrezave”, theksoi Selimi.

Seanca po vazhdon me një pyetjet e deputetëve ndaj kabinetit qeveritar.