“NEWBORN”-i, 10 vjet simbol i shtetësisë

Aktuale February 17, 2018 - 07:59

Pak ditë para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në një zyrë të një kompanie të reklamimit në Prishtinë ishin duke menduar për një lojë të thjeshtë në internet, por më vonë ndryshoi ideja dhe u bë një mesazh i fuqishëm për të gjithë botën. Bëhet fjalë për obeliskun “NEWBORN”, që u bë simbol i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ky monument tash e dhjet vjet është pamja që shoqëron artikujt e mediumeve botërore për Kosovën. Gjithashtu përgjatë këtyre viteve “NEWBORN” ka marrë shumë çmime ndërkombëtare.

Në 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë ideatori i këtij obelisku, Fisnik Ismaili, ka rrëfyer për gazetën “Zëri” për idenë fillestare dhe për mirëmbajtjen e “Newborn”-it përgjatë këtyre viteve. “U patëm mbledhur në zyrën e “Karrota/Ogilvy”-s, kompanisë sime, për të dalë me disa ide për një lojë në internet, që donim ta bënim për një klient për kampionatin e futbollit, i cili mbahej në qershor 2008. Në bisedë e sipër filluam të flasim për ditën e pavarësisë edhe mua më hyri në kokë fjala ‘newborn’, prej së cilës bashkë me ekipin e shtjelluam më tutje dhe vendosëm të jetë një skulpturë topografike 3 metra e lartë në të cilën qytetarët tanë do të shkruanin sipas dëshirës, që t’ia japin një porosi krejt botës”, ka rrëfyer Ismaili.

Ai ka thënë se prej idesë në atë mbledhje deri te realizimi përfundimtar më 17 shkurt ishin 11 ditë. 

150 veta ngjyrosën “NEWBORN”-in

Ismaili ka bërë të ditur se në pesë vjetët e para vazhdimisht ka kërkuar nga Ministria e Kulturës për ta ngjyrosur çdo vit ndryshe. “Qeveria refuzonte kërkesat e mia deri vendosi vetë, për 5-vjetor, ta ngjyrosë prapë të verdhë, pa u konsultuar me autorin as për mënyrën, as arsyen pse duhet ndryshuar pamja çdo vit. Kur ndodhi kjo unë e bëra një thirrje publike për të dalë vullnetarisht e për ta ngjyrosur me flamujt e shteteve që e kanë pranuar Pavarësinë e Kosovës. Kështu u bëmë 150 veta dhe brenda 24 orësh i dhamë pamje të mrekullueshme dhe nisëm traditën e ngjyrosjes ndryshe çdo vit”, ka deklaruar Ismaili.

 Më tej ideatori i këtij obelisku ka thënë se ai e ka filluar punën me mjete vetanake dhe pasi e ka parë punën që po bëhej Qeveria ka pranuar t’i mbulojë shpenzimet nga fondi që kishte ndarë për manifestimin e 17 Shkurtit 2008. “Komplet realizimi dhe zbulimi i ‘NEWBORN’-it pati kushtuar 66.000 euro, nga të cilat më janë paguar 59.200. Pjesën tjetër e kam mbuluar me shpenzime të kompanisë sime”, ka bërë të ditur Ismaili.

Ai ka thënë se deri në vitin 2015 idetë për ngjyrosjen e “NEWBORN”-it i ka dhënë ai. Ndërsa prej vitit 2015,kur ky obelisk u fut në listën e Monumenteve dhe Trashëgimisë Kulturore, Ismilai idetë për ngjyrosje çdo vit ia dërgon Institutit Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), të cilat i shqyrton një komision aty brenda dhe ia japin pajtimin për ngjyrosje.

Fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare

“NEWBORN” ka fituar disa çmime ndërkombëtare. “Çmimi më prestigjioz në botë për dizajn është ‘Luani i Artë’ në Cannes. Pastaj janë fituar edhe ‘Clio i Argjendtë’ në Miami, ‘Eurobest i Argjendtë’ në Stokholm, ‘One Show Merit’ në New York, ‘Golden Drum Grand Prix’ në Portorozh dhe një nominim për ‘London International Awards’. Të gjitha këto në kategorinë për dizajn ambiental. Po ashtu në 2013-ën u patëm nominuar prapë për ‘Clio Awards’ për ngjyrosjen me flamuj”, ka treguar Ismaili në rrëfimin për gazetën “Zëri”.  

Ismaili ka thënë se po planifikojnë që së bashku me Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve ta gjejnë një mënyrë për mirëmbajtje të lehtë dhe pa kosto. “Në fakt është detyrë e çdo qytetari ta mirëmbajë të paktën duke mos vendosur posterë në të”, ka porositur Ismaili.

Ndërsa i pyetur për pamjen që do ta ketë këtë vit obelisku i “NEWBORN”-it, Ismaili ka thënë se kjo është befasi të cilën nuk mundet ta tregojë. 

Për ideatorin e “NEWBORN”-it versioni më i dashur është ai i ngjyrosur me flamuj. “Më i dashuri për mua është versioni me flamuj për 5-vjetorin e Pavarësisë”, ka përfunduar Ismaili.

Image

 

Image

Image

Image