Kosova

Sot, më 17 shkurt, Republika e Kosova feston dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj

Sot, më 17 shkurt, Kosova feston dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, që shënon edhe kurorëzimin e një rrugëtimi shumë të vështirë e të gjatë të popullit shqiptar. Për një dekadë, shteti më i ri në Evropë është njohur nga 116 shtete. Për nder të kësaj dite, sot e nesër, do të ketë aktivitete të ndryshme në të gjitha komunat e Kosovës. Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, sot, në orët e mbrëmjes do të mbajë një koncert në sheshin “Skënderbeu”, cili do të fillojë nga ora 20:00. Ndërkaq më 18 shkurt (e diele), në orën 13:00, në sheshet kryesore të kryeqytetit do të parakalojnë njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ato të Policisë së Kosovës.

Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës për 10-vjetorin e pavarësisë do të mbahet të dielën, në orën 12:00. Po të dielën, më 18 shkurt, do të organizohet pritja shtetërore për mysafirët vendorë e ndërkombëtarë. Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet për garantimin e sigurisë më 17 dhe 18 shkurt. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova mbetet ndër vendet më të varfra të Evropës, ndërkaq vazhdon të jetë vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë liberalizimin e vizave. Dhjetë vite më parë, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët e Republikës, veç atyre serbë, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke u realizuar dëshira shekullore e shqiptarëve për të fituar pavarësinë

Kontrolloni gjithashtu

Christopher Hill

Prokuroria për krimet në fushën e teknologjisë, në Serbi, fillon hetimet për kërcënimet që iu kanë bërë, ambasadorit Hill

Një prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi ka filluar hetimet lidhur me …