Evis HALILI
Shkup, 17 shkurt – Në projektet e miratuara në Programin e këtij viti, sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Vlamir Aziri mohon të ketë konflikte interesash dhe përzgjedhje preferenciale. Sipas tij, projektet janë vlerësuar në bazë të dokumentacioneve dhe nuk mund të paragjykohen përpara se të realizohen, shkruan gazeta KOHA. Por tabelat me paratë e ndara kanë tregues të tjerë.
Mes atyre projekteve që dallohen dhe veçohen për shumat e mëdha, të cilat u janë besuar – janë edhe ato që janë fituar nga të punësuar brenda Ministrisë dhe kabinetit të sekretarit shtetëror. Një prej rasteve është ai i shoqatës “Ble-And” nga Tetova, në pronësi të pesë personave. Duke iu referuar të dhënave nga Regjistri Qendror, kjo shoqatë deklaron si person të autorizuar A.H, i cili është shef në kabinetin e Hazirit. Edhe pse thotë se nuk është në dijeni se mes projekteve të miratuara mund të ketë raste me konflikte interesash, projektit konkurrues të “Ble-And” i janë dhënë 660 mijë denarë (në Manifestimet artistike) për realizimin e projektit për një festival folklorik për fëmijë. Kjo shumë është shumë herë më e madhe nga ajo që ndahet për manifestime të ngjashme (festivale për fëmijë), të cilat mbështeten me nga 80 mijë denarë. Ekziston apo jo konflikt interesash në këtë rast, si edhe në shumë të tjera në projektet fituese të Programit vjetor kryetarja e Transparent Maqedoni, Sllagjana Tasevska thotë se situata të tilla nuk duhen toleruar dhe nuk duhet të kalojnë pa pasoja, pasi bëhet fjalë për keqpërdorime të ndryshme, si tregtimi i influencës, keqpërdorimi i funksionit zyrtar, e të tjera.
“Në situata kur kemi konfklite interesash, ose kur dyshojmë për korrupsion dhe mosdeklarimin e rasteve që duhet të paraqiten, ky rast duhej të deklarohej. Sipas Ligjit për antikorrupsion, raste të tilla do të duhej të paraqiteshin. Ne flasim shumë pak për tregtimin me ndikimin, një gjë e tillë bëhet jo nga funksionarët, por nga ato që janë afër tyre, që të arrihen përfitime prej tyre, nga të tjerë, direkt dhe indirekt. Këtu ngrihen shumë çështje për të cilat duhet që Ministria të japë shpjegim dhe pas gjithë këtyre ngjarjeve – duhet të mendohet seriozisht edhe për integritetin e vetë ministrit lidhur me gjithë këto gjëra që janë diskutuar deri tani, për konflikt interesash, koncentrimin e mjeteve në kompani të caktuara… Pra, situata të tilla nuk duhen toleruar dhe nuk duhet të kalojnë pa pasoja”, thotë Sllagjana Tasevska. Duke folur për projektet e miratuara, Tasevska thotë se ka pasur raste kur disa subjekteve i janë miratuar disa projekte në shuma të tilla që i tejkalojnë ato me të cilat mbështetet ajo që quhet “kultura elitare”.
“Bëhet fjalë për tërheqje serioze të parave nga buxheti, duke keqpërdorur të gjitha procedurat për konkurse. Me të vërtetë nuk jam dakord me qëndrimin se kështu ka qenë programi dhe procedura. Duhej të kishte kapacitete për të korrigjuar atë që nuk ishte si duhet dhe jo të vazhdohet në të njëjtën mënyrë dhe të shkohet më larg. Për këtë rast duhet të jepet llogari dhe të gjitha ato dokumente duhet të vihen përpara opinionit. Prokuroria publike duhet të merret me këto çështje që kanë të bëjnë me tregtimin e influencës. Dhe të mos flasim për dyshimin për mundësinë e tregtimit më influencës, fillimisht me keqpërdorime sa i takon funksionit zyrtar. Prokurorët publikë absolutisht e them se kanë me çfarë të merren”, thotë Tasevska.
Në një prononcim të dhënë nga Aziri për gazetën KOHA lidhur me shumat e ndara për projekte në sektorë si muzikë, manifestime, dramë, e të tjera për të cilat ka pasur vërejtje nga vetë aplikuesit, por edhe nga anëtarët e komisioneve për formën e zhdrejtë dhe të pamerituar në ndarjen e të hollave, ai thotë se nuk është në atë pozicion për të plotësuar dëshirat dhe hatërmbetjet që i quan individuale dhe mohon se ka pasur përzgjedhje selektive. Por vërejtjet që nuk lidhen me projektet e miratuara, por me mënyrat sesi janë ndarë të hollat – kanë qenë arsyet kryesore që anëtari i komisionit të Muzikës, Rami Mustafa, të mos jepte nënshkrimin e vet në listën finale me projektet fituese, pasi janë shpërfillur vlerësimet profesionale. Ai në një prononcim për gazetën KOHA thotë se qëndrimi i tij është kundër listës dhe shumave të ndara për projektet.
“Nuk është respektuar vlerësimi im profesional. Këto rezultate nuk mbajnë nënshkrimin tim dhe për këtë kam vënë në dijeni sekretarin”, thotë Mustafa. Në këtë sektor shumë shoqata e individë kanë konkurruar duke marrë fonde të mëdha, të tjerë shuma disa herë më të vogla nga sa kanë kërkuar. Një ditë më parë edhe Ministria e Kulturës ka reaguar lidhur me këto çështje, përmes një apeli drejtuar opinionit publik ftojnë në denoncimin e rasteve abuzive.
“Në mënyrë të vendosur mbajmë qëndrim se nëse ka indikacione për parregullsi në procesin e aplikimit dhe vendimin, ose në qoftë se persona të caktuar apo subjekteve të përfshira të nepotizmit, korrupsionit, klientelizmit apo praktika të tjera të paligjshme, Ministria është e gatshme që menjëherë të rishikojë këto raste, dhe në qoftë se është gjetur përgjegjësi, do të kryejë procedura disiplinore dhe të tjera në përputhje me ligjin… Koha e veprimtarisë së paligjshme dhe joprofesionale ka përfunduar dhe praktikat e tilla zëvendësohen nga praktikat e të punuarit me përgjegjësi”, thuhet në reagimin e Ministrisë. (koha.mk)