Laura PAPRANIKU
Shkup, 17 shkurt – Ndryshimet që pritet të sjell Ligji i ri i arsimit të lartë në Maqedoni, përveçse i mirëpritur – mund të rezultojë edhe të kontestohet në pjesë të veçanta, sikurse është edhe çështja e akreditimit, shkruan gazeta KOHA. Ndryshimet e propozuara në këtë pikë rrezikojnë ta bëjnë çështjen e akreditimeve një proces të ngurtë në asketin formal dhe çfarë është më shqetësuese – regresiv në aspektin formal.
Profesori universitar Bashkim Ziberi mendon se Ligji i ri duhet të jetë shumë më fleksibil në procedurat për akreditimin e programeve dhe profileve studimore brenda fakulteteve veçmë të akredituara paraprakisht. As kriteret e rritura për numrin e profesorëve që duhet të disponojnë fakultetet gjegjëse, sipas tij, nuk përbëjnë kriterin e domosdoshëm për studime cilësore. Cilësia, thotë Ziberi, nuk matet me numra, por me kritere që përcaktojnë cilësinë e programit studimor, lidhjeve që ka ai me tregun e punës dhe mbi të gjitha – me performancën akademike të profesorëve të angazhuar në atë fakultet.
Akreditimet e programeve studimore dhe fakulteteve si tërësi, siç dihet – bëhen në çdo pesë vjet, kurse në rastin e kërkesave për hapjen e një programi të ri apo të një profili brenda atij vlejnë të njëjtat kërkesa dhe procedura si për akreditimet e para. Donë të thotë, fakulteti duhet të ketë të punësuar profesorë për 70 për qind të lëndëve të atij programi apo profili. E shprehur në numra, duhet që fakulteti të ketë punësuar paraprakisht 10 profesorë me marrëdhënie të rregullt pune për programin apo profilin të cilin kërkon ta akreditojë.
Problemi, sipas Ziberit, është se askush nuk mund ta di paraprakisht nëse do të krijohen kushte për funksionimin e atij programi studimor. “Funksionimi i një programi varet në radhë të parë nga numri i studentëve. Askush nuk mund ta dijë se cilat do të jenë prurjet në fjalë, sepse mund të ndodh që të mos ketë interesim dhe të mos regjistrohen studentë të mjaftueshëm për fillimin me punë të atij programi. Prandaj, fakulteti nuk mund të rrezikojnë dhe të punësojnë 10 profesorë pa ditur nëse do të kenë studentë atë vit ose jo. Këtu lind pyetja, çfarë më pastaj, pra çfarë do të bëjnë fakultetet me profesorët që veçmë kanë qenë të detyruar ti punësojnë”.
Ziberi, i cili është edhe anëtarë i Këshillit për Akreditim dhe Evaluim të Institucioneve të Larta Arsimore në Maqedoni, është i mendimit se në këtë pikë, Ligji i ri duhet tu qëndrojë kritereve të Ligjit aktual, pra që për akreditimin e një programi të ri, fakulteti të disponojë kuadër për 50 për qind të lëndëve dhe jo për 70 për qind siç kërkohet me Propozim- ligjin e arsimit të lartë. Nëse ndodh ndryshimi, më së keqi thotë se do ta pësojnë universitetet në gjuhën shqipe, pasi janë më të reja dhe relativisht më të vogla. Për shkak të kësaj, e kanë më të vështirë edhe manovrimin me kuadrin e punësuar.
Një element tjetër ku ai sheh dobësi në këtë Propozim-ligj është edhe përcaktimi i kritereve të performancës akademike. Në kohën kur me Propozim-ligjin e ri rriten kriteret për numrin e profesorëve të punësuar, ulet kriteri i kontributit akademik, nënvizon Ziberi, duke uruar që gjatë rrugës – Ligji të korrigjohet në këtë pikë. “Një element ku janë zbehur shumë kriteret janë kushtet për marrjen e thirrjeve shkencore. Për fat të keq, nuk jam dakord me propozimin aktual, sepse për të marrë thirrjen docent, kërkohet që kandidati të ketë katër punime me karakter ndërkombëtar (qofshin publikime ose prezantime të konferencave të rregullta) të botuara në revistat e shteteve të Bashkimit Evropian ose vendeve të OECD-së”.
Këto punime duhet të jenë të indeksuara në “Web onscience” që është në rregull, plotëson më tej ai. Por, përveçse në “Web onscience”, propozim-ligji e lejon që ato punime të jenë të indeksuara edhe në “indeks coperniqus” dhe që sipas Ziberit, është një portal në të cilin gjenden të gjitha llojet e revistave brenda saj, apo sikurse shprehet ai, “një indeksim on-line i të gjitha revistave shkencore, por ku vetë nuk kanë kontroll për numrin e revistave që kanë në gjirin e vet”. Ndryshimet thotë se duhet të mendohen mirë para se të miratohen në Parlament me qëllim që të mos vijmë në situatë që Ligji të ketë nevojën e ndryshmeve dhe plotësime nga dy herë në vit, sikurse është vepruar deri tani. (koha.mk)