Omer XHAFERI
Shkup, 17 shkurt – Me vendim të Qeverisë, nga një janari i këtij viti, për shfrytëzimin e dronëve (fluturakeve pa ekuipazh), do të duhet të merret leje paraprake nga qendrat e trajnimit, të cilat pritet të hapen së shpejti. Përdorimi çdo ditë e më tepër i këtyre pajisjeve, qoftë për zbavitje apo për qëllime komerciale, paraqet njërin prej shkaqeve kryesore se pse me vendim të qeverisë kjo çështje është rregulluar. Nga Agjencia e fluturime civile, thonë për gazetën KOHA se dhënia e lejes për menaxhim me dronët, do të bëhet ngjashëm si me marrjen e patentë shoferit, respektivisht funksionimit të auto shkollave.
“Në agjencinë tonë gati për çdo ditë na adresohen pyetje dhe kërkesa për konsultime lidhur me plotësimin e vendimit të fundit të Qeverisë, për dronët. Interesimi në këtë drejtim është po thuajse i njëjtë si nga personat fizik ashtu edhe nga ato juridik. Hapja e qendrave trajnues është pika kryesore që diskutohet. Një pjesë e tyre janë persona që nuk kanë përvojë me këto qendra shkollore për trajnim, kurse pjesa tjetër vjen nga ato shkolla trajnimi që ekzistojnë, e të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme për manovrime me këto pajisje”, thonë nga Agjencia e fluturimeve civile.
Marrja e lejes apo certifikatës për hapjen e një qendre trajnimi, e cila më pas do të ndajë leje për shfrytëzim të dronëve qytetarëve të rëndomtë, kushton 100 euro. Pas fitimit të licencës për këtë lloj të veprimtarisë, qendra e trajnimit për fluturake pa ekuipazh, sipas ndryshimeve të fundit që i bëri Qeveria, duhet t’i plotësojë një sërë kushtesh. Fillimisht, siç thuhet në nenin 10 të Rregullores për shfrytëzim të hapësirës qiellore të Maqedonisë, këto qendra trajnues duhet të shënohen në Regjistrin Qendror.
Më tej ky nen parasheh kushtet shtesë që qendrat trajnuese duhet t’i plotësojnë, e që janë posedimi i hapësirës dhe pajisjeve të nevojshme për mbarëvajtjen e ligjëratave, fluturake për zhvillimin e trajnimit, regjistër (libër) për shënimin e dosjeve të kandidatëve, hapësirë të mirëfilltë për mbajtjen e këtyre dosjeve, instruktor të autorizuar si dhe program pune të miratuar nga Agjencia e fluturime civile.
Viteve të fundit dronët (fluturaket pa ekuipazh) janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, sidomos te rinia dhe ata persona që i shfrytëzojnë për qëllime komerciale. Mirëpo, jo rrallë herë, qoftë përmes rrjeteve sociale apo mediave, si dhe përmes reagimeve të ndryshme, qytetarët janë ankuar për cenimin e privatësisë. Manovrimi i lehtë me këto pajisje, sidomos në hapësira të dendura dhe urbane, në të ardhmen gjithsesi do të duhet të bëhet me leje paraprake të marrë nga organet përkatëse.
Numrin e saktë të fluturakeve pa ekuipazh (dronëve), autoritet shtetëror nuk e disponojnë. Çmimet e ndryshme në treg, respektivisht mundësia që një pajisje e tillë të sigurohet për më pak se 100 euro, mendohet të jetë arsyeja kryesore, se pse këto lloje të pajisjeve, janë kategorizuar si lojëra. Ndërkohë nga ana tjetër shfrytëzimi i pakontrolluar i tyre, në masë të madhe mund ta cenojnë lirinë, privatësinë, po edhe sigurinë e qytetarëve, pse jo edhe të shtetit.
Agjencia e fluturime civile konfirmojnë se nuk disponojnë më të dhëna të saktë se sa fluturake pa ekuipazh për momentin operojnë në Maqedoni. Por, me vendim e ri të Qeverisë, parashihet që këto pajisje të përdoren në zonë të përcaktuar rreptësishtë, gjegjësisht vetëm në aeroporte sportive apo hapësirat e ngjashme do të jenë të liruara nga detyrimet që të regjistrohen në Agjenci. Ndërkaq, ngjitja në qiell e këtyre dronëve, në vendbanime të dendura, siç janë qytet e vendet e ngjashme, gjithsesi do të duhet të bëhet me marrjen e lejes paraprake, respektivisht evidentimit/regjistrimit të tyre në Agjenci. (koha.mk)