Omer XHAFERI
Shkup, 17 shkurt – Rrjetet social çdo ditë e më tepër po shndërrohen në një mjet shantazhi dhe kërcënimi. Raportet e përditshme të organeve të rendit tregojnë se shpesh herë keqpërdorimi i rrjeteve sociale bëhet me qëllim arritjen e një përfitimi material, shkruan gazeta KOHA. Nëse deri para disa kohe rrjeti social Facebook, ishte aplikacioni on-line i cili më tepër keqpërdoroj për qëllime të ndryshme, kohëve të fundit po vërehet se edhe Instagrami, një faqe tjetër e kësaj natyre, po shënon rritje të keqpërdorimeve, të cilat nuk bëhen nga ana e administratorëve që i kanë krijuar, por siç mund të vërehet nga kallëzimet e denoncuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nga vetë shfrytëzuesit.
Përderisa opinioni është në pritje të publikimit të raportit të punës të MPB-së, për vitin e 2017, njoftimet e përditshme të kësaj ministrie thonë se vetëm brenda janarit të këtij viti janë regjistruar pesë raste, ku lëndë e denoncimit kanë qenë shantazhimet përmes rrjeteve sociale. Rastësi ose jo, tre nga këto pesë raste të cilët janë proceduar nga policia e shtetit, kanë ndodhur në rajonin e Pollogut, respektivisht në fshatrat Vrapçisht, Pallçisht dhe Banjicë e Poshtme.
Një prej rasteve të para të kësaj natyre, të cilat policia e ka publikuar për rajonin e theksuar, është publikuar me 16 janar të këtij viti. Vepra penale për të cilët është ngarkuar një 29 vjeçar nga fshati Vrapçisht, ka të bëjë me shantazhin të cilët ky i fundi ia ka bërë një vajze nga fshati Dobërdoll, rrethinë e Gostivarit. Sipas policisë së këtij qyteti, i dyshuari B.L, ka pasur dy kërkesa ndaj vajzës, të cilat i ka kushtëzuar me publikimin e fotografive komprometuese në rrjetet sociale. Banorja e fshatit Dobërdoll, në këtë rast nuk ka pranuar të shihet me të dyshuarin dhe aq më pak t’i jap 400 eurot e kërkuar, por rastin e ka paraqitur në polici, me çka organet e rendit kanë ngritur kallëzim penale për shantazhim ndaj personit në fjalë.
Emërues i përbashkët i pothuajse të gjitha shantazheve që bëhen nëpërmjet rrjeteve sociale, duke u kërcënuar mes veti se do të publikohen foto intime me përmbajtje të turpshme, është lidhja e dashurisë apo ajo martesor mes dy personave.
Rasti i cili pason pikërisht ka të bëje më këtë problematikë. Mospëlqimi i prindërve nga fshati Pallçisht, që vajza e tyre të vazhdon lidhjen me një djalë nga fshati Poroi, të dy këto fshatra të rrethinës së Tetovës, ka ndikuar që ky i fundit të ndërmerr hapa radikale dhe ta kërcënojë të dashurën e tij me publikim të fotografe intime. Përveç këtyre shtantazhimeve, i riu nga Poroi i Tetovës, të dashurën e tij nga Vrapçisht e ka shantazhuar edhe me sigurimin e të mirave materiale (ari dhe para). Presioni i vazhdueshme dhe i papërballueshme, ka shkaktuar depresion te vajza, me çka e njëjtat ka konsumuar një numër të konsiderueshëm të barnave, dhe në gjendje të pavetëdijshme është dërguar në Qendrën Klinike në Shkup. I ballafaquar me këtë sfidë, pas rrëfimit të detajuar nga vajza, prindi H.Z nga Vrapçisht e ka denoncuar rastin në polici. Nga policia e Tetovës, lidhur me këtë rast, kanë njoftuar se protagonisti i kësaj ngjarje, M.V është thirrur në stacion të policisë, ku dhe është zhvilluar një bisedë informative, respektivisht së shpejti pritet zbardhja e rastit.
Kronika e keqpërdorimeve vazhdon edhe në muajin janar. Njësia për kriminalistikë e policisë së Gostivarit, bëri të ditur se ka ngritur kallëzim penale kundër personi M.XH (22), nga fshati Banjicë e Poshtme, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “shantazh”. Ndonëse kjo ngjarje në polici ishte regjistruar gjatë periudhës mars-prill të viti 2017, procedimi i plotë i tij ka ndodhur pothuajse një vit më vonë. Kësisoj i dyshuari, thuhet se të dashurën e tij e ka kërcënuar me publikimin e fotografive të pahijshme dhe komprometuese, në rast se e njëjta refuzon të vazhdoi kontaktin me të. Krahas këtij kërcënimi, i dyshuari në këtë rast, në emër të dashurës së tij, ka hapur profil në rrjetin social “Instagram”, ku dhe i ka publikuar fotografitë intime.
Gjithashtu këto pamje ai ua ka dërguar edhe familjarëve të vajzës dhe shoqërisë më të afërt të saj. Njëkohësisht, rritja e denoncimeve për keqpërdorim të rrjeteve sociale është shënuar edhe në rajonin e Maqedonisë, juglindore.
Një pjesë e statistikës së publikuar nga Sektori për Punë të Brendshme i Strumicës, tregon se gjatë vitit 2017 ato i kanë proceduar rreth 20 raste të kësaj natyre, për dallim ku në vitin 2016, gjithsej ishin regjistruar pesë kallëzimi për keqpërdorim të rrjeteve sociale. Krahas veprës penale “shantazh”, ky sektor i policisë ka vepruar edhe për zbardhje të lëndë për keqpërdorim të të dhënave personale, publikimin e pamjeve pornografike të të miturve e kështu me radhë. Një pjesë këtyre padive i janë dorëzuar Prokurorisë Publike në Strumicë. Kujdesi i madh ndaj komunikimit, kur qytetarët i shfrytëzojnë rrjetet social është apeli kryesor i policisë, ku mes tjerash shtojnë se qytetarët duhet të kujdesën dhe në këto lloje të rrjeteve sociale mos të publikojnë shumë të dhëna personale. (koha.mk)