Si dështoi shteti ta transmetojë koncertin 20 minutësh të Rita Orës

Si dështoi shteti ta transmetojë koncertin 20 minutësh të Rita Orës

Pas disa viteve këngëtarja me famë botërore, Rita Ora u rikthye në Kosovë për nderë të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ajo kishte vendosur të vije pa pagesë që të mbajë koncert në qendër të Prishtinës, për ta festuar 10 vjetorin, shkruan Insajderi

Por shteti i Kosovës nuk arriti ta transmetojë askund koncertin e saj prej 20 minutave në qendër të Prishtinës. Paqartësi kishte pasur edhe kur ishte provuar të sqarohej nga Radio Televizioni Publik i Kosovë dhe nga Këshilli Organizativ i 10 vjetorit të Pavarësisë.

Në programin e mëngjesit në televizionin publik, ishte tentuar të sqarohej kjo çështje.

“Desha edhe diçka tjetër t’i informoj shikuesit lidhur me transmetimit për pjesën e koncertit. RTK ka arritur një marrëveshje me stafin menaxheria të Ritës dhe kemi të drejtën t’i transmetojë vetëm dy nga këngët e saj që këndohet në këtë koncerte”, kishte thënë gazetarja e RTK-së.

Por Adil Behrami nga Këshilli Organizativ i Shënimit të 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kishte thënë se janë në negociata për ta transmetuar të gjithë koncertin duke lënë të hapur mundësin për transmetimin e plotë të koncertit.

“Fillimisht kemi pasur një konfirmim për dy këngë me u transmetuar por pas konsultimeve edhe me ekipin Ritës, menaxhmenti i RTK-së është vendos me ekipin ligjorë sepse ajo ka një kontratë me një kompani dhe nuk mund të transmetohet pa lejimin e kompanisë, besoj se tani veç e kemi një konfirmim për dy këngë, nuk e di nëse është marrëveshja definitive”.

“Konfirmimi është për dy këngë por po mundohemi që tërë koncertin e Rita Orës ta transmetojmë drejtpërdrejt vetëm për territorin e Kosovës dhe jo për jashtë Kosovës”, ka thënë Behrami gjatë ditës së sotme.

Lorik Arifaj nga RTK pas koncertit të Rita Orës përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se kompania  me të cilën ka nënshkruar kontratë Ora nuk ka lejuar që këngët e saj të transmetohen në televizion dhe as në rrjetet sociale.

“Rita Ora ka kontrate me Kompaninë WARNER. Si e tille nuk ka të drejte që të këndoje dhe këngët e saj të transmetohen kudo sepse ka marrëveshje për të drejtat e autorit. RTK bashke me Kompaninë AMC ka arritur marrëveshje me shkrim me WARNER për këto 2 kënge të cilat WARNER nuk ka lejuar të transmetohen as ne satelit, as ne Youtube e as ne rrjetet sociale por vetëm në territorin e Kosovës (Free To Air)”, ka shkruar Arifaj.