Belgjika dhe Britania përkujtojnë sot viktimat e sulmeve terroriste që ndodhën më 22 mars të vitit 2016 dhe 2017.


32 persona u vranë dhe mbi 300 u plagosën, në tri sulme të koordinuara në Belgjikë më 22 mars 2016. Dy sulme ndodhën në aeroportin Zaventem në Bruksel, ndërkaq një në stacionin e metrosë Maelbeek, në qendër të kryeqytetit belg. Përgjegjësinë për këto sulme e mori Shteti Islamik ISIS. Ceremonia përkujtuese do të mbahet në Zvantem.


Në Londër, më 22 mars të vitit të kaluar, pesë persona u vranë dhe mbi 50 të tjerë u plagosën, pasi britaniku i konvertuar në islam, Khalid Masood goditi me makinën e tij kalimtarët në urën Westminister në qendër të Londrës, përpara se të godiste për vdekje me thikë një zyrtar policor para parlamentit britanik.


ISIS mori përgjegjësinë për sulmin, por hetuesit thanë se nuk kanë gjetur prova të bashkëpunimit në mes të sulmuesit dhe grupit terrorist.


Ministrja e Brendshme, Amber Rudd ka thënë se ceremonia përkujtuese për viktimat e sulmit do të mbahet në kompleksin e parlamentit në Westminister.


22 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)