LAJMI I FUNDIT:

BSPK paralajmëron greva e protesta të përgjithshme (Video)

BSPK paralajmëron greva e protesta të përgjithshme (Video)

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Lulzim Ahmeti ka folur për gjendjen e punëtorëve, protestat dhe mundësinë e shpërthimit të pakënaqësive sociale, privatizimin por edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me punëtorët.

Ai ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës, nuk ndërmerr hapa për përmirësimin e kushteve për punëtorët, ata mund të organizojnë greva dhe protesta të përgjithshme.


“Gjendja e punëtorëve në Kosovës nuk është e kënaqshme, sepse është trashëguar edhe nga e kaluara. Duhet të mendohet pak më ndryshe për të punësuarit në Kosovë edhe në parlament – deputetët të diskutojnë për punëtorët dhe për një program të zhvillimit ekonomik i cili do të mundësonte edhe hapje të vendeve të punës”, tha Ajdini.

As Qeveria, e as Kuvendi, sipas tij, nuk janë duke diskutuar për programe që do ta përmirësonin gjendjen e punëtorëve.

“Qeveria duhet ta ndërrojë mentalitetin e vet, pasi si punëtorë në të kaluarën kemi qenë të diskriminuar nga okupatori, kurse tash po diskriminohemi nga Qeveria”.

Ai ka thënë se me shkeljen e të drejtave të punëtorëve prinë sektori privat.

“Në sektorin privat punojnë punëtorët si në ‘kohën e skllavizmit’. Ata punojnë 12 orë, kurse vendimin dhe pagesën e kanë për 8 orë pune”, tha ai.

Sipas Ajdinit, në Kosovë janë ndarë dy shtresa e varfër dhe e pasur, ndërsa shtresa e mesme nuk ekziston.

Por nëse Qeveria e Kosovës, nuk ndërmerr masa atëherë nuk përjashtohen grevat dhe protestat të përgjithshme.

Ajdini ka kërkuar që Qeveria ta ndalojë vendimin për rritjen e pagave.

“Pas tre muajve mund të futemi në greva dhe protesta gjenerale, sepse Qeveria e ka tepruar me punëtorët dhe tek e fundit nuk kemi më ku të shkojmë, sepse edhe ne jemi Kosovë”, ka thënë Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Ai ka thënë se edhe për privatizimin si BSPK, kanë ankesa pasi që nuk po u shpërndahet punëtorëve me kohë 20 përqindëshin dhe shumë nga punëtorët mund ta gëzojnë, pasi që po vdesin.

“Nëse vazhdon ky avaz i vjetër punëtorët po vdesin pa e marrë 20 përqindëshin”, tha Ajdini. /Telegrafi/