I arrestuari deklaron se afërsisht 1 orë, i prangosur është rrahur nga Policia e Kosovës

I arrestuari deklaron se afërsisht 1 orë, i prangosur është rrahur nga Policia e Kosovës

Monitorues të KMDLNj- së, në kuadër të mandatit për monitorimin e qendrave ku mbahen persona të privuar nga liria apo në mbajtje të dënimit, me datë 19.07.2018 ka vizituar të arrestuarit në lagjen Kalabria me datë 18.07.2018.

I ndaluari M. K 37 vjeç, shtetas i Kosovës deklaroi se është arrestuar me datë 18.07.2018 në ora 18:00  në lagjen Kalabria dhe se nuk e ka kundërshtuar urdhërin e policisë duke dalë nga vetura me duar mbi kokë pas së cilës është shtrirë për toke dhe është prangosur.

Ai deklaron se afërsisht 1 orë, i prangosur është rrahur nga Policia e Kosovës – njësia speciale duke thënë se kanë qenë afërsisht 30 policë. Deklaron se me asgjë nuk e ka provokuar policinë për përdorim të forcës ndaj tij. Gjithashtu deklaron se sjelljet e policisë në stacionin policor kanë qenë korrekte e sidomos në Qendrën e Ndalimit ku nuk ka asnjë vërejtje. Është njoftuar për të drejtat që i takojnë, ka avokat dhe është marrë në pyetje nga hetuesit policorë të prani të avokatit. Është kontrolluar nga mjeku dhe në rastin e pranimit është edhe raporti mjekësorë.Gjatë vizitës shihen shenjat e përdorimit të forcës në fytyrë, shpinë, duar dhe këmbë. Shenjat janë të dukshme dhe si pasojë e përdorimit të forcës.

P.GJ 32 vjeç, shtetas i Malit të Zi ishte arrestuar me 18.07.2018 në ora 18: 00 në lagjen Kalabria. Ai i deklaroi KMDLNj – së se ndaj tij nuk ishte përdorur forcë , as gjatë arrestimit, as një stacionin policor e as në Qendër të Mbajtjes. Ka angazhuar avokat dhe është marrë në pyetje në prani të avokatit. Familja e tij është lajmëruar për arrestimin. E vetmja vërejtje e tij ishte kërkesa që t’i lejohet përdorimi i barërave e që i ishin konfiskuar gjatë arrestimit.

KMDLNj vlerëson se sjellja e policëve në stacionin policorë dhe në Qendrën për Mbajtje ndaj të privuarve nga liria është në përputhje të plotë me ligjin dhe të drejtat e njeriut ndërkaq kërkon  të hetohet nëse ndaj M. K gjatë arrestimit është përdorur forcë në kundërshtim me ligjin aq më parë që i arrestuari ka shenja të dukshme në trupin e tij si pasojë e përdorimit të forcës.

Për KMDLNj-në është me rëndësi të sqarohet periudha nga arrestimi e deri në dërgim në stacionin policor ngase kjo periudhë thuaja në të gjitha vizitat monitoruese deklarohet si kohë kur policia e përdorë forcën të cilën nuk e përdorë pastaj as në stacionin policorë e as në Qendrën e Mbajtjes.

Për KMDLNj-në paraqet shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria sidoms kur përdoret forca ndaj të arrestuarve që janë të neutralizuar, me pranga në duar.

KMDLNj e ripërsëritë kërkesën që të përmirësohen kushtet për stafin në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë duke ua ndërruar lokacionin.