Arbëri

Delawie tregon nëse do të ketë ndryshime të misionit të KFOR-it pas samitit të NATO-s

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka folur edhe për misionin e KFOR-it në Kosovë, pas samitit të NATO-s i cili u mbajt javën e shkuar.

Ka thënë se megjithatë, nuk e di nëse është diskutuar diçka që ka ndikim të veçantë për Kosovën, por thotë, se është folur edhe për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai, gjithashtu ka folur edhe për momentet e tij të fundit që i ka në Kosovë, gjithashtu edhe për pasardhësin e tij, Philip S. Kosnett.

KTV: Javën e shkuar u mbajt një samit i NATO-s dhe shumë spekuluan se mund të ketë ndryshime në aleancë. A mendoni se kjo mund të ketë ndikim ose mund të ketë ndonjë zhvillim të ri sa i përket angazhimit të NATO-s në trupat e KFOR-it në Kosovë?

Ambasadori Delawie: Unë kam qenë me NATO-n qysh moti. E mbështets NATO-n plotësisht. Nuk jam në dijeni që ka ndodhur diçka në samit që do të kishte ndikim të veçantë në Kosovën. Ishte një paragraf në komunikatën e fundit që foli për rëndësinë e KFOR-it dhe fliste për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi. KFOR-i është element thelbësor i paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Shtetet e Bashkuara janë kontribuuesi më i madh me trupa në KFOR, por mendoj se është shumë pozitive që janë 27 apo 28 vende që janë në këtë lojë, që kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin për të gjithë në Kosovë. Prandaj, jam plotësisht i përkushtuar ndaj KFOR-it. Para disa ditëve isha në Bondsteel për drekë me ushtarët. Ata janë shumë të lumtur që janë këtu. Janë të lumtur që mund të japin kontribut pozitiv sepse në shërbimin publik – dhe edhe unë jam shërbyes publik, ushtarët tanë janë shërbyes publik gjithashtu - ju përfitoni shumë kënaqësi kur e bëni botën vend më të mirë. Ata janë këtu për ta bërë këtë dhe unë jam shumë i lumtur që i mbështes.

KTV: Z. Ambasador, jeni pothuajse në fund të shërbimit tuaj në Kosovë, cila do të ishte gjëja e parë që do t’ia thonit të tjerëve nëse ju pyesin si ishte Kosova? Si ishte?

Ambasadori Delawie: Pasardhësi im është propozuar por ende duhet të konfirmohet nga Senati. Nuk jam shumë i sigurtë kur do të ndodhë kjo, por ende s’ia kam filluar t’i bëj gati valixhet. Kurdo që të largohem nga këtu, do të them të njëjtën gjë që e kam thënë qysh kur kam ardhur këtu. Që Kosova është vend i hatashëm. Që kosovarët janë të hatashëm. Që Kosova me të vërtetë e meriton shansin për të qenë vend si çdo tjetër. Është e rëndësishme që SHBA-ja dhe qytetarët e saj të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në çdo mënyrë të mundshme. Kam kaluar kohë të mrekullueshme gjatë pothuajse tri viteve të mia këtu. Jam i sigurt se do të vazhdojë të jetë e mrekullueshme gjersa jam ende këtu, dhe ju e dini se në Shtetet e Bashkuara është kjo dashuria jashtëzakonshme për Kosovën dhe popullin e saj. Mendoj se kjo është një pasuri. Kjo ashtu ndodhi; nuk është diçka që dikush e ka blerë; nuk ka pasur transaksion këtu, por është një pasuri e jashtëzakonshme për Kosovën që ta dijë se ka aq shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara që kanë qenë këtu gjatë viteve si pjesë e Ushtrisë së SHBA-ve, apo si pjesë e ambasadës, apo njerëz të biznesit. Dhe ata kthehen në Shtetet e Bashkuara dhe thonë “uau, çfarë vendi i rregulluar; Më vie shumë mirë që isha atrje.” Jam i sigurt që edhe unë do ta them këtë.


Delawie opozitës: Nëse s’i keni 61 vota për ta rrëzuar qeverinë po humbni kohë

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka thënë se nuk është punë e tij për të vlerësuar punën e një Qeverie.

Por, ka folur për kundërshtimet e opozitës ndaj Qeverisë Haradinaj dhe kërkesës së tyre për zgjedhje të reja.

Delawie, u ka drejtuar opozitës duke thënë se nëse s’i kanë 61 vota për ta rrëzuar qeverinë, “të folurit për zgjedhje të reja është humbje kohe”.

KTV: Janë bërë pothuajse dhjetë muaj prej se Kosova ka qeveri të re dhe kryeministër të ri. Cili është vlerësimi juaj i punës së kësaj qeverie të re?

Ambasadori Delawie: E dini, nuk është puna ime që publikisht ta vlerësoj punën e çfarëdo qeverie dhe me siguri ua kam thënë këtë edhe para disa viteve kur të tjerë ishin në qeveri. Prandaj, do t’i përmbahen atij qëndrimi.

KTV: Por, opozita po kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja. A është kjo diçka që do t’i bënte mirë Kosovës në këtë situatë?

Ambasadori Delawie: Nëse nuk i keni 61 vota për ta rrëzuar qeverinë, mendoj se të folurit për zgjedhje të reja është humbje kohe. E shterr energjinë politike që do të mund të përdorej për të bërë ndryshime pozitive. Mendoj se udhëheqja dhe suksesi vijnë duke punuar për ndryshime pozitive dhe përderisa nuk janë 61 vota për ta rrëzuar qeverinë, do të dëshiroja që njerëzit të përqendrohen se çka mund të bëjnë për ta bërë Kosovën vend më të mirë për të gjithë njerëzit.

KTV: Pra, opozita po humb kohë kot?

Ambasadori Delawie: Kjo është karakterizimi juaj, jo domosdoshmërisht e ndaj atë. Mendoj se njerëzit do të duhej të punojnë për ndryshime pozitive.

KTV: A po punohet mjaftueshëm për luftimin e korrupsionit në Kosovë? Ju dhe ambasada amerikane keni qenë të zëshëm dhe të përfshirë për të ndihmuar në luftimin e korrupsionit në Kosovë?

Ambasadori Delawie: Nuk ma merr mendja që do të më dëgjoni ndonjëherë duke thënë se është bërë punë e mjaftueshme në luftimin e korrupsionit. Është çështja më përcaktuese e së ardhmes së Kosovës dhe që të gjithë duhet të punojnë më me mund, përfshirë edhe mua. Nuk do të argumentoj se është një shkop magjik që mund ta zgjidhë këtë problem nesër veç duke e tundur atë. Për fat të keq, kjo është çështje me të cilën përballen pothuajse të gjitha vendet në botë. Disa vende janë më të suksesshme se të tjerat në përballjen me të, por mendoj se iu takon zyrtarëve publikë, qofshin të zgjedhur apo të emëruar, që ta fitojnë besimin e publikut dhe që të punojnë me mund për ta mbajtur atë besim të publikut. Ka mjaft sfida këtu, por ka gjëra që njerëzit mund të bëjnë. Ka gjëra që shoqëria civile mund t’i bëjë, mediat duke tërhequr vëmendjen për sjelljen e keqe, si dhe ka gjëra që politikanët mund t’i bëjnë. Diçka që politikanët mund të bëjnë këtë verë është që të votojnë për disa ligje për sundimin e ligjit që janë në Kuvend. Është ligji për përgjegjësinë disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët, është kodi i rishikuar penal dhe ligji për ndërmjetësim. Pra, të gjitha këto gjëra, si dhe të tjerat që i përmenda, së bashku do të ndihmojnë për ta trajtuar problemin e korrupsionit. Pra, ka gjëra që secili prej nesh mund t’i bëjë dhe shpresoj që qytetarët do të flasin me deputetët e tyre dhe t’ju thonë sa e rëndësishme është kjo çështje për ta, si dhe për t’i nxitur që të punojnë në këto ligjet kundër korrupsionit.

KTV: Dje, Komisioni Evropian e dha rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Mbetet punë për institucionet e tjera të BE-së, por njerëzit dhe politikanët po japin data kur mund të pritet liberalizimi i vizave duke thënë që mund të jetë fundi i këtij viti. A mendoni se kjo është realiste? E dimë që ju jeni SHBA, e jo BE-ja, por megjithatë nëse bën ta dëgjojmë analizën apo mendimin tuaj?

Ambasadori Delawie: Mendoj se është me rëndësi që të ndalem dhe ta përthith lajmin e mirë të djeshëm. Ai sigurisht se ishte lajm i mirë. Sigurisht që shpresoj të dëgjoj më shumë lajme të mira në muajt e ardhshëm. Nuk kam asnjë njohuri të posaçme rreth afateve kohore, prandaj nuk do të komentoj fare. Nuk është klubi im. Por, e di se nëse doni t’i bashkoheni një klubi ju duhet t’i përmbaheni rregullave të atij klubi. Mendoj se BE-ja e ka bërë shumë të qartë rëndësinë e masave të sundimit të ligjit për Kosovën dhe mendoj se do të jetë me rëndësi – siç e thashë para një minuti – që Kosova të ndërmarrë hapa pozitivë për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe mendoj se kjo është diçka në të cilën duhet të përqendrohen politikanët, deputetët, por edhe të tjerët. Kjo çështja e liberalizimit të vizave është edhe një arsye tjetër e hatashme, përveç që korrupsioni dhe sundimi i ligjit të jenë përcaktues të të ardhmes së Kosovës – është edhe një arsye pse njerëzit duhet të përqendrohen në atë se çka mund të bëjnë për ta përmirësuar sundimin e ligjit.


Delawie i quan për keqardhje kërcënimet që iu bënë pjesëtarëve serbë të FSK-së

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, në Rubikon ka folur për deputetët e Listës Serbe, të cilën po braktisin Qeverinë.

Ai ka thënë se kërkon që ata të jenë më seriozë dhe të punojnë më shumë në të mirë të komunitetit të tyre.

Delawie, gjithashtu ka folur edhe për FSK-në, dhe serbët që e braktisën atë.

KTV: Z. Ambasador, janë bërë disa muaj që kur Lista Serbe e ka braktisur qeverinë e Kosovës? Janë në njëfarë pozite të paqartë. Po shkojnë në ministri, por nuk po marrin pjesë në mbledhje të qeverisë. Si e vlerësoni këtë gjendje?

Ambasadori Delawie: Mendoj se është shumë me rëndësi për zyrtarët qeveritarë dhe deputetët e Listës Serbe t’iu shërbejnë votuesve të tyre. Mendoj se, siç thashë më parë, të gjithë duhet të punojnë për të mirën e qytetarëve të Kosovës, për të mirën e zgjedhësve të tyre. E kam vërejtur se deputetët e Listës Serbe kanë votuar për disa ligje - veçanërisht për ligjet e sundimit të ligjit për të cilat interesohem shumë - edhe gjatë asaj ngrirjes së tyre. Pra, kjo është pozitive. Por, nuk mendoj se dikush duhet të qëndrojë anash. Politikanët janë punësuar për ta bërë një punë dhe ata do të duhej ta bëjnë atë punë. Puna e tyre është që të kujdesen për zgjedhësit e tyre. Prandaj, sigurisht që do t’i nxisja deputetët e zyrtarët publikë të Listës Serbe që të jenë seriozë ndaj kësaj dhe që të punojnë për të mirën e komunitetit të tyre.

KTV: A po krijon qeveria kosovare hapësirë për ta për të punuar siç duhet brenda qeverisë së Kosovës apo a ka ndonjë pengesë që po i ndan ata anash?

Ambasadori Delawie: Nuk kam vërejtur probleme të njëmendta të krijuara nga komuniteti shumicë në qeveri. Mendoj se dera është e hapur për politikanët e Listës serbe për të marrë pjesë në qeveri dhe mendoj se është shumë me rëndësi për ta bërë këtë. Është vështirë për tu kujdesur për zgjedhësit tuaj nëse nuk jeni në tavolinë duke e bërë punën tuaj.

KTV: Beogradi është duke i shtyrë serbët e Kosovës që ta lënë Forcën e Sigurisë së Kosovës. Deri tash ka raporte se janë rreth 40 pjesëtarë serbë që e kanë lënë ose kanë kërkuar ta lënë Forcën e Sigurisë së Kosovës. Shumë analistë e konsiderojnë këtë si taktikë të Beogradit në këtë fazë të dialogut për ta sjellë në tryezën e negociatave formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës.

Ambasadori Delawie: SHBA-ja e mbështet FSK-në. E kemi bërë këtë për një kohë të gjatë. Ne shpenzojmë sasi të jashtëzakonshme të kohës duke iu ndihmuar në trajnimin e FSK-së dhe pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në – herën e fundit që kam kontrolluar shifrat – rreth 200 ngjarje të ndara me ne në vit. Dhe natyrisht, shtetet e tjera të NATO-s i trajnojnë po ashtu. Mendoj se është për të ardhur keq që ka pasur trysni të jashtme në pjesëtarët serbë të FSK-së. Këta njerëz po përpiqen t’i shërbejnë vendit të tyre; po përpiqen t’i shërbejnë komunitetit të tyre dhe kjo trysnia e jashtme, shantazhi, kërcënimet, ngacmimi i familjeve kur e kalojnë kufirin kanë qenë shumë negative për komunitetin e serbëve të Kosovës. Është për keqardhje. Në një shoqëri me të drejta të njeriut si Kosova, ju do të duhej të kenimundësi ta zgjedhni punëntuaj dhe mendoj se kjo është një lloj ndërhyrjeje në të drejtat e njeriut të këtyre personave. Jam shumë solidar me ta përballë trysnisë së cilës i janë nënshtruar këta pjesëtarë të FSK-së dhe ky lloj i ngucakeqjes që e kemi parë nuk kontribuon në atmosferën pozitive që do të duhet ta kemi për të arritur përparim në këtë dialogun për normalizim.

KTV: A është e mundur për të pasur dy zingjirë komandues në Armatën e Kosovës siç po kërkonte Beogradi?

Ambasadori Delawie: Kjo shkon pak përtej nivelit të njohurisë sime si civil. Mendoj se nëse e shikoni uebfaqen e FSK-së do ta shihni një studim që e ka bërë qeveria ime, Departamenti ynë i Mbrojtjes, një organizatë eksperte që është pjesë e Departamentit të Mbrojtjes me emrin DERI, e ka bërë para 3-4 viteve dhe shpalos një propozim të planit se si duhet të duket FSK-ja. Ky është qëndrimi ynë. Do të isha i befasuar nëse...Mendoj se është e sigurtë të thuhet se në organizatë ushtarake duhet të ketë një zingjir komandues që duhet t’i përgjigjet udhëheqjes civile dhe sigurisht kjo është mënyra e organizimit të ushtrisë sonë. Kjo është mënyra se si janë organizuar përgjithësisht ushtritë e shteteve anëtare të NATO-s dhe Kosova aspiron të bëhet pjesë e NATO-s një ditë. Do të prisja që organizatat e Kosovës të vazhdojnë të jenë në përputhje me mënyrën se si NATO-ja punon.


Dealwie heziton të flasë për vijat e kuqe

20:32 - Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka folur edhe për politikën e SHBA-së nga Kosovës.

Është për alarm ndryshimi i qëndrimit të prerë amerikan kundër opsionit të ndarjes së Kosovës. Prej përjashtimit absolut të “ndarjes” si opsion “i rrezikshëm” e deri te relativizmi i skajshëm i kësaj teme nën arsyetimin se “kjo iu mbetet palëve”. Delawie në Rubikon të KTV-së, heziton ta përsërisë vijat e kuqe amerikane për opsionin e ndarjes së Kosovës në dhjetor.

KTV: Janë bërë pothuajse tre vjet qysh keni ardhur në Kosovë. A keni vërejtur ndonjë ndryshim të politikës amerikane ndaj Kosovës dhe Ballkanit gjatë këtyre tri viteve prej fillimit deri tash kur po flasim?

Ambasadori Delawie:Njerëzit reagojnë ndaj ndryshimeve... Pra, ishte kjo marrëveshja e shkëlqyeshme ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, kështu që pozicioni ynë ndryshon kur ndryshojnë gjërat. I kremtojmë lajmet e mira si kjo. Sa i përket mbështetjes së SHBA-së ndaj Kosovës, nuk ndjej asnjë ndryshim. Përkushtimi ynë ndaj Kosovës ka qenë dypartiak qysh prej të 1990-ve dhe nuk kam asnjë shenjë nga administrata e re për çfarëdo ndryshimi në këtë qëndrim.

KTV: Por, deri tash, politika e SHBA-së ndaj Kosovës ka qenë: Kosova është e pavarur; sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës duhet të respektohet nga të gjitha palët; ndarja nuk do të diskutohet kurrë. Por, tash a po ngurroni që ta përsëritni këtë gjë?

Ambasadori Delawie: E dini, së pari, mbështetja amerikane për Kosovën, për pavarësinë e Kosovës është e palëkundur dhe do të vazhdojë. Pyetjet tjera që i shtruat ndërlidhen me cilat do të jenë elementet e ujdisë përfundimtare dhe prapë nuk do të hyj në to tani për arsyet që tashmë i përmenda.

KTV: Por, e përjashtoni ndarjen apo nuk po e përjashtoni atë?

Ambasadori Delawie: Po them: nuk do të flas për atë se çka një element i ujdisë përfundimtare mund të jetë. Nuk do të flas se kush mendoj do të duhej t’i prijë këtij diskutimi në Bruksel. Nuk do të flas për gjërat apo hollësitë se në ç’sallë duhet të ndodhë kjo apo për trajtën e tryezës. E veçanërisht, nëse i paraprijmë diskutimit që duhet vërtetë të ndodhë këtu dhe që duhet të ketë pjesëmarrje më të madhe nga partitë politike kosovare. Të gjithë duhet të hyjnë në lojë dhe të flasin për këto gjëra.

KTV: A do të thotë kjo se çdo ujdi që mund të arrihet ndërmejt Kosovës dhe Serbisë do të jetë në rregull për administratën e SHBA-së?

Ambasadori Delawie: Sërish nuk do t’i përgjigjem asaj pyetjeje. Kërkoj falje. Jeni shumë kreativ dhe po e shtroni pyetjen në disa mënyra të ndryshme, por sërish është e njëjta pyetje dhe nuk dua t’i mërzis shikuesit. Nuk do të hyj në elementet e ujdisë sot.

KTV: Por, ju iu keni përgjigjur këtyre lloj pyetjeve më përpara? Diçka ka ndryshuar.

Ambasadori Delawie: Sot, këtë javë, jam i përqendruar që t’i nxis partitë politike të Kosovës, politikanët kosovarë që të përpiqen që të bëhen bashkë dhe të punojnë në atë se cilat janë qëllimet e Kosovës. Mendoj se po i ngutim gjërat nëse flasim se çka do të ndodhë në fund të lojës. Kosova duhet ta gjejë se cilat janë qëllimet e saj; duhet të përpiqet që të arrijë një lloj konsensusi rreth atyre qëllimeve dhe këto janë gjërat në të cilat jam përqendruar tash për tash.

KTV: Nuk duhet të ketë vija të kuqe?

Ambasadori Delawie: Nuk mendoj se ndihmon njëmend që unë të flas shumë për vijat e kuqe. I takon Kosovës që ta gjejë cilat janë qëllimet e saj dhe mendoj se Kosova po përballet me një moment unik në historinë e saj kur mund të ndihmojë që të përcaktojë se si do të duket e ardhmja e saj, e ardhmja për fëmijët e saj dhe t’i lë anash nervozitetin, tensionin dhe kundërthënien që e kanë shquar marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë këtyre viteve të fundit. Mendoj se është me rëndësi që të përqendrohemi se si ta bëjmë të ardhmen më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, si dhe për qytetarët e Serbisë dhe për të gjetur mënyra për të ardhur te ai normalizim për të cilin kemi punuar qe një kohë të gjatë.


Delawie kërkon që edhe opozita të përfshihet në dialog

20:20 - Ambasadori amerikan në Kosovë, nuk ka komentuar shkuarjen e presidentit Hashim Thaçi në Bruksel, dhe kundërshtimet e opozitës. Ai ka dhënë një mesazh për të gjithë ata që flasin për dialogun Kosovë-Serbi. Ka thënë “hyni në lojë, merrni pjesë në diskutime, përpiquni të kuptoni çka dëshiron Kosova dhe si mund të kontribuoni në atë".

Delawie, gjithashtu nuk ka dashur të flasë nëse ndonjë ndryshim i territorit apo ndarje e Kosovës, si zgjidhje përfundimtare e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes të dyja palëve, sërish mund të dalë në tavolinë.

KTV: Partitë opozitare të Kosovës e shohin Thaçin si përgjegjës për keqbërjen gjatë këtyre shtatë viteve të dialogut dhe për këtë shkak nuk duan që ai të jetë kryesuesi i negociatave. A është e mundshme që të mos e kemi presidentin si kryenegociator?

Ambasadori Delawie: Siç e thashë, nuk do të hyj në çështjen “Kush”, por ...

KTV:Kush është personi...?

Ambasadori Delawie: Mendoj se Kush apo cilët njerëz është e rëndësishme, por nuk më takon mua ta them. Mendoj se të arrish përparim në botë ndodh kur njerëzit e gjejnë mënyrën për të thënë “Po”. Nuk është vetëm duke thënë “Jo” në mënyrë kreative. Mendoj se njerëzit duhet të hyjnë në lojë, që disi ta kuptojnë çka dëshiron Kosova dhe të marrin pjesë në diskutime, të marrin pjesë në metodën si të arrihet te ky ekip negociator – kushdo qoftë në të dhe kjo duhet të jetë... Kuptojini qëllimet, kuptojeni si do ta përfaqësoni vendin tuaj në këto diskutime dhe Kosova do të jetë në pozicion më të fuqishëm nëse më shumë njerëz luajnë në atë lojë.

KTV: Kohëve të fundit jeni takuar me udhëheqësit e partive opozitare. A iu keni kërkuar që t’i bashkohen ekipit negociator të Kosovës në bisedime me Serbinë?

Ambasadori Delawie: E kam thënë privatisht pothuajse të njëjtën gjë që po e them publikisht. Nuk po ju them: bashkojuni A-së apo bashkojuni B-së, po them: hyni në lojë, merrni pjesë në diskutime, përpiquni të kuptoni çka dëshiron Kosova dhe si mund të kontribuoni në atë.

KTV: Pra, është më mirë që t’i kemi të gjithë në ekip?

Ambasadori Delawie:Është sigurisht më mirë që të gjithë të jenë në ekip, realisht më shumë njerëz në ekip, më mirë.

KTV: A ka ndonjë afat kohor kur mund të pritet ndonjë lloj i përfundimit të dialogut?

Ambasadori Delawie:Nuk e di a ka afat kohor, por e di se mundësia nuk do të rrijë e hapur përgjithmonë. Në këtë çast ka energji rreth dialogut. Ka energji këtu në Prishtinë, ka energji në Beograd, ka energji në Bruksel, ka energji në Uashington D.C. Pra, mendoj se nëse shohim kah 2019-a, do të ketë zgjedhjet evropiane, askush nuk mund ta parashohë se si do të jetë rezultati i tyre, por e di se tani ka njerëz këtu, njerëz në Bruksel, në Uashington që duan të arrihet një ujdi. Që duan të arrijnë ndonjë lloj marrëveshje dhe që duan që ta vënë anash dhe ta finalizojnë këtë gjurmë të fundit të periudhës së luftërave në Ballkan. Dhe mendoj se është me rëndësi të shfrytëzohet kjo mundësi, kjo frymë për ndryshim kudo.

KTV: A është realiste të pritet që të kemi përfundim deri në fund të këtij viti apo në fillim të vitit të ardhsëm, siç po e përmendin disa?

Ambasadori Delawie: Në negociata kurrë nuk mund të thuhet se si do të shkojnë apo sa gjatë do të zgjasin. Jam marrë me to me dekada dhe nganjëherë gjërat ndodhin më shpejt se sa pritet e nganjëherë zgjasin shumë më shumë. Prandaj, të parashihet sa gjatë do të zgjasin është e pamundur në këtë çast, por e di se në fillim të këtij viti, BE-ja ka deklaruar se që Kosova dhe Serbia ta përmbushin dëshirën e tyre për t’iu bashkuar klubit të BE-së, këto vende duhet të vijnë te një lloj marrëveshje. Mendoj se kjo ofron një përparësi të shkëlqyeshme për negociata për Kosovën. Nuk do të marrë ujdi më të mirë se kjo. Nuk do të ketë levë më të madhe negociuese se kjo. Mendoj se është me rëndësi që të gjithë ta shfrytëzojnë këtë.

KTV: Në intervistën e mëparshme me juve kemi diskutuar se ka shumë ide që qarkullojnë se si duhet të duket zgjidhja përfundimtare e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shumë po thonë se ndoshta ndonjë ndryshim i territorit apo ndarje e Kosovës sërish mund të dalë sërish në tavolinë. Cili është qëndrimi i SHBA-së për këtë?

Ambasadori Delawie:Në këtë çast nuk do të hyj në atë se çka mund të jenë elemente të ujdisë. Mendoj se kjo nuk do të jetë shumë e dobishme, veçanërisht kur po mundohem t’i nxis njerëzit në Kosovë që disi ta marrin atë përgjegjësi dhe të marrin pjesë në diskutime. Pra, nuk do të them se kush mendoj se duhet të jetë në sallë, nuk do të flas për trajtën e tavolinës, nuk do të flas se cilat do të duhej të jenë elementet e marrëveshjes përfundimtare.

Mund të them, megjithatë, se politikanët e Kosovës, qytetarët e Kosovës janë plotësisht të aftë për t’i marrë vetë këto vendime për pozicionin negociues dhe SHBA-ja do të qëndrojë krah tyre përderisa flasin për këto gjëra. Mbështetje jonë për Kosovën është e qëndrueshme, e pandryshueshme dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dhe elementet se si do të mund të duket ujdia janë elemente që duhet të diskutohen më mirë nga njerëzit e Kosovës.


Delawie: Kosova duhet të gjejë se çka dëshiron të fitojë nga procesi i dialogut me Serbinë

Ambasadori amerikan Greg Delawie, në Rubikon të KTV-së, ka folur për zhvillimet e djeshme në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

KTV: Z. Ambasador, mirë se vini në Rubikon.

Ambasadori Delawie: Më vjen shumë mirë që jam këtu, Adriatik. Ju faleminderit shumë.

KTV: Dje në Bruksel u mbajt edhe një raund i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për herë të parë ishte një delegacion më i madh negociues nga Kosova. Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës, pas takimit me Vuçiqin tha se ky ishte takimi më i vështirë që e kanë pasur prej fillimit të dialogut. Çka mund prisni ju nga kjo e ashtuquajtura ‘fazë e fundit’?

Ambasadori Delawie:Të gjithë kemi punuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për një kohë të gjatë. Qeveria ime sigurisht se e ka mbështetur këtë për një kohë të gjatë. Mendoj se është pak herët që të kuptohet saktë çka të presim sepse mendoj se në Kosovë muajve të fundit ka pasur bisedime shumë të mira lidhur me ate se çka dëshiron Kosova të fitojë nga dialogu; cilat janë qëllimet e saj. Kjo është pozitive. Diskutimi i shtuar rreth të ardhmes së marrëdhënieve me Serbinë është shumë pozitiv. Por, mendoj se iu takon qytetarëve të Kosovës, politikanëve të Kosovës që të përpiqen të bëhen bashkë dhe të gjejnë se çka dëshiron Kosova të fitojë nga i gjithë ky proces. Cilat janë qëllimet e Kosovës? Dhe më me dëshirë ua lë këtë qytetarëve të Kosovës që të vendosin se sa që unë ta gjej çka është kjo apo t’ju them se cili mendoj se duhet të jetë pozicioni juaj.

KTV: A nuk e dimë të gjithë se çka do populli i Kosovës? Kosova ka shpallur pavarësinë. Së fundmie festuam 10 vjetorin e pavarësisë. Pra, qëllimi është që Serbia ta njohë këtë pavarësi.

Ambasadori Delawie: Mendoj se me gjasë ka më shumë këtu se veç kjo. Njerëzit duhet t’i kuptojnë se cilat janë qëllimet specifike; cilat janë qëllimet më të gjera dhe që të ndihmojnë në hartimin e pozicionit negociues. Natyrisht, shpresoj që të gjitha partitë politike do të marrin pjesë në këtë. Më erdhi mirë kur e pashë që të gjitha partitë qeverisëse u duk sikur shkuan së bashku në Bruksel dje për këto biseda me BE-në. Kjo ishte pozitive. Por, mendoj se duhet të ketë diskutim më të gjerë në Kosovë, konsultim më i gjerë i partive politike, jo vetëm i partive qeveritare. Mendoj se është me rëndësi për të gjithë që të jenë në lojë. Ndoshta është pak e tepërt të kërkohet konsensusi, por mendoj se diskutimet dhe qëllimet janë shumë të rëndësishme.

KTV: Çka mendoni me “të gjithë të jenë në lojë”? Që të kemi një ekip a delegacion më të madh negociues apo vetëm që të kemi konsensus mbi platformën? Sepse deri tash kemi parës se opozita po ngurron që ta shohë Thaçin si negociatorin kryesor. A duhet të ketë një ekip uniteti?

Ambasadori Delawie: Shihni, nuk do të them saktë se çka duhet të ndodhë sepse diçka e tillë duhet të zhvillohet në mënyrë organike në hapësirën politike të Kosovës. Sigurisht që mendoj se pozicioni i Kosovës në diskutime me Serbinë do të jetë më i mirë nëse partitë politike opozitare marrin pjesë në bisedime dhe punojnë në caktimin e qëllimeve të Kosovës. Sa i përket asaj se kush është në krye të kësaj për Kosovën, e dini, nuk më takon mua të vendosë apo edhe të rekomandoj “Kush”, si dhe mendoj se në këtë çast më e rëndësishme është Çka se sa Kush. Çka dëshiron Kosova të nxjerrë nga kjo; a munden partitë të pajtohen, ndoshta jo për gjithçka, por për disa gjëra që do të duhej të jenë elemente të pozicionit të Kosovës, dhe mendoj se të gjithë duhet të hyjnë në lojë. Partitë qeveritare duhet të vazhdojnë të përpiqen për të gjetur cili është pozicioni i tyre. Partitë opozitare do të duhej të jenë në këtë, gjithashtu. Kosova do të jetë në pozicion më të fuqishëm nëse të gjithë marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes rreth asaj se cilat do të duhej të jenë qëllimete Kosovës.