7 sekonda i janë dashur vrasësit për të ekzekutuar Boran Berçanën dhe bashkëjetuesen e tij Silvana Ndoci, në prezencë të fëmijës së tyre brenda në makinë. Videoja e siguruar nga gazetari investigativ Artan Hoxha dhe e publikuar nga Report Tv,  tregon momentet e ekzekutimit të ish-policit Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij Silvana Ndoci më 15 korrik në Shkodër.

Në video duket qartë që autori është një dhe i vetëm. Ai afrohet qetësisht, armën e mban të ulur në fillim dhe qëllon me dorën e majtë në anën e Bërçanës. Ish-polici ka tentuar të lëvizë makinën, por goditja ka qenë e menjëhershme.

Gazetari Artan Hoxha ka komentuar pamjet, teksa ka renditur disa detaje të cilat zbulohen sot në pamjet ekskluzive. Në video mund të dallohet se autori ka qëlluar me dorën e majtë, një specifikë që sipas Hoxhës dallon disa nga vrasësit profesionistë në vendin tonë. 

"Gjëja që bie në sy është që autori shkon qetësisht tek makina. Ngjarja ka ndodhur në një zonë të Shkodrës ku s’ka lëvizje. Autori e ka pritur mbi 1 orë viktimën.  Makina e autorëve është afër vendit ku ndodh atentati, të hyjë brenda banesës, Bërçana duhet të kalojë në një rrugicë. Kur hyn në rrugicë, polici s’ka asnjë mundësi të shmangë pritën, duke qenë se është kthesë, makina është në shpejtësi minimale. Aty është hyrja e apartamentit. Autori ka pritur dhe e ka dalluar makinën qartësisht. Ora është 1:30, 2:00 pas mesnate. Çdo lëvizje tërheq vëmendje dhe ai mund ta ketë parë autorin kur afrohet qetësisht nga pasqyra. Ai është afruar qetësisht, dhe ka marrë parasysh se Bërçana mund të kishte armë me vete. Ka patur dijeni dhe për kamerat. Nga informacionet e mia, kemi porositës, organizator dhe ekzekutor. Ka një kamerë tjetër që e ka prokuroria. Është një distancë më të afërt. Ka një kënd tjetër, makina është përpara. Autori qëllon me dorën e majtë, vrasësit profesionistë e dinë dhe e njohin njëri-tjetrit. Është mëngjarash, sapo afrohet, ka të dhëna të sakta se mjeti nuk është i blinduar. Është përdorur për herë të parë, automatiku MP5, prodhim gjerman. Ka qenë armë turke, imitim i prodhimit gjerman, për kujtesë është arme e njëjtë si ajo që bëri vrasjet në 21 janar.

Në vrasjen e Ziver Veizit u përdor një armë e tillë. Preferohet në distancë të shkurtër. Intensiteti i qitjeve është shumë i lartë", shpjegon Artan Hoxha.

Duke iu referuar lëvizjeve të autorit dhe viktimave, Hoxha tha se, Shkodra është një qytet i ndarë në zona kontrolli për shkak të grupeve rivale. Një e tillë ishte edhe zona ku jetonte me qira Borani e Silvana. Sipas tij, autori është kamufluar për të siguruar hyrjen në zonë, e pastaj për të kryer ekzekutimin. Hoxha thotë ndër të tjera se, duke u nisur nga mënyra se si e mbante armën, autori ka pasur qëllim t’i ekzekutojë të dy.

 

"Borani nuk e ka pritur që kishte të bënte me një ekzekutor. Nga ana tjetër, autori e ka ditur banesën, ka parë kamerat e sigurisë, është munduar t’ju fshihet atyre. Kjo banesë ndodhet në një lagje të Shkodrës që dihet qartësisht se kush e kontrollon. Janë ndryshe ata që e dinë se kush e kontrollin. Shkodra është e ndarë në zona kontrolli për shkak të grupeve rivale. Ata kanë ngritur një sistem sigurie, me kamera edhe njerëz që monitorojnë. Autori ka mundur të çajë në këtë lagje duke u kamufluar.  Autori ka pasur informacion me kë ishte i shoqëruar, Borani.  Po të dinte që kishte tre apo katër persona në makinë nuk mund ta kryente sulmin. Kapasur informacione të sakta që i vijnë para se të ndodhë ngjarja.  Dora e tij është shumë lart, pra, synon ti godasë të dy. Pse? E ka njohur edhe Silvanën? Ne këtë nuk e dimë", sqaron më tej gazetari investigativ.