LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Infrastrukturës mbi 1 milionë euro për projektet rrugore në Lipjan

Ministria e Infrastrukturës mbi 1 milionë euro për projektet rrugore në Lipjan

Ministria e Infrastrukturës, e përfaqësuar nga zëvendësministri Rexhep Kadriu me bashkëpunëtorë, të premten vizituan Lipjanin për t’u takuar me të parin e kësaj komune, Imri Ahmeti.

Përfaqësuesit e dy institucioneve në fjalë, nënshkruan memorandum bashkëpunimi për vitin 2018 dhe anekset e marrëveshjeve paraprake për disa projekte rrugore në Lipjan, që arrijnë shifrën 1,203,468 euro.


Nga memorandumi, do të financohet rruga përgjatë hekurudhës Gllogovc – Rubovc, ndërsa mjetet e tjera janë ndarë për vazhdimin e projekteve për rrugët Magurë – Blinaj, Vojnovc – Topliqan dhe Llugaxhi – Gadime.

Duke ndarë përgjegjësitë për dinamizimin dhe përshpejtimin e projekteve infrastrukturore, kryesisht asfaltimin e rrugëve të Lipjanit, zëvendësministri Kadriu deklaroi se Ministria e Infrastrukturës do të jetë e gatshme që në çdo kohë të ofrojë përkrahje dhe të shërbejë në të mirë të qytetarëve të Lipjanit.
Kadriu nën shoqërinë e Ahmetit, vizitoi edhe udhëkryqin e Janjevës, në magjistralen Prishtinë – Ferizaj (N2), për të cilin paralajmëroi rinisje të shpejtë të punimeve në ndërtimin e një rrethrrotullimi, që sipas kryetarit të Lipjanit është më se i nevojshëm.

Me rastin e kësaj vizite, zëvendësministri Kadriu dhe kryetari Ahmeti, vizituan edhe udhëkryqin ku pritet të bëhet rrethrrotullimi i rrugës nacionale N2 në Banullë, investim ky i Ministrisë së Infrastrukturës. /Telegrafi/