Nga: Vjollca Kongjoni*

U përurua dy ditë më parë nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, por linja e interkonjeksionit prej 400 kilovolt nuk është ende gati për të qenë operative. Nuk bëhet fjalë për anën teknike, pasi i gjithë rrjeti është përfunduar, por për pengesat ligjore që lidhen me marrëveshjet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat e pengojnë shkëmbimin e energjisë mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Burime qeveritare nga Kosova bëjnë me dije për Neës 24 se, teknikisht projekti është gati, por ligjërisht Serbia nuk e lejon Kosovën të ketë pavarësi në shkëmbimin e energjisë. Ky ngërç ligjor me Serbinë kërkon zgjidhje nga ENSO-E, Rrjeti Europian i Transmetimit. Kjo do të thotë se ky institucion duhet të njohë ndarjen e Sistemit të Transmetimit të Kosovës nga Sistemi i Transmetimit të Serbisë. E quajtur nga kryeministri Edi Rama si “Autostrada e energjisë”, linja u përurua këtë të martë në një ceremoni zyrtare në Kashar, ku i pranishëm në të ishte edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe u deklarua se që atë ditë mund të fillonte nga puna.

Por asnjë nga krerët e qeverive nuk foli për interferencat e Serbisë në këtë projekt strategjik. Ministria e Energjisë thotë për Neës 24 se, kjo cështje po diskutohet dhe pritet të gjejë zgjidhje gjatë dialogut që qeveria kosovare po zhvillon me atë serbe. Nga ana e Operatorit të Transmetimit të Energjisë së Kosovës (KSOTT) por edhe nga Operatori shqiptar i Transmetimit (OST) janë dërguar letra zyrtare tek ENSO-E dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, por s’ka asnjë përgjigje. E përfshirë në axhendën e takimit të Kryeministrave të Ballkanit që do të mbahet më 4 Korrik në Paris, ministria shqiptare e Energjisë shpreson që kjo çështje të marrë vëmendje. Linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë është financuar nga Banka Gjermane KfË dhe për pjesën shqiptare ka patur vlerën e 29 milionë eurove. Rrjeti ka një gjatësi totale 241.1 km, nga të cilat 151.1 shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km në territorin e Kosovës.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb