INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Sektori i arsimit u tkurr me 35% në tre dekadat e fundit

Sektori i arsimit u tkurr me 35% në tre dekadat e fundit

Publikuar më: 12:00 06-10-2018

Sektori i arsimit po përballet me një krizë të reflektuar në uljen e numrit të nxënësve, të mësuesve, tkurrjen e klasave si dhe mbylljen e shkollave. Një krahasim i bërë për arsimin në tre dekadat e fundit nxjerr në dritë faktin se tranzicioni ka tkurrur këtë sektor. Të dhënat e INSTAT tregojnë se sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 35% që nga viti 1990. Rënia e madhe e numrit të nxënësve, reduktimi i klasave dhe mbyllja e dhjetëra shkollave vjen si pasojë e rënies së numrit të lindjeve dhe emigrimit të familjeve shqiptare jashtë vendit. Gjatë periudhës 1991-2018, numri i nxënësve që ndjekin arsimin parauniversitar u tkurr me 35% ndërsa numri i mësuesve ra me 22%. Gjatë të njëjtës periudhë u mbyllën rreth 35% e shkollave kurse klasat u reduktuan me 70%. Rënia më e madhe është shënuar në arsimin 9-vjeçar, ku në bankat e shkollës këtë vit janë ulur 260 mijë nxënës më pak se në vitin 1991. Ulja e numrit të nxënësve po thellohet nga viti në vit. Kështu të dhënat e publikuara nga INSTAT zbulojnë se në vitin shkollor 2017-2018 numri i nxënësve dhe studentëve, shënoi një ulje prej 3,8 %, krahasuar me vitin shkollor 2016-2017. Arsimi 9-vjeçar regjistroi një ulje prej 2,5 %, ai parauniversitar 2,9 %, ndërsa numri total i studentëve të regjistruar shënoi një ulje prej 2,0 për qind në krahasim me 2016-2017.

Article Logic
Execution time: 0.0020818710327148