Faton Krasniqi, neonatolog - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Anomalitë e lindura dhe trajtimi në Kosovë

Anomalitë e lindura janë çrregullime te fëmija qoftë për shkak të faktorëve gjenetikë apo për shkak të faktorëve të jashtëm.

Ndodhë që anomalitë identifikohen gjatë shtatzënisë, por mund të identifikohen në lindje ose edhe më vonë.

Neonatologu Faton Krasniqi tregon për KALLXO.com  se këto defekte ndahen në grupe funksionale dhe strukturore.

Ai thotë se në shumicën e rasteve nuk dihet saktë se cilat janë shkaqet.

“Shkaqet e anomalive në 65 për qind të rasteve nuk dihen, ndërsa shkaqet tjera janë shkaktarët fizik, radiacioni, shkaktarët kimik, kimikalet si pesticide, mosha e nënës, rrezikshmëria është më e madhe për këta fëmijë, kushtet socio ekonomike, konkretisht mungesa e acidit folik ka ndikim të drejtpërdrejtë në paraqitjen e anomalive të sistemit nervor qendror si është spina bifida“, thotë neonatologu Krasniqi.

Sipas doktor Krasniqit anomalitë varësisht nga lloji i tyre edhe mund të trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me një intervenim kirurgjik, por ai thotë se ka prej tyre që nuk gjejnë trajtim në Kosovë.

“Diagnoza e anomalive të lindura te i porsalinduri bëhet në dy mënyra. Caktimi inuterus nga ana e gjinekologut dhe menjëherë pas lindjes, mund të identifikohen me ekzaminim ultrasonografik, mund të vërtetohen me disa teste që thirren skrening testi, si skrenin testi i and për fibrozë cistike dhe skrening testi për sindromën down dhe ka një test tjetër alfa feto proteinë i cila nëse është i ultë shkon në serumin e shtatzënës, shkon në favor të sindromës dawn. Nëse është e lartë shkon në favor të fibrozës cistike. Menjëherë pas lindjes bëhet ekzaminimi i plotë dhe vërehen në ekzaminim e sipër, perimetri i kokës te i porsalinduri është 33-38 cm dhe nëse është nën 33cm quhet mikrocefali ose kokë e vogël, nëse është mbi 38 është makrocefali anomali tjetër është edhe prania e ujit në sistemin ventikular që shoqërohet me spina bifida ose defekte të boshtit të kurrizit”, tregon doktor Krasniqi.

Së fundmi neonatologu Krasniqi ka qenë pjesë e një ekipi që e  kanë trajtuar një fëmijë të porsalindur të cilit  për shkak të një anomalie të lindur i ka kaluar qumështi në rrugët e frymëmarrjes në vend se në rrugët e tretjes duke e rrezikuar kështu nga ngulfatja.

“Kemi pas një fëmijë me atrezion të ezofagut me fistullë të dyfishtë që ka ndodhë kalimi nga rrugët në organet e tretjes në rrugët e frymëmarrjes dhe për pasojë ka manifestu pneumoni aspirative dhe me diagnostikimin e menjëhershëm dhe me punën e kirurgëve ai fëmijë është lëshuar në gjendje të mirë nga Klinika jonë”, thotë ai.

KALLXO.com ka raportuar disa herë se trajtimi i fëmijëve me sëmundje në zemër në Kosovë është jo i plotë, fëmijët duhet të kërkojnë trajtim jashtë vendit pasi që këtu mund të bëhet vetëm diagnostikimi e jo edhe trajtimi kirurgjik.

https://kallxo.com/shkurtohet-rruga-e-sherimit-te-femijeve-me-semundje-ne-zemer/

“Normalisht me i parandalu anomalitë duhet të bëhen vizita të rregullta te gjinekologu, bashkëpunimi i ngushtë mes tyre, analizat që kërkohen nga ata. Pastaj duhet krahas asaj ushqimi i shëndetshëm, shmangia e faktorëve të rrezikut sidomos në tre mujorin e parë largimi prej rrezatimeve të panevojshme, shmangia prej barnave kanë shumë rëndësi dhe marrja e acidit folik që zakonisht e preferojnë gjinekologët obstetër dhe në këtë mënyrë rriten shanset që të parandalohen anomalitë e lindura”, ka shpjeguar për KALLXO.com neonatologu Faton Krasniqi.