'Ura' hapi siparin e Festivalit të Teatrove në Ferizaj

Kultura October 22, 2018 - 10:05
Image

 

Të dielën që lamë pas ka nisur në qytetin e Ferizajt Festivali i Teatrove, i cili mbledh çdo vit trupa teatrale dhe publik nga të gjitha vendet shqipfolëse. Për një javë rresht, mes datave 21 dhe 28 tetor, po mbahet edicioni i 48-të i këtij festivali, i cili u hap këtë të diel me shfaqjen “Le Pont”/ “Ura”, tekst i shkrimtarit Ismail Kadare, i vënë në skenë nga Simon Pitaqaj. Në këtë shfaqje me rolet e tyre u paraqitën aktorët: Rexhep Mitrovica, Arben Bajraktaraj e Cinzia Menga, shkruan sot gazeta "Zëri".

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, drejtori i teatrit të qyteti të Ferizajt “Adriana”, Fatmir Hyseni, bëri të ditur se pas një pune intensive javëve të fundit janë gati të prezantojnë edicionin e 48-të të këtij festivali, që është njëri nga festivalet më të vjetra të teatrove në rajon. Hyseni tregoi se këtë të hënë në kuadër të këtij festivali në Ferizaj prezantohet shfaqja “Kur Hana del” nga Ben Apolloni, për të vijuar të martën me shfaqjen “Zoti i masakrës” nga Besfort Idrizi e të mërkurën me “Kasapi” të regjisorit Qazmendin Nuredini. E enjtja në teatrin e qytetit të Ferizajt “Adriana” është rezervuar për shfaqjen “Vetëvrasësi” nga Sulejman Rushiti, kurse të premten shfaqet “Ata që ikin” nga Kushtrim Bekteshi.

Të shtunën në Ferizaj jepet shfaqja “Gratë” nga Qëndrim Rijani, kurse Festivali i Teatrove mbyllet të dielën me shfaqjen “Im atë donte Adolfin” të regjisorit Ilir Bokshi. Biletat për shfaqjet që jepen në kuadër të këtij festivali janë në shtije që nga dita e premte. Ato mund të sigurohen në ambientet e Teatrit në Ferizaj.

Për gazetën “Zëri” Fatmir Hyseni bëri të ditur se edhe këtë vit në fund të Festivalit do të shpërblehen më të mirët. Janë gjithsej dhjetë çmime që do të ndahen e ato janë: “Skenografia më e mirë”, “Kostumografia më e mirë”, “Çmimi i gazetarëve ferizajas”, “Roli më i mirë episodik”, “Roli dytësor më i mirë” (femër), “Roli dytësor më i mirë” (mashkull), “Aktorja më e mirë” – çmimi “Adriana”, “Aktori më i mirë” – çmimi “Ismail Rama”, “Regjia më e mirë” dhe “Shfaqja më e mirë”. “Të gjitha çmimet e Festivalit do të kenë një vlerë monetare të caktuar, por shfaqja më e mirë e ka çekun në vlerë prej 1.000 (një mijë) eurosh, me synimin që çmimi kryesor të rritet për çdo vit”, theksoi drejtori Hyseni. Juria në këtë edicion të Festivalit përbëhet nga Fadil Hysaj, Blerta Rrustemi Neziraj dhe Nexhat Xhokli. Duke qenë se çdo vit ky festival tërheq një numër të madh vizitorësh, kur kemi parasysh edhe kapacitetin e teatrit të qytetit të Ferizajt “Adriana”, organizatorët kanë bërë thirrje që të gjithë të interesuarit të rezervojnë më herët biletat për shfaqjet që duan t’i shohin. “Të nderuar dashamirë të artit skenik, ju njoftojmë se për shkak të interesimit të madh për ndjekjen e Festivalit të Teatrove në Ferizaj dhe për shkak të numrit të kufizuar të ulëseve luteni që biletat t’i siguroni me kohë. Biletat janë në shitje që nga sot (19.10.2018) dhe mund të sigurohen në ambientet e teatrit. Për rezervim eventual dhe informacion më të hollësishëm kontaktoni në numrin e telefonit 044/121-306. Biletat ofrohen për ju nga ora 09:00-17:00. Biletat e rezervuara duhet të merren më së largu deri në orën 17:00. Pas kësaj ore ne nuk mbajmë përgjegjësi për biletën tuaj të rezervuar, meqë kërkesat janë shumë të mëdha. Ju faleminderit për mirëkuptimin tuaj dhe mirë se vini!”, thuhet në njoftimin e teatrit “Adriana”.

Buxheti i kufizuar vazhdon të jetë sfidë për organizatorët e këtij festivali. “Besoj se në të ardhmen do të këtë një përkrahje me statut të veçantë nga shteti, pasi që Festivali është më i vjetëri në rajon”, tha Hyseni. Përkrahëse kryesore e këtij festivali është Komuna e Ferizajt, përderisa për këtë edicion organizatorët janë ndihmuar edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit në Republikën e Kosovës, “Kultura për ndryshim”, që realizohet nga Qendra Multimedia e përkrahës të tjerë. Zëri