LAJMI I FUNDIT:

Organizohet Udhëtimi Familjarizues përgjatë rajonit ndërkufitar Kosovë – Shqipëri, synohet promovimi i kësaj pjese

Organizohet Udhëtimi Familjarizues përgjatë rajonit ndërkufitar Kosovë – Shqipëri, synohet promovimi i kësaj pjese

Nga data 19 deri më 21 tetor 2018, me nisje nga Deçani, është organizuar udhëtimi familjarizues përgjatë rajonit ndërkufitar Shqipëri – Kosovë, në atë që njihet si shtigjet e ecjes “Via Dinarica”.

 

Në këtë udhëtim familjarizues kanë marrë pjesë 5 përfaqësues të klubeve bjeshkatare nga Shqipëria dhe 5 përfaqësues të klubeve bjeshkatare nga Kosova, nën udhëheqjen e Fondi për Zhvillim Komunitar dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Qëllimi i këtij udhëtimi ka qenë që të lidhë Kosovën me Shqipërinë përmes një ofertë turistike të re, e njohur si shtegu i ecjes, që është duke u implementuar në kuadër të brendit të përbashkët “Via Dinarica”, e cila do të kontribuojë në valorizimin turistik të zonave malore ndërkufitare Shqipëri – Kosovë, e të cilat lidhen në mes vete, nga ana e Kosovës, përmes Qafës së Sylbicës (Rajoni i Bjeshkëve të Gjeravicës) – Zaplakë (Rajoni i Bjeshkëve të Rasës së Zogut), dhe nga ana e Shqipërisë përmes Padeshit – Gegajt – Morinës dhe Bajram Currit.

Më tutje ky shteg lidhet edhe me Rugovën (Komuna e Pejës) dhe me Malin e Zi.

Gjatë ditës se parë të udhëtimit familjarizues është realizuar ecja nga Gryka e Decanit, Bjeshkët e Junikut deri në Pllaqicë të Deçanit – Liqeni i Zemëres, në gjatësi deri 28 km. Shtegu është i projektuar në kuadër të projektit “zgjerimi i ‘Via Dinarica’ në rajonin ndërkufitar Shqipëri – Kosovë”.

Gjatë ecjes janë bërë xhirime dhe fotografi të peisazheve të bukura, të natyrës, liqenit dhe atraksioneve të tjera natyrore dhe kulturore.

Në ditën e dytë të udhëtimit familjarizues, nisja është bërë nga Gropa e Erenikut, duke vazhduar deri tek Qafa e Sylbicës dhe Rrasa e Zogit. Në këtë rrugëtim janë bërë xhirime dhe fotografi të peisazheve të bukura, të natyrës dhe atraksioneve të tjera natyrore dhe kulturore.

Gjatë ditës së tretë të këtij itinerari janë vizituar vendet e trashëgimisë kulturore në Junik, siç është kulla e qytetit të Junikut ’’Ramë Zymberi’, muzeu, si dhe teqja (vendi i shenjtë) në këtë komunë.

Njëkohësisht gjatë këtij udhëtimi është promovuar ushqimi tradicional me prodhime vendore në Kullen e ’’Ramë Zymberit’’, e cila njëherit ka shënuar edhe ditën e fundit të këtij aktiviteti.

Udhëtimi familjarizues “Via Dinarica” implementohet në kuadër të projektit ndërkufitar “Zgjerimi i Via DinaricA në Rajonin nderkufitar Shqipëri-Kosovë”.

Vlera e përgjithshme e projektit është 444 mijë e 684 euro, ku nga kjo shumë prej 377 mijë e 981 euro janë financuar nga Bashkimi Evropian (BE), apo 85 për qind e vlerës së përgjithshme të projektit në rajonin ndërkufitar Shqipëri – Kosovë.

Zbatimi i projektit filloi më 15 mars 2018 dhe do të zgjasë 24 muaj.

Ne mes tjerash, zbatimi i projektit ”Zgjerimi i ‘Via Dinarika’ në rajonin ndër-kufitar ‘Shqipëri – Kosovë”, ka për qëllim të forcojë vetëdijen për përfitimet ekonomike, mjedisore dhe sociale të këtij shtegu, si dhe rritjen e atraktiviteteve dhe konkurrencën e ofertës turistike të zonës ndërkufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, me qëllim të tërheqjes së vizitorëve nga tregjet vendore, ndërkombëtare dhe rajonale, veçanërisht në zonat malore dhe zonat ndërkufitare.

Për informata shtesë, mund ta kontaktoni Gramen Taraku, menaxher i projektit, në adresën e mëposhtme: gramen.taraku@kcdf.org dhe telefon: +377 (0) 44 219-408. /Telegrafi/