PIKANTE/ “O Ner Gega, pa mëshirë sot”, Partizani kërcënohet me gjobë për… të paftuarin nga ajri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2018 | 23:28

PIKANTE/ “O Ner Gega, pa mëshirë sot”, Partizani kërcënohet me gjobë për… të paftuarin nga ajri

Partizani-Luftëtari prodhoi pak nivel në fushën e lojës, por nuk munguan të papriturat dhe rastet interesante. “Panorama Sport” do të përcjellë disa raste pikante që nuk u panë gjatë në televizion.

partizani luftetari

-Pas përqafimit të dy trajnerëve para fillimit të ndeshjes, nga tribuna qendrore u dëgjua zëri i një tifozi ndaj teknikut të Partizanit: O Ner Gega, pa mëshirë sot! Duket qartë se tifozët nuk e harrojnë humbjen e para një viti, ku Luftëtari i turpëroi 5-0.

-Në minutën e petë, Liçaj ndërhyn gabimisht ndaj Trashit, por gjyqtari nuk e ndëshkon. Në këtë moment trajneri Gega, i revoltuar, u ka tërhequr vëmendjen gjyqtarëve, pasi ai i druhej ndonjë dëmtimi të mundshëm të lojtarëve të tij.

-Në minutën e 24-t mbi hapësirën ajrore të stadiumit shfaqet një parashutë që lart mban logon e “demave të kuq”, ndërsa poshtë emrin e Partizanit. Pas disa xhirove mbi stadium, parashuta e motorizuar ka bërë disa xhiro mbi hapësirën e kryeqytetit. Por, prania e parashutës ka ngjallur menjëherë reagimin e zyrtarëve të FSHF-së, të cilët telefonuan zyrtarë të klubit, duke u kërkuar llogari. Ndonëse ai ishte një veprim individual i një tifozi dhe jo i klubit, për të paftuarin nga ajri mësohet se federata i ka kërcënuar me gjobë të kuqtë.

Partizani

-Në minutën e 82-të Telushi në tentativë për të ndalur një top, i ndërhyn gjyqtarit Cjapi, duke rrëzuar në fushë. Kjo ndërhyrje pa dashje solli ilaritet dhe të qeshura në stadium.

-Trajneri Gega nuk u pajtua me tërheqjen e ekipit në minutat e fundit dhe me zë të lartë u tërhoqi vëmendjen lojtarëve që të mos rrezikonin, por të dilnin përpara.

-Veprimi i Trashit, që ndaj Luftëtarit mbajti shiritin e kapitenit, e prishi disi atmosferën e fitores në kampin e kuq. Sapo arbitri i ra bilbilit, në mënyrë të papritur Trashi ka hyrë me shpejtësi dhe i nervozuar në dhomat e zhveshjes, dhe nuk iu bashkua skuadrës te përshëndetja e tifozëve. Po me aq nxitim Trashi u largua edhe nga dhomat e zhveshjes dhe me veprimin e tij habiti edhe drejtorin Rama, që iu vu nga pas, por nuk e ndaloi vrullin e lojtarit. Për këtë shpërthim të Trashit u pyet pas ndeshjes trajneri Gega, i cili u shpreh: “Nuk e di pse u largua. Nuk kam folur ende me askënd. Nuk besoj se ka diçka mes Trashit dhe askujt. Ndoshta nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e tij në minutat e fundit, pasi pretendon më tepër, do të kontrollojë më tepër dhe kaq. Mos kishte të bënte me pozicionin? Nuk besoj se ka pasur lidhje me pozicionin, pasi ishte i lirë, u morëm vesh. Ai duhet të shkonte në të djathtë, prej aty mund të rrezikonte. E rëndësishme është që u arrit qëllimi dhe grupi është në rregull”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"