Foto: Facebook

Allegri: Duhet të luajmë mirë taktikisht ndaj Manchesterit

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka folur në konferencë për media para ndeshjes së nesërme ndërmjet Manchester Unitedit dhe Juventusit. Ndeshje kjo që zhvillohet në kuadër të grupeve në Ligën e Kampionëve.

Allegri ka thurur elozhe për Manchester Unitedin, duke thënë se janë krijuar për të fituar dhe se nesër skuadra e tij duhet të fokusohet tek ndeshja.

“Manchester United është ekip i fortë, i krijuar për të fituar. Kurse, ne duhet të jemi me mendje tek ndeshja, e jo sikurse të shtunën ndaj Genoas. Nesër takohen dy ekipe të fuqishme edhe me futbollistë të rinj. Ne kemi Dybalan, Bernardeschin, Cancelon, Bentancur, Sandro e shumë të tjerë që do të jenë e ardhmja e futbollit”, ka thënë Massimiliano Allegri.

Trajneri i ‘zonjës së vjetër’ ka thënë se skuadra e tij nesër duhet të luaj një ndeshje të rrjedhshme dhe të kenë kujdes me mbajtjen e topit.

“Nesër duhet të zhvillojmë ndeshje të rrjedhshme. Duhet të jemi të kujdesshëm në pronë me topin. Manchester United do të ketë përparësi në lojën në ajër. Në rast të fitores, do ta kemi pothuajse të sigurt kualifikimin. Manchester United është ekip fizik, duhet të luajmë mirë taktikisht përndryshe mund të kemi probleme”, ka potencuar italiani.

Ndeshja ndërmjet Manchester Unitedit dhe Juventusit, zhvillohet nesër nga ora 21:00.