Rruga e vdekjes. Kështu ka marrë epitetin rruga rajonale Podujevë- Kërpimeh, ndryshe e quajtur ‘Brigadat’. Të paktën kështu po e konsiderojnë banorët e fshatit Peran, fshat ky i cili gjendet në kilometrin e dytë në veri të kësaj komune, shkruan Gazeta Blic.

Për 7 vite, aksidentet në këtë rrugë, morën jetën e hiç më pak se 7 personave. Rasti më i freskët është ai i të hënës mbrëma.Besim Mehanja (42 vjeç) që ishte duke ecur me të shoqen trotuarit për të shkuar në një vizitë familjare, u përplasën në trotuar nga një veturë e tipit ‘Golf V’ të cilën po e voziste një 21 vjeçar.

Rasti ndodhi rreth orës 19:00. Plagë të rënda ka marrë edhe gruaja e Besimit (emër i njohur për redaksinë) e cila tashmë është duke marrë tretman mjekësor.

E familjarët, tashmë të ndjerit, kanë hapur të pamet për të birin e tyre. Gazetari i Gazetës Blic ka qëndruar në shtëpinë e viktimës ku numër i madh i miqve të Besimit e qytetarë të tjerë vinin për të ngushëlluar familjen Mehanja. Të prekur nga rasti, familjarët nuk dëshiruan që të flasin edhe gjatë për Gazetën Blic.“Kanë dalë për vizitë, po nuk u kthyen qysh edhe dulen prej shpisë” tha njëri nga të afërmit e të ndjerit.

Besimi i cili pas vetes ka lënë dy djem, është varrosur dje në ora 15:00. Por, pas vetes ka lënë edhe gruan për të cilën familjarët kanë frikë se edhe ajo mund ta ketë fatin e të birit të tyre. Luten që ajo të kthehet afër fëmijëve që më shumë se kurrë kanë nevojë për të.“Jem ka lutemi që t’paktën gruja e tij t’kthehet gjallë n’shpi ngat fmive t’vet”, tha ky i afërm.

Për këtë rast, një 21 vjeçar është arrestuar i cili, sipas Policisë së Kosovës nuk kishte edhe patentë shofer. Mirëpo, historia e kësaj rruge nuk ka përfunduar me kaq.

Gjatë vitit të kaluar në këtë fshat, si pasojë e aksidentit ka vdekur edhe Afrim Zeneli. Ai në veturë ishte me tre fëmijët e tij. Dy prej tyre patën marrë lëndime të lehta, derisa djali i madh pati thyer këmbën.

Afrimi në momentin e aksidentit ishte me veturë të tipit “Golf 2” duke u kthyer në shtëpi, teksa kishte qenë në një vizitë tek disa të afërm të tij. Ai pas vetes ka lënë katër fëmijë. Por, viti 2013 në këto 7 vitet e fundit ishte më fatali.

Në këtë fshat të vogël, vdiqën 3 persona. Dy djemtë e vetëm të familjes Hasani nga Bradashi i Podujevës humbën jetën si pasojë e një aksidenti.Në këtë aksident ishte përfshirë, Sabri Ferati pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Ai një vit pas aksidentit ishte dënuar me 6 vite burg. Ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Dega në Podujevë pasi me veturë zyrtare kishte shkaktuar aksident në komunikacion, si pasojë e të cilit humbën jetën Sokol e Mujë Hasani.

Në shenjë respekti, babi i dy djemve, Fehmiu, në vendin e ngjarjes ka ngritur edhe një pllakë përkujtimore. “Me respekt familja Hasani” mban mbishkrimin kjo pllakë.

Në po të njëjtin vit, kjo rrogë ia morri jetën edhe vogëlushit, Anuar Potokut.

Një vit para, rruga e “përgjakur” morri jetën edhe të dy të moshuarve të tjerë. Më 2012 për vdekje u aksidentuan edhe çifti, Vesel e Zyhra Halimi. Por, përveç aksidenteve me fatalitet, kjo rrugë ka pasur edhe numër të madh të aksidenteve të cilat kanë përfunduar me lëndime trupore. Sipas statistikave në vetëm 10 vitet e fundit në këtë vend kanë ndodhur rreth 200 aksidente.