Ramush Haradinaj: Po rreshtohemi në paqe!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjithë fjalimin e tij në ceremoninë e tranzicionit të FSK-së në ushtri e përqendroi në rreshtimin ushtarak.

“Rreshti për ne ka qenë i mohuar. Qe mijëra vjet të gjithë të tjerët janë bërë rresht, vetëm në na është mohuar”, tha Haradinaj para pjesëmarrësve në ceremoni.

“Jemi bërë rresht në ushtritë e botës, por në rtreshtin tonë po mbërrijmë të fundit. Ne nuk sjellim asnjë turp për veten dhe kombin tonë”, tha ai.

“Jemi të fundit që po rreshtohemi në ushtri të paqes por po vijmë në paqe. Nuk mund të na largojë më kush nga rreshti i paqes”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Ai tha se ushtria e Kosovës do të jetë e lidhur me Amerikën në çdo fazë të zhvillimit të saj.

“Amerika i prin rreshtit të paqes në botë dhe ne e kemi për nder të rreshtohemi edhe si popull edhe si ushtri pas Amerikës”, tha ai.

“Ushtarët tanë sot janë shumë të gëzuar. Besoni, sot janë gëzuar edhe varret edhe të gjallët. Sot janë gëzuar edhe ushtarët e Ibrahim Rugovës por edhe ushtarët e Adem Jasharit”, tha ai.

Haradinaj pati një porosi edhe për serbët e Kosovës.

“Serbët si në jug si ne vëri janë njerëz të këtij vendi. Ata një ditë kanë me shërby në këtë ushtri”, tha Haradinaj.

“I ftojmë në partneritet për paqe të gjitha ushtritë e rajonit. Dëshirojmë të kemi paqe edhe me Serbinë”, tha Haradinaj.

Më herët, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi sot nga forcat politike të Kosovë që unitetin e treguar sot në Kuvend në votimin e ligjeve për transformimin e FSK-së ta tregojnë edhe në të ardhmen.

“Të bashkuar do të jemi më të fuqishëm dhe do të marrim vendime më të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës”, tha Thaçi në ceremoninë solemne të tranzicionit të FSK-së në ushtri, që po mbahet në atë që prej sot quhet Ministri e Mbrojtjes.

“E gëzofshim Ushtrinë e Kosovës, ne dhe gjeneratat që do të vijnë”, tha Thaçi.

“Sot përmbyllëm një proces të nisur para shumë vitesh, rreth tri dekada. Bëmë një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes së shtetësisë sonë”, shtoi ai.

Thaçi tha se kjo e arritur është meritë para së gjithash e çdo pjesëtari të FSK.

“Falë kësaj pune është bërë e mundur që të ecim përpara drejt zgjerimit të mandatit të FSK që të bëhet ushtri e Kosovës. Por Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është vetëm ushtri, ajo është kthyer në institucionin më të besueshëm dhe më të respektuar në Kosovë, është bërë institucioni që më së miri paraqet vlerat e shoqërisë sonë”, tha ai.

“Transformimi do të bëhet në koordinim me NATO-n”, tha Thaçi.

Në Prishtinë është duke u mbajtur ceremonia solemne në të cilën do të shënohet tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, pas votimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës.

KALLXO.com është duke e transmetuar drejtpërdrejt këtë ceremoni.