VIDEO/ Në përgjim nga Policia, si u kap tregtari i minave, 2.000 euro për…

Dec 16, 2018 | 20:55
SHPËRNDAJE

LEZHË/ ELVIS HILA

Do të shiste katër mina me telekomandë në Lezhë për 8 mijë euro, arrestohet në flagrancë 52- vjeçari në Elbasani.

Një operacion Policie në Lezhë është finalizuar me sekuestrimin e 4 minave me telekomandë dhe të 130 gramëve heroinë, ndërsa në pranga si posedues i tyre ra Ali Novi, 52 vjeç, banues në Elbasan.

Ai u prangos në qendër të qytetit të Lezhës, ndërsa minat i kishte fshehur brenda një çante sportive, bashkë me sasinë e heroinës. Operacioni “Trotyl” u organizua nga Sektori për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë. Ndalimi i 52- vjeçarit erdhi pas mbajtjes së tij në përgjim, gjë e cila çoi dhe arrestimin në flagrancë.

a

Nga ana tjetër, pavarësisht se Policia dhe Prokuroria pretendojnë se kanë mbajtur në përgjim për disa ditë 52- vjeçarin, nuk kanë arritur dot të zbulojnë personin që kishte porositur minat me shpërthim të telekomanduar. Sipas të dhënave, destinacioni i minave ishte qyteti i Lezhës, ndërsa vetë i ndaluari nuk ka pranuar që të japë të dhëna mbi aktivitetin e tij kriminal dhe se cili do të ishte blerësi.

b

Nga ana tjetër, mësohet se 52-vjeçari nga Elbasani shiste një minë për një çmim që varionte nga 1500 deri në 2000 euro. Grupi hetimor vijon hetimet për të zbuluar origjinën e minave që kishte për shitje Ali Novi, të cilat më pas do të përdoreshin për atentate.

52- vjeçari, sipas Policisë, rezulton të jetë i dënuar edhe më parë, pasi është kapur nga Policia duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

c

“Operacioni i koduar ‘Trotyl’ goditi një tjetër rast të tentativës për trafikim të minave me telekomandë. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A.N. 52 vjeç, banues në Elbasan (i dënuar më parë). Në qytet Lezhë u kap me çantën sportive, brenda së cilës kishte fshehur 4 mina për shpërthim të telekomanduar nëpërmjet celularit, si dhe një sasi prej 130 gramësh lënde e dyshuar narkotike e fortë, heroinë”, bën të ditur Policia e Lezhës.

Ndaj Ali Novit rëndojnë dy vepra penale, “Trafikim i lëndëve plasëse” dhe “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, duke rrezikuar një dënim të rëndë.

Çështja i ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për hetime të mëtejshme dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gjatë viteve të fundit, atentatet me tritol apo mina të telekomanduara janë kthyer në një prej formave më të përdorura për eliminimin e personave. Kjo mënyrë është përdorur në rastet e vrasjeve për hakmarrje, konflikte për pazaret e drogës, por edhe për vrasjen e personave me pushtet, siç ishte rasti i vrasjes së gjyqtarit në Vlorës, Skerdilajd Konomi, ngjarje e ndodhur në qytetin bregdetar.

12 MINA TË SEKUESTRUARA

Gjatë këtij viti, Policia e Lezhës ka goditur 3 raste të tjera të trafikimit të minave me telekomandë, duke arrestuar në flagrancë dhe poseduesit e tyre. Më 11 maj, nga Policia u sekuestruan 6 mina me telekomandë, ndërsa u arrestua një 46-vjeçari nga Tirana, Eduart Sinanaj. Më 24 qershor, një 36-vjeçar po nga Tirana u arrestua, pasi u kap me dy mina me telekomandë. Fatjon Llanaj u kap me një motor pa targë, ku në një çantë kishte të fshehur 2 mina me telekomandë. Më 30 shtator, u arrestua Endrit Vejsiu, të cilit iu gjetën të fshehura në makinë 4 mina me telekomandë, të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura