193 milionë euro për asfalt

Prishtinë | 17 Dhj 2018 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Në projektbuxhetin e vitit 2019 për infrastrukturë rrugore janë paraparë të shpenzohen 193 milionë euro dhe nga kjo shumë vetëm për ndërtim të autostradave të reja janë paraparë të harxhohen 78 milionë euro. Sipas projektbuxhetit, që po kontestohet nga opozita, të hyrat gjatë vitit 2019 janë parashikuar të jenë 1 miliard e 949 milionë euro, ndërsa shpenzimet 2 miliardë e 365 milionë euro, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Hiç më pak se 193 milionë euro janë paraparë të shpenzohen gjatë vitit 2019 vetëm për ndërtim të rrugëve të reja dhe të atyre që kanë nisur nga vitet e kaluara, siç është ndërtimi i autostradës e cila lidh Prishtinën me Shkupin, si dhe autostradës së re e cila lidh Gjilanin me Konçulin.

Në projektbuxhetin e vitit 2019, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri” e i cili po kontestohet ashpër nga paritë opozitare në Kuvendin e Kosovës, shihet se nga shuma prej 193 milionë eurosh vetëm për ndërtim të autostradave janë paraparë të shpenzohen 78 milionë euro dhe vlera prej 38 milionë eurosh do të financohet nga buxheti i shtetit, ndërsa prej 40 milionë eurosh nga mjetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Më tutje, në projektbuxhetin e vitit 2019 thuhet se për projektin “Zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës magjistrale Prishtinë – Mitrovicë” gjatë vitit 2019 janë paraparë të shpenzohen 23 milionë euro nga huamarrja, si dhe 3.1 milionë euro nga buxheti i Kosovës. Po ashtu edhe për projektin tjetër “Zgjerimi i rrugës Komoran – Drenas – Skenderaj” sipas projektbuxhetit gjatë vitit që vjen janë paraparë të shpenzohen 3.5 milionë euro para të buxhetit të Kosovës, si dhe 5.5 milionë euro të hyra nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Edhe për projektin tjetër “Zgjerimi i rrugës Dollc – Gjakovë” nga buxheti i Kosovës janë paraparë të shpenzohen 3 milionë euro, ndërsa nga AKP-ja edhe 5 milionë euro të tjera. Gjithnjë duke u bazuar në projektbuxhetin e vitit 2019 shihet se për realizimin e projektit “Rehabilitimi i rrugës rajonale Zhur – Dragash – Brod” vetëm gjatë vitit 2019 janë paraparë të shpenzohen 1.4 milion euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme