Policia flet për gjendjen e të lënduarve nga shpërthimi në Ratkoc

E plotësuar, 21:25

Policia e Kosovës bën të ditur se 9 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor në spitalin e Gjakovës, si pasojë e shpërthimit që ndodhi sonte në një lokal në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj, tha për KALLXO.com se të 9 të lënduarit janë duke u mbajtur në trajtim mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për  jetë.

Një shpërthim i madh ka ndodhur sonte në mbrëmje në një lokal në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës tha se sonte rreth orës 18:55, stacioni policor në Rahovec ka pranuar një informatë përmes telefonit se në fshatin Ratkoc në një lokal (qebaptore) “Te Dollari” ka ndodhur një shpërthim që dyshohet të jetë nga bombola e gazit.

“Nga ky shpërthim dyshohet se janë lënduar disa persona (rreth 10 persona të cilët janë dërguar në spitalin rajonal në Gjakovë). Patrullat policore menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes, kanë bërë sigurimin e vendit. Mbi gjendjen e personave të lënduar ende nuk kemi informata te hollësishme”, tha Lirije Podrimaj, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Gjakovës.