Filmi 'Rreze' që rrëfen luftën nga sytë e fëmijës

Kultura January 19, 2019 - 08:35
Lexo tjera detaje
Image

Inspiruar nga ditari i Rreze Abdullahut, vogëlushes e cila ishte 9 vjeçare në luftën e vitit 1999 në Kosovë që u botua në vitin 2013 si libër, regjisorja e re Lorena Sopi ka realizuar filmin e saj të shkurtër me titull “Rreze”. Në një intervistë për gazetën “Zëri” regjisorja Sopi, që aktualisht studion për film në Kanada, tregon pse vendosi të ekranizoi “Ana Frankun” e Kosovës.Në rolet kryesore në këtë film paraqiten Agron Shala, Glorioza Shala dhe Aurita Agushi, shkruan Gazeta "Zëri".

Si erdhi deri tek realizimi i filmit “Rreze”?

Sikurse besoj e dini, Rreze Abdullahu  ka qenë një vogëlushe nëntëvjeçare gjatë kohës së luftës në Kosovë. Pak ditë para ditëlindjes së saj, forcat ushtarake ia djegin shtëpinë. Pikërsiht në ditëlindjen e nëntë, ajo vendos të fillojë të shkruajë një ditar lufte. Ai ditar i humbur gjatë ikjeve, është rigjetur te njëe aferme e saj disa vjet pas përfundimit të luftës. Ditari është tepër i veçantë, meqenëse lufta me të gjitha dimensionet e tmerreve, shihet  nga sytë e  një fëmiju. Qysh nga momentet kur ajo njeh frikën dhe dëshirën e pamasë  për të jetuar. Ajo në ditlindjen e saj të nëntë, vije te ushtari i cili bënë roje dhe i tregon se e ka ditëlindjen, se nuk do ta festoj, as nuk do dhuratë, por vetëm nuk do që të vdes. Ushtari serb fillon të qaj. Ajo befasohet se si edhe ushtarët serb qajnë…Unë kam qenë e mrekulluar me këtë ditar qysh ditën që e kam lexuar. Kam dashur shumë që këtë ditar ta bëjë film të metrazhit të gjatë. Por, përvoja ime modeste në lëminë e kinematografisë dhe pamundësitë financiare, më kanë detyruar që të përcaktohem për ta realizuar vetëm një ditë nga ditari, pra ditëlindjen e nëntë të Rreze Abdullahut, si film të shkurtër..

Çka ju ka inspiruar per ta bërë skenar këtë ditar? Cili ishte frymëzimi prapa skenarit tuaj?

Vështirë se mund të filtet për inspirimin në këtë rast. Ka qenë një lloj emocioni i thellë që më ka zënë frymën derisa e kam lexuar për herë të parë. Kam imagjinuar dhe ëndërruar veten time në vend të saj. Por unë kam qenë vetëm dy vjeçare gjatë periudhës së luftës dhe gjithçka më kujtohet si një botë jo-reale, gadi e paqenë, shumë e mjegullt dhe shumë e dhimbëshme. E mbaj mend vetëm një rast kur ushtarët kanë ndarë babain tim nga kolona e refugjatëve dhe e kanënisur bashkë me disa burra në drejtim të kundërt. Atëhere kam nxjerr fjalën e parë të jetës sime: Babiiii! (sipas asaj që më ka treguar mami më pastaj). Ndoshta edhe portat e para për ta njohur jetën më janë hapur në luftë, prandaj ka ndodhë kjo lloj afërsie me “Ditarin e Rreze Abdullahut”.

Ky ditar ka refleksione të thella dhe shumë emocion, por meqenëse është shkruar nga një fëmijë, nuk ka asnjë lloj animi, as urrejtje, as mënie – ka veç emocion të pastër si loti, thënë thjesht – ekstrakt arti. Sa për informacion, në filmin tim “Rreze”  e gjithë ngjarja (në veçanti dialogu) është real, i shkruar nga Rreze Abdullahu. Unë nuk ia kam ndërruar as edhe një fjalë të vetme. Kam dashur të flas me gjuhën e asaj vogëlushe të sinqertë të asaj kohe, e cila si dhuratë të vetme e donte jetën. Unë kam shkruar vetëm një koment të fundit, kur Rreze Abdullahu pas 18 viteve, kthehet në gërmadhat e shtëpisë së saj të djegur. Kthehet, duke mbajtur fotografinë e një fëmije refugjatë sirian të mbytur në një plazh të Evropës, kthehet e dëshpruar me realitetin, se bota nuk është bërë ashtu sikur ajo e ëndërronte, në ditëlindjen e nëntë kur nuk donte të vdiste.

Cila ishte pjesa më sfiduese e realizimit të filmi “Rreze’?

Është pjesa e xhiruar në tendën e najlonit. Eshtë pjesa kur familja i lë një lloj porosie (amaneti) xhaxhait në Zvicër. Një xhirim i fshehtë i cili ndoshta do të ishte fjala e fundit. Diçka që do të dëshmonte se Rrezja dikur ka jetuar. Ideja ime ka qenë që këtë pjesë ta xhiroj gjatë një lëvizje (rrëshqitje) të gjatë dhe të padiktueshme. Sikur të gjirohej nga një juksta-pozicion (pikëshikim) i një shpirti të padukshëm. I një shpirti që padiktueshëm rrëshqet drejt territ, drejt humnerës. Për shkaqe materiale nuk kam mundur ta sajoj një tendë më të madhe që do të ma lejonte këtë mënyrë të xhirimit. Poashtu nuk kam mundur të siguroj ekipin edhe për një ditë më tepër xhirimi. Kjo është ajo pjesa sfiduese të cilën e kam ndryshuar dhe thjeshtësuar qëllimisht, nga pamundësitë, dhe që më ka ngelur peng në zemër.

Filmi “Rreze” ka qenë edhe pjesë e  Cannes Film Festival.  Për juve si regjisore e re, sa ishte i rëndësishëm prezantimi në një festival të tillë?

Isha shumë e nderuar padyshim. Për botkuptimet e mia, Cannes Film Festival, është ngjarja më e rëndësishme i kinematografisë botërore. Të jesh pjesë e kësaj ngjarje, qoftë edhe në formë periferike /Short Film Corner/, megjithate është privilegj. Por filmi “Rreze” ka qenë pjesë e disa festivaleve të rëndësishme, si Verona International Film Festival, Festival Film International Signes de Nuit  -  Paris, pastaj  European Short Film Festival - Barcelonë, Salreno International Film Festival – Salerno. i cili është festivali i dytë /pas Venedikut/ më i vjetri në botë, Canada Short Film Festival, e shumë të tjerë. Filmi “Rreze” nga më shumë se 15 festivale në të cilat ka qenë pjesë, deri më tani ka fituar 6 çmime ndërkombëtare. Në muajit e ardhshëm filmi “Rreze” do të shfaqet në San Francisco, Londër, Pekin, Los Angeles, etj.

A keni qenë gjithëherë e interesuar të merreni me kinematografi?

Në rininë e hershme kam qenë e interesuar për lojën (artin më të vjetër). Kam qenë balerinë në Baletin Nacional të Kosovës për tre vjet. Kur vendosa të studjoj, kisha një rrëmujë të paimagjinueshme në kokë. Kisha shumë hezitime për udhën që do ta zgjedh. Kisha në kokë, njëbotë fotografish të koklavitura, një botë shumë të veçant për të cilën mendoja se  ishte ekskluzivisht e imja, por të cilën kisha shumë dëshirë ta ndaj me të tjerët. Ndoshta ky ishte edhe momenti vendimtar që unë e lash baletin, e lashë edhe shkencën (kam qenë matematicientja më e mirë në shkollën time dhe kam dashur të studjoj Matematikën). U përcaktova të studjoj filmin. Të zgjedh filmin si udhë jetësore. Ndoshta në ndërdije ka ndikuar edhe prapavija e prindërve të mi pasi që nëna ime është aktore, Lumnie Sopi dhe babai im është regjisor, Agim Sopi./ZËRI

Image