Saki: Fillim i mërzitshëm, Milani mund të rritet, Juventusi jo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2019 | 10:13

Saki: Fillim i mërzitshëm, Milani mund të rritet, Juventusi jo

Gjithçka sipas skenarit: Juventusi fitoi Superkupën e Italisë pas një pjese të parë të mërzitshme, për shkak të takticizmave dhe frikës. Fraksioni i dytë ishte disi më i gjallë, por sidoqoftë pa emocione. Juvja është një ekip i madh që ofron futboll pragmatik dhe pak optimist. Ata bazohen kryesisht në aftësinë e kampionëve, të cilët shfrytëzojnë mundësitë që u dhurojnë rivalët. Besnikë ndaj motos së tyre:

Arrigo Saki

“Fitorja është i vetmi aspekt që ka rëndësi”, bardhezinjtë rrallë bien në sy për bujari, kurajë apo bukuri. Nëse këto vlera anashkalohen nga ekipi dominues i Serisë A , vështirë se futbolli italian do të zhvillohet e aq më tepër të ketë të ardhme të ndritur. Për të mirën e Italisë, uroj që të gabohem, por nuk besoj se rruga e Juves është e duhura nëse kërkohet përmirësimi dhe suksesi në nivel ndërkombëtar. Bardhezinjtë janë të kujdesshëm në mbrojtje dhe cinikë në sulm, teksa nuk shpenzojnë energji dhe marrin rezultatin maksimal me mundim minimal. Ata nuk dhurojnë spektakël dhe më ngjasojnë me një makinë jashtë serie, e cila drejtohet pa i ulur frenat e dorës. Fundja kështu fitojnë, veçanërisht në Itali, kurse në Europë disi më pak. Kuqezinjtë i shoh më bujarë. Edhe në Superkupë bënë një paraqitje të mirë, edhe pse u mungonte Suso, ndërsa Higuain nuk ishte në gjendje të mirë. Djemtë e Gatuzos nuk patën as fatin me vete, por luftuan deri në fund pa u shkurajuar.

Prapavija gaboi vetëm në rastin e golit juventin, ndaj mekanizmat duhen vajosur ende, në mënyrë që të dalin në pah edhe cilësitë individuale të mbrojtësve. Mendoj se Milani mund të arrijë suksesin vetëm nëpërmjet një filozofie të qartë loje dhe organizimit sepse janë të vetmet rrugë për të përballuar superfuqinë e Juves. Alegri është takticien i madh, por mund të ketë vështirësi vetëm me ekipe që kanë strategji të saktë loje, karakteristikë kjo që përbën një nga limitet e Juves. Milani i ka kaluar pritshmëritë, ndonëse futbolli i tyre ndonjëherë është elementar. Vuajnë të shfrytëzojnë hapësirat, ndonëse i gjejnë rregullisht. Në fazën mbrojtëse nuk presojnë sa duhet, duke shtuar ngarkesën për mbrojtësit, të cilët nëse do të kishin më shumë liri, mund të kontribuonin më shumë në nisjen e manovrës kur topi rikuperohet. Edhe fizikisht “Djalli” më duket më mirë, teksa në Superkupë bardhezinjtë vuajtën temperaturat e arabike dhe kjo u pa në administrimin e topit. Skuadra e Alegrit në 20 minutat e fundit pati vështirësi në këtë aspekt, pavarësisht se kishte një futbollist më shumë në fushë. Duke marrë spunto nga muajt e fundit, kam mendimin se grupi milanist do të rritet nëse do të ketë modestinë dhe vullnetin e juventinëve. Me shpresën se së shpejti do të asistojmë në spektakle futbollistike më të këndshme dhe emocionuese, i uroj Milanit dhe Juves suksese!

Kujdes: Gjykim të mbarë arbitrave, edhe pse Banti në penalltinë e pretenduar nga Milani në fund të Superkupës duhet të ishte treguar më pak i sigurt. VAR-i ekziston, u përdortë për të gjithë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"