Sport

Shoshi në Izrael po bëhet gati për nivele të larta evropiane

Brad Greenberg ishte përzgjedhës i Kosovës kur Lis Shoshi nisi të luante për përfaqësuese në vitin 2017. Greenberg u largua nga posti i përzgjedhësit vitin e kaluar, por po bashkëpunon sërish me basketbollistin kosovar, shkruan sot Koha Ditore.

Për edicionin e dytë rresht amerikani 64-vjeçar po e drejton skuadrën izraelite, Maccabi Ashdod. Këtë edicion për Ashdodin po paraqitet edhe Shoshi, 24-vjeçari i gjatë 211 centimetra. Greenberg, që kishte kërkuar ta kishte Shoshin në skuadër, është i kënaqur me kontributin e tij në ndeshjet e kampionatit izraelit. Sipas trajnerit amerikan me përvojë, Shoshi po rritet si lojtar në Izrael.

"Lisi ka mundësi që një ditë të luajë në nivel shumë të lartë", ka thënë Greenberg të premten për gazetën.

"Kur them nivel të lartë e kam fjalën për ndonjë garë apo ligë të madhe evropiane. Ai ka gjatësinë e duhur, ndërsa për të arritur atje i duhen vetëm përvojë dhe forcë", ka shtuar Greenberg, që udhëhoqi Kosovën në parakualifikimet dhe kualifikimet për botërorin e këtij viti. Me Greenbergun përzgjedhës, Kosova arriti suksesin e parë dhe të vetëm deri më tash. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).