Shqiptarët dhe emigracioni/ Ergys Mërtiri: Shoqëria shqiptare në krizë. Arsyet që sjellin dhunë në familje dhe divorc…

0
141

“Shqiptarët mos mendojnë për divorcin, më shumë se sa për familje të shëndoshë, nga ajo varet e ardhmja” Nëse do të kishim një familje të shëndoshë, me fëmijë të edukuar dhe prindër shembull, atëherë nuk do të ishim përballë një situate kaotike, siç është krimi në familje

 

Aida Topalli

 

Shqipëria, kohëve të fundit, ka rënë pre e krimit në familje, dhunës, divorceve dhe emigracionit, fenomene këto, që i kanë vënë një njollë të zezë edhe në raportet ndërkombëtare. Përveç, janë po këto fenomene, që kanë përhapur panik në pjesën më të madhe të shoqërisë, duke i bërë ata të ndjeshëm por edhe të frikësuar se mos kjo që i ndodhi sot dikujt, nesër mund të ndodhë në familjet e tyre. Jemi në muajin e dytë të 2019-ës, dhe krimi në familje, si një ndër ngjarjet më tronditëse të të gjitha shoqërive nëpër botë, ka arritur një numër të lartë. Është ky bilanci i vrasjeve brenda familjes vetëm në dy muajt e parë të 2019-ës. Tiranë 3 viktima vrasja në unazë, dhëndrri vret vjehrrin dhe vjehrrëne  më pas edhe veten. 1 viktime nga vrasja në Sharrë, ku një grua u gjet e vrarë, dyshohet nga kunati i saj.  1 viktime në Zallbastar, për shkak të tradhëtisë, vëllai i gruas, vret të dashurinme të cilin tradhtonte burrin. 1 viktimë në Allias, burri vrau gruan për motive xhelozie, në sy të fëmijës. Vlorë, 1 viktimë burri vret gruan, po për motive të dobëta, në sy të vajzës 20 vjeçare. Ballsh 2 viktima Burri vret gruan dhe kunatën, për motive të dobëta.  Përpos, duhet theksuar edhe fakti se shumica e këtyre akteve janë kryer nën prezencën e fëmijëve, përgjithësisht të mitur. Mediatikisht, këto fëmijë, të cilët kanë përjetuar momente tmerri, nuk mësohet të jenë dërguar për trajtime të gjata, të specializuara, përveç një psikologu/je të pranishëm në momentet e para të ngjarjes. Ndërsa nuk ka ende fushata sensibilizuese, apo angazhim të shoqërisë Civile, për të dhënë impakt në uljen apo parandalimin e akteve të tilla. E megjithatë, kjo vjen edhe si rezultat i mungesës së fondacioneve. Të tjera raste, treguese të familjeve shqiptare të paafta për të rritur familje të shëndetshme, janë edhe ngjarje të tilla si të rinj që vjedhin, që vrasin në rrugë për motive të dobëta, apo që përdhunojnë, siç ishte edhe rasti më i freskët, në shkollën “Rilindja” në Kavajë, ku një grup adoleshentësh, prej dy muajsh, kishin përdhunuar rregullisht bashkëmoshataren e tyre, duke e mbajtur nën kërcënim të vazhdueshëm. Divorcet janë po ashtu një fenomen i cili e ka cekur shumë shoqërinë shqiptare. Nga mungesa e informacionit dhe sensibilizimeve, si zgjidhjen më të thjeshtë, meshkujt dhe femrat të cilët lidhin një kurorë, pasi kanë probleme, përdorin divorcin, qoftë edhe pasi kanë fëmijë. Ndërkohë që nuk kanë asnjë përpjekje për të krijuar një familje të shëndoshë. Akte të tilla, ndikojnë shumë tek fëmijët, të cilët shpesh bëjnë fajtorë veten. Është padyshim e nevojshme investimi serioz në OJF-të dhe çdo qendër tjetër sensibilizuese, në mënyrë që shoqëria shqiptare të mos e përdorë divorcin si zgjidhjen më të thjeshtë por të mësohet se si të krijojë dhe të rrisë një familje model. Tjetër situatë e cila ka arritur kulmi është edhe emigracioni, si i të rriturve ashtu edhe fëmijëve. Shohim gjithmonë një tentativë të shqiptarëve për ta ndërtuar jashtë të ardhmen, qoftë edhe duke e nisur nga zero. Kjo vjen si pasojë e pamundësisë për të ndërtuar diçka këtu, nga papunësia dhe niveli i ulët i zhvillimit. Sociologu Ergys Mërtiri, pedagog i kësaj lënde njëkohësisht, shpjegoi të gjitha nga sa thamë më lart, në një intervistë për “Standard”. Po ashtu ai shtoi edhje se emigracioni është një tjetër fenomen që çon në rritjen e numrit të divorceve por edhe të krimit në familje. Po ashtu, i pyetur nga Standard lidhur me këto tre çështje, Mërtiri shtoi se duhen më shumë shoqata dhe angazhime serioze për të bërë sensibilizimin e fëmijëve, të rriturve dhe bashkëshorteve. Për të, shqiptarët nuk duhet të mendojnë aq shumë për divorcin, por se si të krijojnë një familje të shëndoshë. Sepse është familja e shëndoshë, ajo që mban më pas peshën e  mbarëvajtjes së shoqërisë, në të kundërt, do të përballemi me këto fenomene që tashmë janë bërë serioze dhe taumatizuese.

 

Intervista

 

Kohët e fundit, një ndër fenomenet më shqetësuese vijon të mbetet dhuna në familje, që ka degjeneruar në krim brenda saj. Cilat janë shkaqet dhe pasojat e rasteve të tilla?

 

Shoqëria shqiptare është në një krizë. Mirëpo ndryshe nga shumë njerëz, unë nuk mendoj që është thjesht krizë e një shoqërie që nuk është modernizuar sa duhet, ose që vazhdon të jetë patriarkale, tradicionale. Por është një shoqëri që më shumë problemin e ka tek moskalimi i etapave të duhura nga tradicionalja në modernitet. Në përgjithësi dhuna nuk i përket shoqërive tradicionale, sidomos dhuna agresive, dhuna që shkon deri në krim, por iu përket përgjithësisht shoqërive moderne. Në botë ka nivele të larta të dhunës në familje, dhunë mes bashkëshortëve, dhunë ndaj fëmijëve. Patjetër  në Shqipëri është në nivele më të larta, shoqëria është më e dhunshme, edhe për shkak të të kaluarës sonë të një regjimi diktatorial, por edhe për shkak të përplasjeve që ka shoqëria jonë, e cila është gjysëm moderne, gjysëm tradicionale. Ne jemi një shoqëri moderne në parim, por pa e ezauruar totalisht tradicionalen brenda vetes. Përplasjet prodhojnë kriza, dhunë, agresivitet, depresion, probleme sociale që shkojnë deri edhe në vrasje.

 

Në ngjarjet e fundit të shënuara, sa i përket krimit brenda familjes, disa herë shkak ka qenë xhelozia dhe fanatizmi. Çfarë mendoni për këto komplekse brenda shoqërisë shqiptare?

 

Këto akte janë të lehta t’i thuash, por të vështira dhe makabre për t’u bërë. Mënyrat normale që përdorin zakonisht edhe OJQ-të, janë fushatat sensibilizuese lidhur me dhunën. Mirëpo, ai që bën krim nuk është se pyet shumë lidhur me sensibilizimin. Zgjidhje duhet të jetë pikë së pari edukimi. Ne përpiqemi të sensibilizojmë të rinjtë që të mos i zgjidhin problemet me dhunë, të krijojnë hapsirë, të kuptojnë realitetet, të vendosen në pozitat e tjetrit, sepse shpeshherë nuk e kuptojnë tjetrin, sepse nuk i shohin gjërat në të njëjtin sy me ta. Por nga ana tjetër edhe zbatueshmëria e ligjit, sesa forcimi i tij. Ne ligjet i kemi të rrepta, por nuk zbatohen. Ngritja e institucioneve që i dalin në krahë viktimave, kjo sepse i dalim krahë të dobëtit përballë të agresorit. Këto janë mjete që nuk e zgjidhin përfundimisht, por që e zbusin disi. Mund të themi që ky lloj agresiviteti, nga xhelozia e fanatizmi, janë fenomene që  mund të vijnë nga një lloj krize e autoritetit të burrit në familje. Për shkak të mosfunksionimit të roleve të dikurshme gjinore dhe çon në atë që tashmë ka një lloj barazie, por që ka krijuar një formë pakënaqësie. Barazia çon në një lloj paqartësie, megjithëse parimisht duhet që të ketë një thyerje të autoritetit prindëror mashkullor. Në kushtet kur ky autoriteti mbetet, por barazia vihet në veprim, kjo krijon një paqartësi të roleve, duke përfunduar pastaj në dhunë. Ka edhe diçka tjetër, në momentin që shoqëria jonë moralisht është shumë problematike, njerëzit dëgjojnë lloj lloj ngjarjesh, përvojash, tek njerëzit e tjerë, të gjithë mendojnë po sikur të më ndodhë edhe mua kjo. Pra kemi një shoqëri e cila të krijon shumë hapësirë për të krijuar dyshime.

 

Shqetësues është fakti se vrasje të shumta janë kryer në prezencë të fëmijëve. Si ndikon kjo tek ata?

 

Kjo është jashtëzakonisht e rëndë për fëmijët. Janë ata që e pësojnë më shumë nga kjo gjë. Ka studime plot që kanë të sqaruar traumat që pësojnë fëmijët kur prindërit divorcohen, kur kalojnë situata konfliktuale, janë ato që e pësojnë më së shumti. Për këtë ka trajtime të posaçme dhe qëndra që merren me trajtimin e këtyre fëmijëve që janë përballur me këto lloj rrethanash. Aq më tepër, ka edhe studime që shumica e fëmijëve fajësojnë veten kur prindërit përjetojnë situata konfliktuale. Kjo gjë ndikon akoma më shumë, dhe duke qenë të mbyllur nga natyra, askush nuk arrin ta kuptojë se çfarë po përjetojnë saktësisht. Shpeshherë mund të shohësh që ai shpërthen diku, dhe nuk e kupton se nga i erdhi. Fëmija traumatizohet edhe kur e shikon një  ngjarje në rrugë, e jo më kur prindërit zihen në sy të fëmijëve. Fëmijet duhet të trajtohen në raste të tilla. Nuk e di çfarë ndodh këtu.

 

A trajtohen këto fëmijë?

 

Kam përshtypjen që jo. Natyrisht në momentin e parë mund të vijë një psikolog të interesohet, pastaj asgjë më shumë. Nuk kemi kapacitete, sepse aq shume vrasje dhe krime ndodhin, nuk i mbulojmë dot. Gjithsesi kjo kërkon jo thjeshtë trajtimin e parë, por duhet trajtim special në kohë. Nuk jam psikolog që të di specifikat, por së paku kaq gjë e dimë të gjithë, që kërkon një trajtim të zgjatur në kohë, sepse shenjat, domethënë ajo që quhet stresi postraumatik, nuk shfaqen në impaktine  parë, por në momente të vonuara. Kështu që ka nevojë që këta fëmijë të trajtohen në kohë të gjatë.

 

Po divorcet, që janë shtuar në masë në shoqërinë tonë. A është zgjidhje divorcimi, sepse tashmë ngjan më shumë me “zgjidhjen më të shkurtër”? Është bërë si “modë”, pa dashur të hyjmë në paragjykime…

 

Divorci është një zgjidhje përballë krimit, më mirë të ndahen sesa të vrasin njëri-tjetrin. Por çështja është që, shpeshherë, unë shoh edhe njerëz që flasin nëpër media, që thone se është një kohë  që është mirë për ta çliruar gruan apo burrin, etj etj… Divorci ndihmon kur me të vërtetë nuk ka mjete të tjera për ta çliruar një marrëdhënie, por për mendimin tim,  shoqëria nuk duhet të shqetësohet kaq shumë për divorcin, sesa duhet interesuar për të shëndodhur familjen. Patjetër që është një zgjidhje kur gjërat nuk funksionojnë më. Por të pranosh këtë është të pranosh fatalitetin që familja nuk funksionon, por thjesht mban shpresë. Sigurisht që ka familje që me të vërtetë nuk funksionojnë dot dhe nuk ka pse të mbahen me shiringa. Dua të them që shqetësimi i shoqërisë nuk duhet të jetë se si t’i zgjidhim familjet që të biem rehat, sepse po të ishte ashtu, zgjidhja do të ishte më e thjeshtë, nuk martoheshe fare, nuk krijoje familje dhe ja. Mirëpo duhet menduar për një familje të shëndetshme, ky duhet të jetë shqetësimi për publikun. Për këto gjëra nuk interesohet njeri, nuk e vret kush mendjen për këtë gjë. Të paktën unë di mbi 60 shoqata grash, dhe nuk e di a akne një apo dy për familje. Pra në këtë vend nuk ka investim për probleme serioze. Për gjëra të cilat janë nevojë e problemit të parë, nuk ka fonde e as projekte. Problemi është që njerëzit e shoqërisë civile, nuk shqetësohen për këto gjëra, por shqetësohen për ato që kanë fonde. Kjo bën që shumë probleme të mos zgjidhen. Pjesa më e madhe e problemeve, burojnë nga problemi i parë, që është familja.

 

A e kanë keqkuptuar shqiptarët termin “divorc”?

 

Nuk duhet tiu vëmë faj njerëzve që i bëjnë këto. Problemi është tek vlerat që prodhon shoqëria. Njerëzit janë viktima. Nuk është vetëm çështja e një familjeje të mirë e të shëndetshme. Këta nuk munden t’i krijojnë sepse janë të paformuar, të paaftësuar. Nuk kanë krijuar vlerat e duhura, sepse nuk kanë patur mundësitë në këtë mes. Është shoqëri e cila nuk e ka orientuar energjinë dhe interesin e vet drejt sigurimit të vlerave. Ne kemi edhe ngjarjet e fundit që kanë ndodhur nëpër shkolla, që janë tregues i qartë se çfarë fëmijësh kemi edukuar ne. Ky është produkti i parë, dhe shoqëria nuk interesohet që të prodhojë fëmijë të përgjshëm, të moralshëm, të edukuar. Janë pikërisht këta fëmijë që nesër do të bëhen prindër dhe nëse jo të gjithë bëjnë krime brenda familjes, pjesa më e madhe do të kenë destabilitet.

 

Emigracioni po ashtu mbetet i lartë…. Çfarë i çon të rinjtë dhe jo vetem në nnjë zgjedhje të tillë dhe a është gjithmonë e drejtë tentativa e ikjes?

 

Ky është një fenomen që ka shumë probleme brenda. E para njëherë kjo ndodh kur njerëzit nuk gjejnë shpresë ose nuk gjejnë mundësi për të bërë diçka këtu, nuk gjejnë mundësi për të ndërtuar jetën e tyre dhe nuk duhet tiu vëmë faj në këtë aspekt. Por, gjithsesi kur kultivohet shumë kjo ndjenja e nevojës për të ikur, në moment që ti nuk e realizon dot, pra nuk të jepet mundësia, krijon një efekt shumë negativ në mënyrën se si njerëzit qëndrojnë këtu. Ata vazhdojnë të jenë thellësisht të pakënaqur, të deziluzionuar, mund të shkojnë në stres, krijon edhe depresion shpeshherë. Natyrisht duhet thënë se njerëz të caktuar nuk kanë mundësi për ta ndërtuar jetën e tyre këtu dhe iu del një rrugë ose një shpresë për ta ndërtuar jetën e tyre diku jashtë, patjetër që mund ta bëjnë këtë zgjedhje për të mirën e tyre nëse e gjykojnë të tillë, por të jetosh gjithë kohën me idene për të ikur, krijon probleme. Pastaj ka edhe një problem tjetër. Emigracioni ka krijuar probleme të mëdha të familje. Sidomos kam parasysh vitet më  parë, por edhe tani. Ikën njëri prind, dhe tjetri mbetet këtu, kjo krijon patjetër efekte negative në marrëdhëniet në çift. Raste të tilla e disfunksionalizojnë familjen, e vënë vërtetë në vështirësi. Ka edhe fenomene të tjera, ka patur familje të cilat kanë qenë shumë mirë kur kanë jetuar këtu, por kur kanë shkuar atje, përballja me një jetë të re është perceptuar ndryshe. Ka shumë raste  dhe mënyra se si ndikon emigrimi në njerëz të ndryshëm, pavarësisht se për një shumë të madhe ka qenë i drejtë se nuk kanë pasur mundësi këtu. Mirëpo varet se si i merr rrjedha e jetës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here