Mbyllen dy barnatore dhe një kazino në Mitrovicë

Drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Policinë mbyllin dy barnatore dhe një kazino

Mbrëmë, Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, në bashkëpunim me Policinë kanë kryer kontrolle inspektuese sipas detyrës zyrtare në disa subjekte afariste dhe tek lojërat e fatit në rajonin e qytetit të Mitrovicës, ku pas verifikimit, janë mbyllur dy barnatore dhe një kazino.

Qëllimi i këtyre inspektimeve ka të bëjë me respektimin e orarit të punës nga ato subjekte afariste të cilat zhvillojnë veprimtaritë e tyre pas orës 23:00 dhe zhvillimi i tyre pa licencë, thuhet në një komunikatë të komunës së Mitrovicës.

Drejtoria e Inspeksionit ka bërë të ditur që këto subjekte afariste janë udhëzuar të pajisen me leje të veçanta për zgjatje të orarit të punës, por të njëjtit nuk e kanë respektuar një gjë të tillë.

Ndërsa gjatë këtij aksioni janë inspektuar gjithsej dhjetë subjekte afariste, pas inspektimit u konstatua se dy barnatore nuk janë pajisur me leje për zgjatje të orarit të punës në bazë të Rregullores Komunale Nr. 03/2014 për caktim të orarit të punës dhe një kasino për mungesë të licencës.

Me këtë rast Drejtoria e Inspeksionit kanë marrë masa konform ligjeve në fuqi dhe kanë ndaluar përkohësisht zhvillimin e veprimtarive të këtyre subjekteve deri në eliminimin e parregullsive.