Kriza e grurit në Kosovë, sipërfaqja e mbjellë mbulon vetëm 20 për qind të nevojave

Kriza e grurit në Kosovë, sipërfaqja e mbjellë mbulon

Kushtet e motit dhe infrastruktura po gjunjëzojnë Kosovën sa i përket furnizimit me grurë. Prodhimi vendas nuk po arrin të përmbushë as 20 për qind të kërkesës së tregut. Bujqit i apelojnë qeverisë që të krijojë rezerva shtetërore me grurë pasi vendi gjendet përballë një krize të vertetë, e cila në këtë stad mund të zgjidhet vetëm përmes importeve.

Kosova po vuan pasojat e infrastrukturës së dobët të kultivimit të grurit por edhe të motit të paqëndrueshëm, faktorë të cilët kanë ulur në mënyrë të rrezikshme sasinë e nevojshme për popullsinë.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rajonal në Kosovë, të mbjellat në 30 komuna gjatë vitit të kaluar arritën në 74 mijë hektarë, por bujqit lokalë paralajmërojnë se vetëm 20 për qind e sasisë ka mundur të mbulojë nevojat e popullatës.

Megjithësë toka në vend konsiderohet shumë prodhimtare, vlerësohet se kushtet klimatike kanë pakësuar rendimentin e saj duke dëmtuar madje edhe cilësinë e grurit.

Sadiku: Nga lagështira ka humbur dhe një pjesë e grurit, gruri është më i dobët, ka dalë bar përmes tij. Ndërkohë pas asaj kohe nuk ka pasur reshje fare, ka qenë më problem të bëjmë mbjelljen e grurit.

Sipas kryetarit të Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, bazuar në zhvillimet e fundit, vendi rrezikon një krizë të furnizimit me bukë nëse autoritetet nuk mendojnë seriozisht për përballimin e situatës.

Tahiri: Nuk pritet as vitin e ardhshëm me plotësu as 20% të nevojave me grurë.

Ndërkaq, statistikat zyrtare tregojnë se Kosova vijon të importojë sasi të konsiderueshme gruri për përdorim të brendshëm, kryesisht nga Serbia, vend nga i cili importet vetëm vitin e kaluar arritën mbi 130 mijë tonë.





EMISIONET