Ramush Haradinaj gjate takimit duke diskutuar per ekonomine joformale Foto: ZKM

Haradinaj: Brenda 2019 do të zvogëlojmë ekonominë joformale

Kryeministri Ramush Haradinaj i ka mbledhur ministrat e tij dhe përfaqësuesit e disa prej institucioneve të Kosovës, ku janë zotuar se brenda vitit 2019 do të zvogëlojnë konsiderueshëm ekonominë jo-formale.

Sipas Haradinajt, ekonomia jo-formale e ushqen krimin dhe demotivon bizneset e rregullta, të cilat pastaj e dëmtojnë edhe buxhetin e shtetit.

“Qeveria e Kosovës ka ndërmarr masa, përfshirë rishikimin e Strategjisë për luftimin e ekonomisë jo-formale, hartimin e koncept dokumentit për largimin e barrës administrative, si dhe hartimin e miratimin e ligjit për inspektime”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj thotë se grup ka filluar të identifikoj intervenimet specifike për luftimin e ekonomisë joformale që sipas tij për qëllim ka zvogëlimin e saj deri në fund të këtij viti.

“Krahas këtyre masave, kam filluar nismën për të identifikuar intervenimet specifike për luftimin e ekonomisë jo-formale me qëllim të zvogëlimit të konsiderueshëm të saj deri në fund të vitit 2019. Në takimin e Grupit Koordinues për diskutimin e ekonomisë joformale, së bashku me ministrat e linjës dhe akterët përgjegjës, u dakorduam se Kosovës i duhet një mobilizim i shtuar dhe luftë e pakompromis kundër informalitetit”, ka shkruar Haradinaj.

KALLXO.com raportoi dje që 27 mijë  e 975 euro është shuma  e gjobave të cilat Administrata Tatimore e Kosovës i ka shqiptuar pas trajtimit të rasteve të cilat janë raportuar në platformën KALLXO.com.

Gjatë kësaj periudhe me kërkesë të KALLXO.com, Administrata Tatimore e Kosovës ka inspektuar 17 biznese duke përshirë, lojëra të fatit, restorante, kompani të autobusëve dhe kurse të gjuhëve, pas kontrollit të të cilave ka shqiptuar 20 gjoba.

Kërkesat e KALLXO.com u dërguan në ATK, pas raportimit nga qytetarët se në disa biznese kishte parregullsi dhe shmangje tatimore.

https://kallxo.com/rreth-28-mije-euro-gjoba-bizneseve-pas-raportimeve-ne-kallxo-com/?

.