Policia malazeze konfiskon 50kg drogë në një anije ushtarake

Policia ushtarake e Malit të Zi ka konfiskuar të premten rreth 50 kilogramë lëndë narkotike në bordin e një anije trajnimesh të marinës, pak orë para se ajo të nisej në një lundrim trajnues, ka njoftuar ministria e Mbrojtjes dhe mediat lokale.

Gjatë bastisjes në orët e para të së premtes, të ndërmarrë pas pranimit të një informate sekrete, policia ushtarake zbuloi “dhjetëra kilogramë të një lënde që duket të jetë substancë psikoaktive” brenda “Jadran”-it, anije kjo që ishte e ankoruar në portin e Tivatit, ka njoftuar kjo ministri, raporton “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Zhytës të flotës detare malazeze kanë kontrolluar edhe pjesën e poshtme të trupit të anijes, thuhet në njoftim.

E përditshmja e Podgoricës “Vijesti” ka raportuar se autoritetet konfiskuan më shumë se 50 kilogramë kokainë në bordin e kësaj anijeje, por se deri më tani askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin.

Mësuesit dhe nxënësit e Fakultetit malazez të flotës detare nuk ishin në bordin e anijes gjatë bastisjes, ka njoftuar ministria. Ata pritej të ngjiteshin në bordin e anijes më vonë dhe të niseshin në një lundrim trajnues.

“Operues të Departamentit policor dhe policia ushtarake… janë duke punuar në gjetjen e përgjegjësve”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes.