Vjetërsohet lënda për përdorim të veturës zyrtare në pushime

Gjykata Supreme e Kosovës ka ndryshuar vendimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore të Prishtinës që kishin gjetur fajtore dhe dënuar me 3.000 mijë euro gjobë koordinatoren e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Drita Rexhepi, e cila akuzohej se ka përdorur veturën e institucionit për pushime në Shqipëri.

Lajme

08/10/2017 18:00

Deri tek ky vendim Gjykata Supreme ka ardhur pasi që ka gjetur se Prokuroria ishte vonuar që të ndërmarrë ndonjë veprim hetimor lidhur me këtë rast brenda afateve ligjore.

Rexhepi përpos veprës së përdorimit të paautorizuar të pasurisë, akuzohej edhe për falsifikim të dokumenteve.

Deri te vendimi për ndryshimin e vendimeve të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit  dhe refuzimi i akuzës, ka ardhur pasi që avokatja e Rexhepit, Albana Kelmendi, në kërkesën e saj për mbrojtje të ligjshmërisë ka theksuar se është shkelur ligji penal në dëm të të akuzuarës, pasi që veprat veçse kishin arritur parashkrimin relativ të ndjekjes penale.

Në vendimin e Supremes, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, thuhet  se Drita Rexhepi ishte shpallur fajtore për falsifikim  dhe përdorim të paautorizuar të pasurisë, ku vepra e parë pretendohej se ishte kryer më 14 korrik 2011 ndërsa vepra e dytë më 8 tetor 2011, ndërsa veprimi i parë i prokurorit për hetimin e këtij rasti është marrë më 22 dhjetor 2014.

Pasi që Rexhepi akuzohej për vepra penale që parashihet dënimi me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet, Kodi Penal ka  paraparë që prokuroria ka 3 vjet kohë për të hetuar këto vepra, e që në rastin e Rexhepit nuk e ka bërë dhe si rrjedhojë është arritur parashkrimi relativ i veprës penale apo siç njihet ndryshe parashkrimi i ndjekjes penale.

Rexhepi akuzohej nga Prokuroria se më datë 8 tetor 2011 duke shfrytëzuar pozitën e saj, pa autorizim ka përdorur pasurinë e luajtshme të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, respektivisht pa autorizim e ka përdorur automjetin zyrtar të tipit “Peugeot 206”, ashtu që së bashku me motrën dhe dhëndrin e saj shkojnë nga Prishtina në pushim vjetor në Republikën e Shqipërisë, ku në qytetin e Sarandës pëson aksident trafiku me të njëjtin automjet.

Mbrojtja e Rexhepit vazhdimisht kishte pretenduar në pafajësinë e saj, duke thënë se lënda ishte parashkruar por nuk ishin marrë parasysh nga Gjykata Themelore e as ajo e Apelit.