Chisora e mposht boksierin shqiptar, tani synon meçin me Joshuan

  • 20 April 2019 - 23:49
Chisora e mposht boksierin shqiptar, tani synon meçin me Joshuan

Boksieri shqiptar, Senad Gashi, pësoi humbje me vendim unanim në meçin kundër boksierit britanik, Dereck Chisoras, i cili tani synon të ndeshet me kampionin botëror të peshave të rënda, Anthony Joshua.

Senad Gashi dhe Dereck Chisora u ndeshen sonte në palestrën “O2 Arena” në Londër. Ky ishte njëri ndër dy meçet që u zhvilluan sonte në këtë palestër në kuadër të kategorisë së peshave të rënda.

Boksieria nga peja, me prejardhje shkodrane, nuk arriti ta dëshmojë veten kundër Chisoras, , i cili në të kaluarën është përballur me boksierë të mëdhenj si Vitali Klitschko, Tyson Fury e David Haye, dhe e humbi meçin, në të cilin nuk kishte qenë shumë aktiv.

Meçi mes këtyre të dyve nuk ishte tejet interesant, pasi që Gashi preferonte t’i qëndronte larg Chisoras. Madje, shqiptari kishte qenë afër rrëzimit në tokë në dy raste qysh në dy rundet e para.

Ne rundin e tretë, Gashi e mori një vërejtje nga gjyqtari pasi e goditi me kokë kundërshtarin.

Në rundin e shtatë, Chisora e goditi Gashin pas përfundimit të rundit dhe mori vërejtje për këtë gjë. Britaniku ishte i irrituar nga shqiptari, i cili nuk e lejonte t’i vinte afër dhe e vononte meçin.

Gjyqtarët ia dhanë fitoren me vendim unanim (100-90, 100-91, 99-91) Chisoras, i cili kishte qenë më i mirë gjatë dhjetë rundeve.

Kjo ishte disfata e tretë për Gashin 28-vjeçar nga gjithsej 20 meçe, ndërsa kundërshtari i tij 35-vjeçar e regjistori fitoren e 30-të nga gjithsej 39 meçe të zhvilluara në karrierë. Kjo ishte fitorja e tij e tetë pa nokaut.

(Kosova Sot)