Lekaj përuron urën në fshatin Topanicë (FOTO)

Në fshatin Topanicë të Kamenicës sot është përurua ura e fshatit e cila e lidh këtë fshat me rrugën magjistrale.

Në inaugurim morën pjesë ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj dhe kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati e shumë qytetarë të Topanicës. Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj duke i uruar qytetarëve për këtë investim tha se edhe pse ky projekt është i vogël ka rëndësi të madhe për banorët e kësaj ane.

Sipas tij ministria që ai e udhëheqë është duke investuar përmes kompanive në infrastrukturën e gjithë Kosovës.

“Jam në mesin e kryetarit të komunës, nënkryetarit dhe të gjithë atyre që kanë ndikuar që sot të realizohet ky projekt që është i vogël por që është mjaftë domethënës. Ajo që ne po e bëjmë si ministri e Infrastrukturës ne jo vetëm këtu ku jemi që po investojmë por në tërë Kosovën sot gjenden kompani që investojnë në infrastrukturë”, u shpreh Lekaj.

Kurse, kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati u shpreh se sot pas shumë kërkesave të banorëve të Topanicës po përurojnë këtë urë e cila ishte përfolur shumë kohë më parë. “Qytetarëve të Topanicës iu uroj që më në fund ka përfunduar kjo urë nuk po marr merita se nuk është vetëm meritë e jona është projekt i nivelit qendror, por veçanërisht angazhim i juaji që keni bërë kërkesa dhe keni kërkuar nga institucionet për diçka që u takon. Ura si ka qenë në të kaluarën e dimë se në çfarë gjendje ka qenë por kemi pas fatin me pas përkrahjen e Ministrisë dhe me pas gjithashtu një punëkryerës që ka arritur ta përfundoj shumë shpejt”, tha Kastrati.