Leja e drejtimit/ Cakaj: Ja vendet ku njihet dhe ku pritet të njihet patenta e shoferëve shqiptarë

May 21, 2019 | 16:47
SHPËRNDAJE

Në disa prej vendeve të rajonit, vendi ynë ka arritur marrëveshje për njohjen e patentave.

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, nëpërmjet një postimi në facebook, njofton se aktualisht lejet e qarkullimit të mjetit nga vendi ynë njihen në Belgjikë, deri në tre muaj, dhe në vendet më të afërta si Maqedonia e Veriut, Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova.

cakaj gent

Cakaj sqaron gjithashtu se po punohet edhe për njohjen e patentave në Itali dhe Greqi, ndërsa thekson se është dorëzuar edhe gjithë dokumentacioni i nevojshëm që edhe Gjermania të bëhet pjesë e njohjes së patentave.

Një marrëveshje e ngjashme po ndodh gjithashtu edhe me vendet si Franca, Bullgaria, Australia, Anglia, Rumania, Holanda, Polonia etj.

Postimi i plotë:

Vëmendje ju lutem

Duke qenë të ndërgjegjshëm për vështirësitë e shtetaseve shqiptarë për njehsimin e lejeve të drejtimit nëpër botë,

Dhe,

Duke e ruajtur qëllimin themelor për ndërlidhjen e objektivave madhorë të politikës së jashtme me shqetësimet e zakonshme të shqiptarëve nëpër botë,

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon se:

Lejet për drejtim automjeti të lëshuara nga autoritetet shqiptare aktualisht njihen nga këto shtete:

Belgjika: shtetasit shqiptarë në Belgjikë, për një periudhë më pak se 3 muaj, mund të përdorin lejen shqiptare për drejtim automjeti. Në rast qëndrimi më gjatë në Belgjikë se periudha në fjalë, atëherë shtetasit shqiptarë duhet të bëjnë konvertimin e lejes së drejtimit shqiptare në leje drejtimi belge, sipas procedurave që ndiqen në komunat përkatëse.

Kroacia: shtetasit shqiptarë në Kroaci mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Maqedonia e Veriut: shtetasit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2013 e tutje.

Serbia: shtetasit shqiptarë në Serbi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Mali i Zi: shtetasit shqiptarë në Mal të Zi mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2015 e tutje.

Kosovë: shtetasit shqiptarë në Kosovë mund të bëjnë njehsimin e lejeve të drejtimit bazuar në marrëveshjen dypalëshe që nga viti 2012 e tutje. Pas përfundimit të afatit, marrëveshja është rinovuar dhe ka hyrë fuqi në maj 2019.

Nga ana tjetër, janë dy procese paralele në zhvillim e sipër për pranimin e lejeve të drejtimit me Italinë dhe Greqinë:

Italia: pas daljes së modelit të ri të lejeve të drejtimit, marrëveshja përkatëse që ka hyrë në fuqi në vitin 2009 dhe rinovuar në vitin 2014, i është nënshtruar ndryshimeve teknike të nevojshme. Ndryshimet teknike në marrëveshje janë pranuar parimisht prej dy qeverive dhe marrëveshja e re pritet të hyjë në fuqi pasi palët të njoftojnë njëra-tjetrën për përfundimin e procedurave të brendshme. Sipas parashikimeve të marrëveshjes, kjo çështje pritet të mbyllet përfundimisht shumë shpejtë.

Greqia: marrëveshja dypalëshe për këtë çështje është nënshkruar në maj 2018. Edhe pse pala shqiptare ka përfunduar procedurat e brendshme të nevojshme për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje, ajo nuk është ende në fuqi ngaqë pala greke nuk e ka ratifikuar atë në Parlament. Pra, çështja në fjalë nuk varet më nga Qeveria e Shqipërisë, por nga votimi në Parlamentin grek.

Po ashtu, në vijim të njoftimit të mëparshëm, duhet nënvizuar sërish se pala shqiptare ka dorëzuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm teknik pranë autoriteteve gjermane. Sidoqoftë, marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit mund të bëhet vetëm pas vlerësimit dhe miratimit paraprak të të gjithë landeve gjermane. Në këtë kuptim, kalimi i marrëveshjes për njohjen e lejeve të drejtimit është një proces që varet nga vlerësimet dhe procedurat e brendshme të institucioneve përkatëse në Gjermani. Pavarësisht kësaj, duke pasur parasysh se njohja e lejeve të drejtimit në Gjermani kërkon kohën e saj objektive, pala shqiptare ka paraqitur kërkesën për njohjen e gjuhës shqipe për provimin e marrjes së lejes së drejtimit gjermane. Po ashtu, kjo është një çështje që tashmë varet prej veprimeve të autoriteteve gjermane.

Në fund, duke pasur parasysh rëndësinë e njehsimit të lejeve të drejtimit për shtetasit shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, ka përcjellë propozimet për marrëveshje të ngjashme me Bullgarinë, Francën, Bosnjë dhe Hercegovinën, Turqinë, Spanjën, Austrinë, Australinë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën, Rumaninë, Slloveninë, Poloninë, Portugalinë, Zvicrën dhe Kanadanë.

Lidhja e marrëveshjeve me këto shtete është një proces që kërkon kohë të konsiderueshme të negociimit teknik. Sidoqoftë, ndarja e hershme e informacionit me ju është pjesë e përpjekjes tonë për të qenë llogaridhënës ndaj jush dhe gjithëherë të vëmendshëm ndaj zërit të shtetaseve shqiptarë kudo që ndodhen në botë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura