GJUZELEVI PËR SHQIPTARËT

Historiani bullgar, Bojan Gjuzelevi (1967), ka specializuar për historinë e Ballkanit në Vjenë dhe Munih, ka doktoruar me temën: “Aspekte të depërtimit etnik shqiptar në Ballkanin Lindor (shekujt XV–ХVІІІ)” dhe është autor i librit “Shqiptarët në Ballkanin lindor” (Sofje, 2004). Sipas tij, edhe pse shqiptarët dhe bullgarët jetojnë më shumë se 13 shekuj pranë njëri tjetrit, raportet ndërmjet tyre nuk janë studiuar sa duhet. Kjo ka ndodhur për shkak të mosinteresimit të studiuesve bullgarë për historinë shqiptare, por edhe për shkakun e izolimit të Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste.

Shqiptarët, sipas tij, përherë kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Ballkanit “dhe do të vazhdojnë të jenë faktor i rëndësishëm”. Ai ka bindjen se shqiptarët e kanë ruajtur gjuhën dhe traditat e tyre kudo ku janë vendosur dhe përherë kanë demonstruar “shkallë të lartë mobiliteti”.

Gjuzelevi bie në kontradiktë kur e mbron tezën se shqiptarët janë vendosur vonë në viset e Maqedonisë së sotme Veriore. Kjo tezë e paqëndrueshme shkencërisht shpesh është theksuar për qëllime politike. Historia nuk ka shënuar valë të mëdha migrimesh të shqiptarëve në territoret e përmendura. Pastaj, janë shumë dokumente mesjetare, përfshirë dokumentet mesjetare serbe e më pas osmane, që hedhin poshtë tezat e paqëndrueshme se shqiptarët u vendosën në këta vise nga shekulli XVII. Të dhënat që i përmend në libër e kundërshtojnë tezën që ai e mbështet në fillim të librit. Ai përmend dëshmi të rëndësishme për praninë e shqiptarëve në këtë hapësirë jo si popullsi shtegimtare, por si popullsi ndenjëtare.

Shqiptarët sipas shkresës së vitit 1306, të Stefan Uroshit II, për manastirin “Shën Gjergji” në Shkup, përmenden si pjesë e panairit të kësaj kishe. Në krisobulën e viteve 1334–35, përmendet vendi Arbanas në veri të Prilepit, që sipas Gjuzelevit, “me siguri lidhet me përkatësinë e banorëve shqiptarë“. Në këtë periudhë përmendet Gjin Arbanasi në qytetin e Shtipit. Krisobula e Stefan Dushanit, rreth vitit 1343, ua ndalonte vllehve dhe shqiptarëve që t’i përdornin kullosat në Pollog. Në krisobulën tjetër të Car Dushanit, nga mesi i shekullit XIV, flitet për dhurimin e nëntë katundeve dhe nëntë vendeve të braktisura kishës “Shën Mëria” në Arhilevc. Në mesin e këtyre katundeve, në linjën ndërmjet Kumanovës dhe Preshevës, ishte katundi i quajtur Arbanasi (më vonë si Arbanashko).

Gjuzelevi përmend shumë vendbanime me emrin Arbanas edhe në Bullgarinë e sotme.

“Në regjistrat osmanë të shekujve XV dhe XVI hasen një sërë vendesh me emrin Arbanas në rajonin e Bullgarisë jugperëndimore. Kemi Arbanas në kazanë e Sofjes, Arbanas në kazanë Radomir, Arbanas në kazanë Qustendil, lagjet Arbanas në Sllavishe dhe Sirishnik (sot Kovaçevci). Emërtimet mund të lidhen me vendosjen e përkohshme ose të përhershme të shqiptarëve para se tokat bullgare të pushtoheshin nga turqit osmanë në fund të shekullit XIV”, shkruan Gjuzelevi. Madje besohet se edhe qyteti Debren e kishte marrë emrin sipas Dibrës.

Prania e shqiptarëve në Maqedoninë e sotme të Veriut dëshmohet edhe nga defterët e hershëm osmanë të shekullit XV.

“Shqiptarët e Rekës së Epërme i hasim që në regjistrin tatimor osman të vitit 1467. Emrat shqip dominojnë në katundet me emërtime sllave si: Volkovia, Tërnica, Krakornica, Strezimir, Ribniçica. Karakteri etnik në vilajetin e Rekës nuk u ka shpëtuar regjistruesve tatimor osmanë. Për shembull ata janë shënuar si Dhimitri Arbanas dhe Petër Arbanas në katundin Prisoinica; Petko Arbanas dhe Pavle Arbanas në Bitushë”, shkruan ai.

Studiuesi Shaban Sinani, duke iu referuar Eqrem Çabejt, thotë se “është pranuar tashmë në dijen albanologjike, duke u kthyer në një “comnunis opinio”, se toponimet e vogla, me vetë karakterin e tyre të paqëndrueshëm, në një rajon ku janë përplasur erëra kontraverse, të Perëndimit e të Lindjes, nuk luajnë ndonjë rol të rëndësishëm për të provuar autoktoninë / aloktoninë e popullit që i bart”.

Eqrem Çabej, sipas Sinanit, duke e njohur këtë dukuri, vlerësonte se vetëm makrotoponimet, me burimin e tyre, sidomos në formën e ndryshimit të tyre përgjatë shekujve, mund të marrin vlerë dëshmuese për karakterin vendës ose të ardhur të popullit. Përkundrazi mikrotoponimia mund ta çojë studiuesin në përfundime rastësore ose krejt të gabuara.

Se regjistruesit osmanë shpesh e praktikonin që krahas emrit të familjarit ta shënonin edhe përkatësinë etnike, kjo haset që në regjistrat osmanë të shekullit XV. Në regjistrimet osmane ndodh që në vend të mbiemrit të shënohet përkatësia etnike. Shqiptarët shënoheshin me mbiemrat “arbanas” dhe “arnaut”. Shumë shpesh edhe emrat personal të krerëve të familjes kanë origjinë shqiptare: Gjergj, Gjon, Gjin, Progon etj.

“Përhapja e krerëve të familjes, që mbanin mbiemra “arbanas” ose “arnaut”, jep një pasqyrë të qartë për praninë e shqiptarëve në Maqedoni“, shkruan Gjuzelevi, kurse ky konstatim hedh poshtë atë që ai e mbron më lartë në librin e tij.

“Në qytetin e Kërçovës, në këtë qendër administrative, pranë shekullit XV një nga njësitë e krishtera ka emrin “shqiptare” (mahale-i Arnavudan). Aty ishin regjistruar 65 familje (me 10 vejusha). Emrat e krerëve të familjes kryesisht janë me origjinë sllave, por te mbiemrat hasen të atillë që janë me origjinë shqiptare, si: Dudo, Gjon, Progon, Gjergj, Gjin”.

Gjuzelevi thotë se, sipas regjistrave osmanë të shekullit XV, emrat personalë dhe familjarë me origjinë sllave përdoreshin shumë në mesin e shqiptarëve.

“Me siguri se shqiptarët kanë jetuar edhe në katundin Mirç të vilajetit të Qyprilisë (sot Veles). Emrat e të gjashtë krerëve familjarë i përkasin kësaj etnie: Nikola, djali i Kroçes; Gjergj Arbanas, Gjon Arbanas, Martini, djali i Gjergjit; Petre, djali i Gjergjit; Nedop, djali i Gjonit […] Në gjysmën e dytë të shekullit XV njerëz me mbiemra shqiptarësh, sikurse “Arvanid” (shqiptar në gjuhën greke) ose “Arnaud” janë regjistruar në Maqedoninë Juglindore. Për shembull: në katundin Morokosta (me siguri Marikostinova e sotme), vilajeti i Demir Hisarit; në Hristos dhe Ekso Çernoglav, vilajeti i Seresit; në Zdravik, vilajeti i Keshishlikut; në Rosilovë dhe Dranovë, vilajeti i Zëhnës; në Zumbat dhe Vaslak, vilajeti i Selanikut”.

Gjuzelevi, në këtë libër, jep shumë të dhëna edhe për shqiptarët katolikë në Kratovë, në Kopilovci dhe Montansko; për praninë e shqiptarëve ortodoksë në disa fshatra të Bullgarisë Veriore, sikurse janë: Arbanasi, Tërnovski, Çervena Voda, Rusensko, Poroishte, Razgradsko, Dobrica, Devnaja dhe në Varnë, kurse një grup kompakt me popullatë shqiptare, sipas autorit, ka pasur edhe në Trakinë e Odrinit.

Për autorin është interesant fakti se shqiptarët, edhe pse kanë jetuar në mjedise bullgare, ruajtën gjuhën dhe traditat përgjatë shumë shekujve.

Duke folur për “koloninë katolike shqiptare” të Kratovës, ai thotë se minatorët shqiptarë, për shkak të fesë katolike, kishin bashkëpunuar me sasët, që njihen si minatorë të zotë.

Kratova, e njohur për minierat e saj, është qytet në Maqedoninë verilindore. Në vitin 1390 sulltan Bajaziti I e kishte firmosur një ferman special për minierat e Kratovës. Qyteti ndërmjet shekujve XV dhe XVII ishte qendër kulturore, letrare dhe religjioze. Sipas Evlija Çelebisë, Kratova më 1660 kishte 800 shtëpi dhe 350 dyqane esnafësh të ndryshëm. Aty nxirrej argjend, kishte punëtori monedhash, por edhe një koloni tregtarësh raguzianë. Nga shekulli XVII ishte nën juridiksionin e Arqipeshkvisë së Pejës. Ndërmjet shekujve XV dhe XVII përmenden shpesh katolikët shqiptarë, që kishin kishën e tyre. Katolikët shqiptarë, së bashku me tregtarët raguzianë, ishin nën juridiksionin e Arqipeshkvisë së Tivarit dhe më pas të Shkupit.

Në një libër tregtar të raguzianit Mikhail Lukareviq, të viteve 30-të të shekullit XV, përmenden emra shqiptarësh, sikurse Guragi i biri i Gjon Arbanasit (Gurag de Gin Arbanexo chruzmar) dhe vëllai i tij Andrea.

Nga Kosova drejt Kratovës ishin shpërngulur shqiptarë dhe serbë, që punonin në miniera. Teksa serbët, për shkak të gjuhës dhe religjionit, ishin të integruar, shqiptarët e ruanin identitetin e tyre. Katolikët shqiptarë kishin kishat dhe priftërinjtë e tyre në çdo qendër minerale. Në shekullin XV, shumica e priftërinjve nga Novo Bërda ishin shqiptarë. Në regjistrat tatimorë osmanë të vitit 1519 hasim emrat Bane Arnaut dhe Kola Arbanas. Në regjistrin osman të vitit 1570 hasim familjarët Nikola Arbanas, Nikola Arnaut, Bardh Arnaut të lagjes Radiq. Në shekullin XVII shënohet edhe “Kisha shqiptare” (Kilise – i Arnavudan) në Kratovë. Kisha “Shën Mëria”, që funksionoi deri në vitin 1689, përmendet edhe më vonë nëpër dokumente të ndryshme kishtare. Banorët e Kratovës e quanin “kisha e latinëve”, gjurmët e së cilës kanë mbetur edhe sot në lagjen Çair të Kratovës. Më 1473 përmendet Stefan Lleshi dhe Dimitri i biri i Konstandinit.

Shënime për katolikët shqiptarë të Kratovës kemi edhe ndërmjet shekujve XVII dhe XVIII. Për të flet edhe arqipeshkvi shqiptar Pjetër Mazreku. Sipas tij aty kishte 40 familje katolike me 160 banorë. Gjatë një korrespondence me Romën, më 12 gusht 1634, ai shkruante se në Kosovë, Shkup dhe Kratovë kishte 12 mijë katolikë, që flisnin shqip, por edhe serbisht (di lingua Albanese e Schiavona). Më 1639 kolonia ishte vizituar nga shqiptari Gjergj Binaku. Sipas tij aty kishte 38 shtëpi katolike me 358 banorë. Të gjithë ishin shqiptarë, që dinin edhe serbisht. Ata ishin shpërngulur nga rajoni i Dibrës. Tre vjet më vonë Kratova kishte 35 shtëpi katolike me 200 katolikë shqiptarë. Arqipeshkvi i Ohrit, shqiptari Andrea Bogdani, e kishte propozuar si prift në këtë qytet, Stefanin nga Kratova, “shumë i respektuar nga popullata”.

Gjatë luftës së Kretës, 1645 – 1669, disa katolikë të Kratovës, për shkak të presionit, ishin konvertuar në fenë islame. Pjetër Bogdani shkruante më 1661 se në Kratovë nuk kishte prift, kurse numri i shtëpive katolike ishte zvogëluar në 15. Ai e propozonte si prift Primo Kolën, që me gjasë ishte nga familja e Nikola Kalesios. Xhovani Kulenoviqi më 1671 shkruante se në Kratovë kishin mbetur vetëm 7 shtëpi katolike me 15 banorë katolikë shqiptarë, ndërkohë që “kishte edhe të tjerë, por ishin renegatë”.

Luftërat ndërmjet austriakëve dhe osmanëve më 1688 – 1689 e kishin vështirësuar gjendjen e katolikëve shqiptarë të Kratovës. Më 1689 shumë të krishterë nga Maqedonia Veriore dhe Kosova kishin kërkuar shpëtim në trojet habsburge. Më 1692 prifti nga Trepça dhe Vushtria, Petër Karaxhiqi, shkruante se në Kratovë kishte 80 katolikë, ndërkaq priftin e kishin vrarë. Më 1703 Arqipeshkvi i Tivarit, Vinçenc Zmajeviqi, shënonte dy shtëpi katolike. Sipas tij kishte shumë shqiptarë kriptokatolikë. Në vitin 1706, po sipas tij, kisha katolike në Kratovë ishte rrënuar. Karaxhiqi më 1726 shkruante se në Kratovë kishte vetëm 3 shtëpi katolike me 22 banorë. Arqipeshkvi i Tivarit, Matea Mazreku, në vitin 1760, për herë të fundit numëron katolikë në Kratovë, gjegjësisht 3 shtëpi me 21 katolikë. Katolikët, në këtë periudhë, i varrosnin të afërmit e tyre në varrezat ortodokse. Në shekullin XVIII shumë katolikë ishin konvertuar në fenë islame dhe ishin integruar me banorët turq, kurse të tjerët me pjesën ortodokse të qytetit.

Autori në këtë libër jep të dhëna edhe për katolikët që jetonin në katundin Kopilovci, që gjendet në Bullgarinë veriperëndimore. Ata, sipas autorit, ishin vendosur ndërmjet shekullit XV dhe vitit 1689. Për praninë e katolikëve në këtë rajon ka edhe shumë statistika.

Në këtë studim jepen shumë të dhëna edhe për shqiptarët në Ukrainë, Rumani dhe në Moldavi, ku veproi edhe familja e njohur Lupu.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button