“Anibar”-i, gati për edicionin e 10-të

“Anibar”-i, gati për edicionin e 10-të

Kultura June 19, 2019 - 10:24
Lexo më shumë detaje

 

Në qytetin e Pejës po punohet intensivisht që në mes të korrikut të nisë edicioni i 10-të i festivalit të filmit të animuar “Anibar”. Sivjet datat që janë rrethuar në kalendar për “Anibar”-in janë 15-21 korrik dhe gjatë asaj jave pritet në Pejë të mblidhen shumë adhurues të filmit në përgjithësi e të animacionit në veçanti.

Çdo vit “Anibar” u jep vëmendje temave të caktuara e sivjet organizatorët kanë vendosur të flasin për frikën dhe për shpresën. Sipas organizatorëve, “Anibar”-i në edicionin e dhjetë të festivalit shndërrohet në hapësirë për ballafaqimin me ndryshimet. “Në një shoqëri, e cila vazhdimisht po bëhet indiferente ndaj ndryshimeve politike, sociale dhe mjedisore, ‘Anibar’-i në edicionin e dhjetë të festivalit shndërrohet në hapësirë për ballafaqimin me ndryshimet, hapësirë për të frymëzuar veprimin dhe për të promovuar aktivizimin qytetar nëpërmjet artit që thërret për mbrojtje të lirive dhe të drejtave”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Ata tutje theksojnë se edhe këtë vit do të përpiqen që përmes artit t’i trajtojnë tematikat e synuara. “Arti është fuqia jonë e përmes tij në këtë edicion, të dhjetin më radhë të ‘Anibar’-it, do t’i trajtojmë së bashku me ju frikën dhe shpresën. Edhe këtë vit ‘Anibar’-i sjell filma të animuar, punëtori, prezantime, masterklasa, takime me animatorë vendorë e botërorë, debate dhe aktivitete tjera përplot argëtim dhe edukim për të gjitha moshat në qytetin e Pejës”, theksojnë organizatorët.

Sipas tyre, ndejat muzikore në parkun e qytetit, që zakonisht mbyllin mbrëmjet e “Anibar”-it për këtë 10-vjetor të këtij festivali do të jenë edhe më të veçanta.

Rikujtojmë se “Anibar”-i organizohet nga organizata me të njëjtin emër, që është një organizatë e formuar nga një grup i të rinjve aktivë dhe artistë, të cilët kanë dëshmuar entuziazmin dhe vizionin e tyre për të promovuar kulturën e filmit të animuar në tetë edicionet e fundit të festivalit, gjithashtu duke demonstruar kapacitetet e zhvilluara për të organizuar ngjarje të mëdha. “Anibar”-i ka investuar në kapacitetin e zhvillimit të rinisë dhe të fëmijëve nëpërmjet trajnimeve, punëtorive, debateve dhe të aktiviteteve të tjera që u mundëson gjithë artistëve ballkanikë të rrisin dukshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare.