Interi lëviz në merkato, Konte bind dy asa. Ja prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2019 | 10:55

Interi lëviz në merkato, Konte bind dy asa. Ja prapaskenat

Me Xhekon dhe Lukakun do të sistemojë sulmin, me Barelën dhe Lazaron kërkon dy “xhola” që do nevojiten edhe si asistmen. Interi i Antonio Kontes pritet të zyrtarizojë blerjen e parë (përtej transferimit të Diego Godin me parametër zero) dhe po përgatit strategjitë vendimtare për mesfushorët e Kaljarit dhe të Hertës së Berlinit.

Barela Lazaro

SHIGJETA AUSTRIAKE – Lazaro është pranë më shumë se kurrë me Milanon. Sipas mediave gjermane, 23- vjeçari austriak, pas një sezoni ku regjistroi 3 gola dhe 7 asiste në Bundesligë, ka gjetur akordin me Interin dhe tani pritet vetëm “drita jeshile” nga Herta.

Lazaro

Këta të fundit kanë rritur pretendimet nga 20 në 25 milionë euro. Klubi zikaltër, në krahun tjetër, do donte të shpenzonte rreth 21- 22 milionë plus bonuse. Menaxheri i lojtarit, ndërkohë, ndodhej të hënën paradite në Berlin për t’u takuar me drejtuesit gjermanë. Së shpejti Konte mund të ketë një “shigjetë” në krahun e djathtë që përshtatet më së miri me lojën dhe modulin e tij.

ITALIANI – Barela, me një gol dhe 3 asiste në edicionin e fundit të Serisë A, i është premtuar prej kohësh Xhuzepe Marotës dhe Piero Auzilios. E ardhmja e tij është larg Kaljarit dhe tek Interi po e presin krahëhapur, me një ofertë të rëndësishme prej 5 vitesh me 2,5 milionë euro neto në sezon. Ndërsa termat e bisedimeve mes klubeve njihen prej kohësh. Presidenti i sardëve, Tomazo Xhulini, e vlerëson mesfushorin 50 milionë euro, zikaltrit nuk duan të shkojnë përtej 35 milionëve “cash”.

nikolo barela

Ndaj, “loja” po zhvillohet mbi emrat e talenteve që do përfshihen si shkëmbim. Më të diskutuarit janë mbrojtësi i majtë, Federiko Dimarko dhe qendërmbrojtësi Alesandro Bastoni, ose një nga lojtarët e skuadrës U-19. Eder ka dalë nga lista pasi paga e lartë e përfituar te Jiangsu e ndërlikon situatën.

Zikaltrit janë në negociata të avancuara me të dyja klubet, mungojnë vetëm detajet për të vulosur marrëveshjet. Brenda mundësive, sipas kërkesës së trajnerit, përpara grumbullimit për fazën përgatitore në Lugano, që nis më 8 korrik.

Përgatiti: LEDIO NASE – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"