BE-ja mbështet bizneset kosovare, “Binni” rrit eksportin për 39%

Prishtinë | 19 Qer 2019 | 11:00 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në kuadër të fushatës për zhvillim ekonomik “Të flasim për Ekonominë”, zëvendësshefi i zyrës së Bashkimit Evropian, Ricardo Serri, ka vizituar fabrikën për prodhimin të dyerve, dritareve dhe produkteve të tjera në fushën e mobilierisë, “Binni”, raporton EkonomiaOnline.

Zëvendës shefi i zyrës së BE-së, Serri, u shpreh se Kosova mund të bëjë shumë gjëra të mëdha dhe se “Binni”, është shembull i mirë i biznesit në Kosovë dhe i një kompanie që po rritet.

Ai shtoi se investimi i plotë i Bashkimit Evropian dhe i vetë kompanisë, në këtë fabrikë kap vlerën e 400 mijë eurove.

“Është krenari për BE-në të jetë këtu për një sërë suksesesh që janë të arritura në këtë fabrikë. Kjo është në kuadër të kornizës së ekonomisë për ta promovuar ndërmarrësinë dhe bizneset në Kosovë dhe e dimë që Kosova mund të bëjë gjëra më të mëdha dhe ky është një shembull i mirë i biznesit në Kosovë dhe i një kompanie që po rritet. Kënaqësi tjetër për BE-në është që një pjesë të saj e keni arritur edhe me ndihmën e BE-së. Ky financim erdhi nga BE në vlerë prej 400 mijë euro. Një gjë që mund të krenohemi është që ju nuk prodhoni vetëm për tregun e brendshëm por edhe eksportoni në vendet e BE-së”, tha Serri.

Ndërsa një nga pronarët e mobilierisë “Binni”, Bedri Fazliu, tha se eksporti i kësaj kompanie para 5 vitesh ka qenë i ulët, ndërsa tash me grantin nga BE-ja, eksporti është rritur për 39 përqind.

“Ka qenë një grant që ka rritë numrin e të punësuarve poashtu është rritur edhe eksporti i cili ka qenë i ulët para 5 viteve ndërsa tani eksporti është rritur për 39 përqind. Krahas grantit ne kemi investuar edhe në fonde të tjera. Gjithë këto arritje, me ardhë këtu nuk ka qenë rrugë e lehtë pasi kemi hasë në sfida të ndryshme. Kemi pasë vështirësi në çasjen e fondeve financiare nga bankat vendore. Kemi pas vështirësi me ligje të ndryshme të tatimeve, poashtu kemi pas vështirësi që produktet tona ti plasojmë në BE me çertifikata të ndryshme. Me këto fonde është ndikuar që të rritet numri i të punësuarve por edhe ekonomia e shtetit tonë. Ne planifikojmë në 3 vitet e ardhshme rritjen e kapaciteteve prodhuese por edhe rritjen e numrit të të punësuarve. Inkurajoj BE-në që t’i ndihmojë bizneset me fonde që të jemi të barabartë edhe me shtetet e rajonit”, tha Fazliu.

Fabrika për prodhimin e dyerve, dritareve dhe produkteve të tjera nga druri, Mobileria “Binni”, është prezent në treg rreth 30 vite, që nga viti 1989, ndërsa aktualisht ka 170 punëtorë në të gjithë sektorët e fabrikës.

Të ngjashme