“Dosja ruse”, Lulzim Basha ka arritur në Prokurorinë e Tiranës

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka mbërritur pak minuta më parë në Prokurorinë e Tiranës për atë që konsiderohet si “Dosja ruse”. Ai do të merret në pyetje mbi çështjen e kontratave të lobimit.

Dy ditë më parë, Basha e konsideroi të jashtëligjshme kërkesën e Prokurorisë për t’u marrë në pyetje dhe refuzoi të paraqitej. Por organi i akuzës iu kundërpërgjigj duke urdhëruar shoqërimin e tij me forcë.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”- shprehej Basha në letrën drejtuar Prokurorisë, transmeton Top Channel.

Gjithsesi, ditën e djeshme ishte Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, gjithashtu i akuzuar në këtë çështje, që u paraqit para prokurorëve. Atij iu komunikuan dy akuza: Falsifikim dokumentash dhe pastrim parash.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e dy viteve të shkuara kur firma amerikane ‘Muzin Capitol Partners’,  plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kësaj kompanie, ajo kishte marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017.

Nga deklarimet e firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button