Vuçiq do të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo

Më 20 gusht, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të takohet me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, në margjinat e një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Radio Televizionit i Serbisë, raportoi se tema kryesore e bisedimeve midis Vuçiqit dhe Pompeos, do të jetë situata në Kosovë, shkruan REL. 

Pompeo do të marrë pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, dhe është planifikuar të takohet edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button