Rama: Votoni për një kryeministër nga Durrësi Kreu i PS-së: Romakët ndërtuan amfiteatrin më të madh në Durrës, Berisha e bëri pikë hyrjeje për plehrat

0
2339

Gëzim Saliu

rama“Duhet një politikë punësimi real brenda një projekti strategjik për të krijuar mundësi për 300 mijë vende pune”

 

Në kuadër të turit për prezantimin e programit “Rilindja shqiptare”, kreu socialist Edi Rama ka deklaruar dje nga qyteti i Durrësit se shqiptarët kanë shumë arsye për të votuar opozitën në zgjedhjet e 23 qershorit. Duke renditur piketat e programit socialist, ndër të tjera, kryesocialisti theksoi se një arsye e fortë për të marrë votën e qytetarëve durrsakë është edhe prejardhja e tij nga ky qytet. “Sot durrsakët duhet të votojnë për një Durrës evropian, që fëmijët e tyre të shkojnë në shkolla ku gjejnë mësues dhe jo ushtarë partie, sot durrsakët duhet të votojnë që dyqanet e tyre të fillojnë të çlirohen nga borxhet marramendëse që u kanë borxhlinjtë, sot durrsakët duhet të votojnë që të ketë më shumë punë. Sot durrsakët duhet të votojnë thjesht dhe vetëm për veten e tyre dhe për familjen e tyre. 23 qershori është më shumë se asnjëherë tjetër, qysh nga viti 1992, një zgjedhje midis rrënimit dhe Rilindjes. Dhe pse të mos e them edhe këtë: Sot çdo durrsak duhet të votojë që nesër në krye të qeverisë të ketë një njeri që prejardhjen e ka nga Durrësi”, – tha Rama.

 

Konferenca

Në konferencën rajonale në Durrës, kreu socialist, krahas prezantimit të programit, nuk ngurroi të akuzonte me tone të ashpra qeverinë, e cila, sipas Ramës, ka zhbërë vlerat historike që gëzon qyteti bregdetar falë qytetërimeve të zhvilluara ndër epoka. “Sot jemi të vetëdijshëm se Durrësi, kjo bashki bashkë më Krujën, janë dy pika shumë të forta strategjike për të filluar rrugën e rilindjes. Romakët ndërtuan në Durrës amfiteatrin më të madh jashtë Romës, ndërsa qeveria e Saliut e bëri Durrësin pikë hyrjeje për plehrat që vijën nga Evropa. Ne do ta kthejmë Durrësin në një kantier të një transformimi historik.Sikur amfiteatrin e Durrësit ta kishin serbët, do ta kishin kthyer në arsye më shumë për veten, vend pelegrinazhi për të treguar se çfarë qytetërimesh kanë kapluar vendin tonë. Kushedi se çfarë legjendash më shumë do kishin prodhuar, po të kishin kështjellën e Skënderbeut, heroit më të madh në Evropë. Ne i kemi lënë nën pluhurin e një pluhuri e barbari që do marrë fund më 23 qershor”, – tha Rama. Më tej në fjalën e tij, kreu i PS-së tha se ekziston një kërcënim serioz për ekonominë e vendit, kryesisht nga efektet e krizës së Eurozonës. Duke iu referuar të raportit të të dhënave të Bankës së Shqipërisë, lideri socialist pohoi se nëse nuk ndërhyhet menjëherë janë në rrezik depozitat e qytetarëve shqiptarë dhe për mbrojtjen e tyre ai shprehu vullnetin për të gjetur rrugën e bashkëpunimit edhe me palën tjetër.
“Sot pranohet zyrtarisht se 2012 ka pasur rritjen më të vogël ekonomike që prej 2007. BSH pohon se fuqia blerëse ka rënë 10%, për shkak se pagat kanë rënë me 10%. Tendenca rënëse vazhdon edhe në dy muajt e parë të 2013, jemi në kushtet e fundosjes se të ardhurat nga emigrantët, burimi kryesor në vend, vazhdojnë të tkurren. Janë 430 milion dollarë më pak se në 2007, që i mungojnë ekonomisë dhe s’janë kompensuar me të ardhura të tjera. Është përgjegjësi e qeverisë që ta kompensojë me të ardhura të tjera. Rënia e remitancave, evazioni fiskal, korrupsioni, ku mund të shkojë Shqipëria me këtë pushtet edhe katër vite të tjera vetëm në rrugën e rrënimit dhe dështimit. Nëse sot nuk ndërhyhet menjëherë janë në rrezik depozitat e qytetarëve shqiptarë, jemi të vendosur të gjejmë rrugët e bashkëpunimit edhe me palën tjetër për të garantuar financat e vendit”, – deklaroi Rama. Në këtë kontekst kryetari socialist theksoi se duhet një politikë punësimi real brenda një projekti strategjik për të krijuar mundësi për 300 mijë vende pune në 4 vitet e ardhshme. Ndërsa sa i përket premtimeve të kreut të qeverisë Berisha në konventën për bujqësinë, kryesocialisti tha se ato përbëjnë një propagandë që nuk rri dot më në këmbë.

Rama niset në Kosovë

Kreu socialist Edi Rama u nis dje drejt Kosovës, ku edhe do të mbajë një fjalim lidhur me marrëdhënien mes dy shteteve dhe kryesisht të ardhmen e tyre. “Rrugës për Kosovë me shumë kënaqësi për mundësinë që të flas nesër live tv 17:00 për Shqipërinë, Kosovën, rajonin pas 23 qershorit”, – shkruante Rama në rrjetin social FB.

 

 

Kundërshtia e LSI-së, kreu i PS-së nuk zmbrapset për shëndetësinë

Pavarësisht se LSI-ja, aleatja kryesore e PS-së, ka shprehur kundërshtinë e saj të drejtpërdrejt lidhur me atë që parashikon programi socialist për sistemin shëndetësor, kreu socialist Edi Rama nuk tërhiqet. Ai bëri të ditur dje në Durrës se PS do ta shndërrojë tërësisht sistemin shëndetësor. “Për këtë arsye ne do ta ndryshojmë radikalisht sistemin shëndetësor. “Shëndetësia kushton”, thonë këta. Po sigurisht që kushton. Puna është kush e paguan. E paguajnë ata që s’kanë lekë? Apo të gjithë së bashku kontribuojmë edhe për ata që s’kanë lekë. Ne besojmë në këtë të dytën. Ata besojnë se shëndeti, e drejta, arsimi i fëmijëve janë mall që blihen. Ne besojmë se të gjitha këto janë të mira publike që i ofrohen çdo qytetari dhe çdo fëmije të këtij vendi”, – u shpreh Rama.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency