Përgatitjet, fitorja ndaj skuadrës së zemrës, misioni me Ferizajn, rrëfehet Bekim Isufi

Përgatitjet, fitorja ndaj skuadrës së zemrës, misioni me Ferizajn, rrëfehet Bekim Isufi

Sport August 21, 2019 - 11:59
Detajet

Bekim Isufi shkaktoi sensacion me skuadrën e Ferizajt që në ndeshjen e parë të tij në krye të ekipit.

Trajneri i mirënjohur kosovar e mposhti ish-skuadrën e tij Dritën e Gjilanit në takimin e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Gjilan të shtunën, me rezultat 1:0.

Ferizaj në këtë verë u organizua shumë vonë, derisa futbollistët kryesorë të ekipit i transferuan vetëm në ditët e fundit të afatit kalimtar, për dallim nga Drita, që bëri përforcime të cilat konsiderohen të mëdha dhe përgatitje edhe në Bullgari.

“Beka” në një prononcim për gazetën “Zëri” e komentoi ndeshjen në fjalë, duke thënë se pakkush e ka pritur një rezultat të tillë. “Ishte një ndeshje që pakkush e besonte një rezultat të tillë. Por nganjëherë ndikojnë disa faktorë për ta dhënë maksimumin. Besoj se patëm edhe pak fat, mirëpo edhe lojtarët u angazhuan shumë, pavarësisht se ishte një kohë e shkurtër që punuam së bashku”, ka thënë të martën për gazetën “Zëri”.

Isufi ndër të tjera deklaron se ndoshta Drita e ka marrë këtë ndeshje me lehtësi. “Ndoshta Drita e ka marrë ndeshjen me lehtë, mirëpo gjërat u vështirësuan për ta me kalimin e kohës, edhe pse nuk patën ndonjë ritëm të shpejtë të lojës dhe kjo në masë të madhe neve na ka ndihmuar që t’i kryejmë detyrat që patëm në fushë me lehtë”, potencoi Bekim Isufi.

Më tutje Isufi foli edhe për vazhdimësinë e kampionatit.

Ferizaj ndeshjen e radhës e zhvillon ndaj Gjilanit si vendas. “Do të jetë shumë vështirë për të gjitha skuadrat, ashtu edhe për neve. Është vetëm fillimi dhe duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, ta dimë saktë forcën tonë”, potencoi Bekim Isufi. /Zëri.info

Image