Kriza në Telekom: Kunata e Ramush Haradinajt porosit 305 telefona luksozë para zgjedhjeve

Pas kërkesës së bërë nga kunata e Ramush Haradinaj, Telekomi i Kosovës do të shpenzojë 207 mijë euro për blerjen e 305 telefonave të mençur.

KALLXO.com posedon kërkesën e bërë nga ana e Vesmira Haradinaj, kunata e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinajt, e punësuar në mënyrë kundërthënëse në Telekomin e Kosovës për blerjen e 305 telefonave.

Siç përshkruhet në këtë dokument, titulli i lëndës së kontratës dhe natyra e lëndës është furnizimi me telefona mobil për nevoja të telekomunikimit.

Blerja e 305 telefonave mobil nuk ka qenë e planifikuar më parë, andaj Telekomi i Kosovës ka dhënë një arsye.

“Telekomi i Kosovës është duke humbur treg dhe konkurrenca është duke punuar me të madhe në joshjen e konsumatorëve. E vetmja kundërpërgjigje ndaj konkurrencës është që Telekomi të ofron shërbime/ produkte të kombinuara (minuta+ SMS+ Internet+ Telefon), që të jetë konkurrues”, thuhet në dosjen e kontratës që ka siguruar KALLXO.com.

Telekomi i Kosovës ka zhvilluar procedura të mini-tenderit, pa publikim të njoftimit për kontratë. Dorëzimi i ofertave ishte bërë me 31 korrik, ndërsa rekomandimi i kompanisë fituese është bërë me datën 20 gusht.

Telekomi i Kosovës i kishte planifikuar të shpenzonte 171 mijë e 800 euro për blerjen e këtyre telefonave, mirëpo ofertat kanë ardhur më të larta. Oferta më e lirë ishte nga kompania “Zone Mobile”, e cila ishte rekomanduar për kontratë në vlerë prej 207 mijë e 733 euro. Pronar i këtij biznesi që e ka fituar kontratën nga Telekomi i Kosovës është Alban Limani.

Telekomi i Kosovës thotë se blerja e telefonave mobil do të ruajë klientët ekzistues.

“Projekti është investim në vazhdim, operacional për realizimin e kontratave me konsumatorë VALA postpaid të rëndësishëm. Kjo ndikon në ruajtjen e klientëve ekzistues, atyre të rinjë dhe rritjen e të hyrave, të jemi konkurrent me ofertat e reja në raport me operatorët tjerë”, thuhet tutje në lëndën e kontratës.

Me anë të kësaj kontrate parashihen të blihen telefonat më të shtrenjtë në treg.

Llojet e telfonave mobil të mençur janë; Samsung Galaxy Note 9, 10 copë, Samsung Galaxy S9+, 5 copë, Samsung Galaxy S9, 6 copë, Samsung Galxy S8, 68 copë, Samsung Galaxy A5, 50 copë, iPhone XS Max, 10 copë, iPhone XS, 5 copë, iPhone X, 131 copë, iPhone 8, 14 copë dhe iPhone 8+, 6 copë. Vlera totale e këtyre telefonave arrin shifrën e 207 mijë e 733 euro.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Telekomit të Kosovës për kërkuar arsye shtesë për blerjen e telefonave mobil, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Përvec njësisë së kërkesës që është Vesmira Haradinaj, ‘aminin’ për këtë tender e kanë dhënë edhe zyrtari kryesor financiar, Armend Osaj si dhe kryeshefi Ekzekutivë, Bedri Istrefi.